English

Lëvizjet dhe emërimet në policinë e shtetit. Seanca dëgjimore në komisionin hetimor

Komisioni hetimor për largimet, lëvizjet dhe emërimet në policinë e shtetit ka nisur sot punimet në orën 14:00.

Qëllimi i kësaj seance është dëgjimi i drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Por që në fillim të seancës ka pasur debate mes kreut të këtij komisioni Arben Ristani dhe deputetit socialist Taulant Balla lidhur me praninë e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në mbledhje.

Balla ka kërkuar që Ministri të paraqitet në Komision në orën 18:00,pas mbarimit të seancave dëgjimore me drejtues dhe ish-drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Një fakt i tillë është kundërshtuar nga Ristani, pasi sipas tij nuk është parashikuar në planin për seancën e sotme, por per nesër në 12:00.

I pari që është dëgjuar ka qenë, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ku ka deklaruar se është larguar me dorëheqje.

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, më pas ka drejtuar një pyetje për ish-drejtorin Burgaj: A janë bërë emërimet konform ligjit?
“Ka patur raste kur janë shkarkuar Drejtorët, jam konsultuar me Ministrinë e Brendshme, lëvizjet janë bërë sipas gradave. Konsultat historikisht janë bërë me Ministrat e Shtetit, nuk mund të them nëse kjo ka pasur ndikim te rendi. Vendimet i kam marrë unë dhe për këtë mbaj përgjegjësi unë.Ndërkaq ripranimet janë bërë në përshtatje me ligjin, një pjesë e tyre kanë qenë në proçes ripranimi.Unë kam bërë gjithsej 15 largime dhe ripranime, kam zbatuar ligjin e Policisë së Shtetit” është përgjigjur ish-drejtori i policisë së shtetit.

Ndërkohë, Komisioni po heton mbi emërimet dhe shkarkimet në polici për periudhën 15 shtator 2013-31 janar 2014. Ky hetim do të përfshijë verifikimin e largimeve, transferimeve dhe punësimeve të reja në polici, si dhe pasojat që kanë sjellë këto ndryshime në garantimin e sigurisë publike.

KOMENTE