Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Transformim epokal për Policinë e Shtetit
English

Transformim epokal për Policinë e Shtetit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e organizuar në kuadër të dhurimit të 30 motorëve dhe 20 kamerave nga një kompani turke për Policinë e Shtetit:

Në Europë jam i sigurt, por besoj që edhe në botë do të jetë një ushtrim absolutisht i vështirë, në qoftë se do të kërkojmë një rast të dytë, që Ministria e Punëve të Brendshme është në këtë derexhe dhe kjo është derexheja ku ne e gjetëm jo një godinë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por një strukturë të tërë të punëve tona të brendshme, të Policisë tonë të Shtetit.

Me 46% të ambienteve dhe ndërtesave në gjendje të dobët ose shumë të dobët; me 70% të automjeteve të patrullave policore në gjendje të dobët ose shumë të dobët; me 82% të automjeteve për transport policor në gjendje të dobët ose shumë të dobët. Dhe këtë “të dobët” ose “shumë të dobët” e kanë shkruar partnerët tanë ndërkombëtarë, përkatësisht partnerët amerikanë. Në shqip përkthehet “të lodhur” ose “shumë të lodhur”. Pjesën dërrmuese të automjeteve policore në fundin e jetës së tyre, më të vjetra se 15 vjet. Pra, jo të lodhura apo shumë të lodhura, por të stërlodhura. Një sistem komunikimi dhe informimi të strukturave policore të stërvjetëruar, me policë të pa pajisur me radio dhe me një sistem policor që ende nuk është pajisur me kompjuterë.

Janë disa të dhëna që unë i nxora nga raporti i fundit i ICITAP-it, të cilin, fatmirësisht, ne e morëm në dorë dhe e kemi si një pikë referimi për të çuar përpara procesin shumë të vështirë në kushtet në të cilat ndodhet vendi financiarisht, por të domosdoshëm në kushtet në të cilat ndodhet vendi, në nevojën jetike për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë të re.

Sot, unë kam ardhur këtu, sepse fillon faza 2 e transformimit të Policisë së Shtetit, me hapin e parë drejt inovacionit në polici, që do të na bëjë të kapërcejmë në një kohë shumë të shkurtër, vite të tëra prapambetjeje dhe do të na bëjë që në një kohë shumë të shkurtër të mbërrijmë në standarde të panjohura më parë, të sigurisë në marrëdhëniet mes çdo qytetari dhe çdo komuniteti me Policinë e Shtetit dhe me policin e shtetit.

Sot nuk janë 30 motoçikleta të reja, moderne dhe që ofrojnë shpejtësi, lehtësi dhe sigurisht, shumë më tepër siguri, edhe psikologjike, për qytetarët që na kanë sjellë këtu, por është vendosja e gurit të themelit për një Polici të Shtetit Shqiptar të mbështetur tek teknologjia e re.

Sot, 20 kamerat e para janë instaluar në makinat e patrullimit policor, për të monitoruara gjatë gjithë kohës marrëdhëniet mes policëve dhe qytetarëve, marrëdhëniet mes shtetit nën uniformën blu dhe qytetarëve, që tek kjo uniformë do të kenë përditë e më tepër, mbështetjen që u duhet dhe nga kjo uniformë do të marrin përditë e më tepër, sigurinë për të cilën kanë nevojë. E janë 20 kamerat e para në një proces ku sot, falë teknologjisë së re, çdo vend, sado i prapambetur, sado në kushte të vështira mund të bëjë hapa gjigandë, që në kohëra të tjera do të ishin të pamundur pa kaluar vite të tëra dhe mund të bëhet pa as më të voglin dyshim, po aq i barabartë në mjetet në dispozicion, sa çdo vend tjetër i zhvilluar.

