English

Bashkëpunimi me Shtetin e Katarit, nje kapitull i ri

Kryeministri E. Rama zhvilloi një vizitë dy ditore në Katar me ftesë të kryeministrit të Katarit Sheikut Abdullah Bin Nasser Al Thani. Gjatë kësaj vizite ai u shoqërua nga Ministri i Jashtëm Bushati, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Haxhinasto, Ministrja e Turizmit Gjermeni, nga deputetët Shalsi dhe Kushi, si dhe kryetarët e bashkive, të Durrësit e Lezhës, Vangjush Dako dhe Viktor Tusha.

Gjatë këtyre dy ditëve Kryeministri zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Katarit Sheikun Khalifa bin Jassem bin Mohammed Al Thani, si edhe me Ministrin e Shtetit dhe CEO e Autoritetit të Investimeve të Katarit, Z. Ahmad M. Al-Sayed. Bisedat në këto takime u përqendruan te nxitja e tregtisë dhe shkëmbimi ekonomik të dy vendeve. Gjithashtu u fol për projekte të ndryshme në fushat e energjisë, turizmit dhe bujqësisë.

Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Kryetarin e Këshillit Konsultativ të Katarit, Z.Muhamed bin Mubarak Al Khulaifi, si edhe u prit në një takim të posaçëm nga Kryeministri i Katarit, Sheiku Abdullah Bin Nasser Al Thani. Në përfundim të takimit me Kryeministrin e Katarit, Ministri i Jashtëm Bushati firmosi në emër të delegacionit shqiptar dy marrëveshje me qeverinë e Katarit, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit në lidhje me rregulloren e punësimit të fuqisë punëtore në Shtetin e Katarit”, e cila rregullon punësimin e shtetasve shqiptarë në Katar, si dhe “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”.

Gjatë takimit me Kryeministrin e Katarit biseda u përqendrua kryesisht në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Kryeministri Rama e falënderoi homologun për mbështetjen që vendi i tij do i japë Shqipërisë.

Në përfundim të takimit delegacioni shqiptar mori pjesë në një drekë të shtruar nga Kryeministri i Katarit në Divanin Mbretëror të Katarit.

***

Dje Kryeministri Edi Rama u prit në një takim të veçantë edhe nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e turizmit dhe bujqësisë. Me interes të veçantë u pa edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror, ku “Qatar Airways” është një nga linjat kryesore në këtë sektor. Emiri i Katarit u shpreh gjithashtu i gatshëm për të mirëpritur më shumë shqiptarë në Katar, të cilët mund të punësohen kryesisht në shërbimin shëndetësor, arsimor dhe ndërtim.

KOMENTE