Duke pasur sot 20 kamerat e para që japin mundësinë e një transmetimi të pandërprerë në sallën qendrore të komandës, të të gjithë veprimit dhe të të gjithë zhvillimit të marrëdhënies përgjatë ditës mes çdo punonjësi të policisë dhe çdo qytetari, ne kemi në dispozicion një instrument tërësisht të ri, tërësisht të panjohur më parë, të monitorimit jo vetëm të punës së përditshme, minutë pas minute, të çdo punonjësi policie në patrullat policore, por edhe të çdo komunikimi me qytetarin. Gjë që, e thënë në mënyrë fare të thjeshtë, na jep mundësinë, p.sh., që nga njëra anë të rrisim jashtëzakonisht shumë, si asnjëherë më parë, përgjegjshmërinë e çdo punonjësi policie në marrëdhënie me qytetarin, nivelin e etikës së komunikimit dhe përkushtimin ndaj qytetarit dhe nga ana tjetër, kontrollin e plotë të çdo ankese që mund të vijë nga çdo qytetar, lidhur me veprimin apo sjelljen e punonjësit të policisë.

Kështu, për çdo qytetar që mund të ankohet se u gjend përballë një sjelle të papërshtatshme, apo u bë viktimë e një gjobe të pamerituar, është plotësisht e mundur që me sistemin e sotëm të bëhet verifikimi me zë dhe me figurë i kësaj marrëdhënie. Ashtu sikundër është plotësisht e mundur që të verifikohet çdo formë presioni ndaj “uniformës blu”, nga cilido që nga pozitat e të fortit, me imunitet, me influencë, me një baba me emër apo nga çfarëdo tjetër ka buruar tradicionalisht në Shqipëri, forca për t’iu kundërvënë punonjësit të zakonshëm të policisë, të mund të dalë në pah qartë dhe të ndëshkohet sipas ligjit.

Sot unë jam shumë i inkurajuar nga ky hap kaq i madh që hedh Policia e Shtetit, në një kohë kaq të shkurtër dhe nga fakti që, pavarësisht shtrëngesave të njohura financiare që ka vendi ynë, pavarësisht pamundësive objektive që ka qeveria dhe buxheti i shtetit, ne realizuam në kohë rekord fillimin e rrugëtimit drejt një objektivi të panjohur më parë për këtë vend dhe për Policinë e Shtetit në këtë vend. Garantimin e një sigurie shumë më të lartë, përmes teknologjisë së lartë. Jam shumë i inkurajuar gjithashtu, që ne e bëmë këtë duke i gjetur fondet e nevojshme, duke i gjetur mbështetësit e nevojshëm dhe i jam shumë mirënjohës qoftë kompanisë që bujarisht i ofroi policisë këtë infrastrukturë kaq moderne dhe kaq inkurajuese, që është vetëm fillimi në procesin e transformimit të të gjithë infrastrukturës motorike policore, qoftë edhe kompanisë “Vodafone” që na dha mundësinë të hyjmë në një epokë të re, me mbështetjen për të instaluar instrumentet e parë të një transformimi kolosal, epokal, për Policinë e Shtetit, që fillon sot.

Fillon sot, për të mos u ndalur, por për të shkuar më tutje. Fillon sot, duke vendosur në themel një transparencë që për ne do të shtrihet hap pas hapi dhe vit pas viti, në çdo aspekt të marrëdhënies mes qytetarit, komunitetit, publikut dhe Policisë së Shtetit.

Sot, Ministri i Brendshëm ka dorëzuar edhe programin mbi të cilin do të ngrihet edhe projekti i ri i shërbimeve policore dhe jo vetëm policore, por edhe i shërbimeve për publikun, në kryeqytet. Një projekt tjetër inovativ që do ta bashkojë Shqipërinë me vendet më të zhvilluara sot në Evropë, për sa i përket ofrimit të shërbimeve për qytetarët në kohë rekord, me transparencë të plotë dhe në pamundësi absolute për korrupsionin. Është një program shumë ambicioz, ku përfshihen nga njëra anë kushtet e reja për shërbimet e policisë në Tiranë, po fillojmë nga Tirana, dhe ku, nga ana tjetër, integrohen kushte të reja shërbime të jetës së përditshme të qytetarëve, për të cilat sot ka dhjetëra sportele dhe qindra procedura që ua nxijnë jetën qytetarëve tanë.

Do të fillojë me Tiranën dhe do të shtrihet në të gjitha pjesët e territorit të vendit edhe falë reformës territoriale, që do të na japë mundësinë që të kemi shërbime shumë më cilësore për qytetarët, duke bërë që një pjesë e madhe e njësive aktuale vendore të kalojnë nga njësi që të bëjnë gjithçka në letër dhe, fatkeqësisht, bëjnë pak ose aspak në realitet, në njësi të mirëfillta shërbimi për qytetarët, në sportele të mirëfillta që ofrojnë shërbimet e përditshme për qytetarët, jo thjesht dhe vetëm në qytet, por në çdo cep të Republikës sonë.

Ky është një model i ri që po merr jetë hap pas hapi. Ky është një model i ri që do të na japë mundësinë që të bëjmë një transformim rrënjësor edhe për sa i përket rezultateve në gjithë aspektet e luftës me krimin. Fatkeqësisht, bëhet një përpjekje nganjëherë e përbindshme dhe fatkeqësisht, si e sinkronizuar mes krimit nga njëra anë dhe politikës që përmes krimit përpiqet të zërë vendin kryesor në sytë dhe në veshët e qytetarëve.

Është e natyrshme dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur, po të kesh parasysh se vetëm 6 muaj më parë krimi dhe kjo godinë bashkëjetonin.

Është e natyrshme dhe s’ka asgjë për t’u çuditur, po të kesh parasysh deri vetëm 6 muaj mbi Shqipërinë rëndonte hija shumë e rëndë e konstatimit të bërë nga Departamenti Amerikan i Shtetit se “mes zyrtarëve më të lartë dhe botës së krimit ishin vendosur lidhje që cenonin sigurinë e vendit tonë”.

Është e natyrshme po të kesh parasysh se mes Policisë së Shtetit dhe krimit ka ndodhur një divorc i pashembullt për gjithë këto vite; Mes shtetit dhe krimit ka filluar një luftë e pashembullt, e cila sigurisht është një luftë ende e pabarabartë, në kushtet kur, - sikundër e solla në vëmendjen tuaj, bazuar në raportin e partnereve të tanë të çmuar ndërkombëtar dhe përkatësisht e partnerëve tanë në Policinë e Shtetit, - kemi trashëguar një polici të lodhur dhe shumë të lodhur në të gjitha aspektet.

Por, këto 6 muaj janë prova më e sigurt se njerëzit në Policinë e Shtetit janë të gatshëm për këtë luftë, se njerëzit në policinë e shtetit janë aty dhe se nëse deri dje Policia e Shtetit ishte në një varësi fatale ndaj krimit, kjo nuk ishte përgjegjësia e atyre që në gjithë territorin e Shqipërisë jetojnë përmes punës si punonjës policie, por përgjegjësia e një sistemi të ngritur mbi bashkëfajësinë me krimin.

Përgjegjësia e një sistemi të ngritur mbi ndarjen e këtij populli në dy kategori;

Në kategorinë e të fortëve, të paprekshmëve; në kategorinë e atyre që me një imunitet ministri apo deputeti ministri mund ta parkojnë makinën ku të duan dhe nuk marrin jo vetëm asnjë lloj gjobe, por përkundrazi, marrin edhe nderimin e policit rrugor.

E pastaj populli i zakonshëm, që paguan “qimet e kokës” dhe nuk merr as shërbimin më të vogël.

Kjo ishte situata.

Sot është ndryshe!

Sot është tërësisht ndryshe, sepse sot nuk ka asnjë mjet që nuk gjobitet, qoftë edhe mjeti i autoritetit më të rëndësishëm të vendit, në rast se është vendosur aty ku nuk duhet; sot nuk ka asnjë autoritet mbi autoritetin e ligjit që përfaqëson Policia e Shtetit;

Sot, për herë të parë në mbi 20 e kusur vite, buxheti i shtetit arkëton edhe gjobat që merren nga rrogat e ministrave, deputetëve dhe e kujtdo qoftë që shkel rregulla. Gjë që fatmirësisht po ndodh gjithmonë e më pak, sepse u desh të ndodhte pak si shumë para Vitit të Ri, që të gjithë ta mësonin që askush nuk mund t’i shpëtojë autoritetit të ligjit.

Sigurisht, që në kushtet kur Policia e Shtetit nuk ka kompjuterë, siç thotë raporti i partnerëve tanë të çmuar; në kushtet kur Policia e Shtetit nuk ka makina; në kushtet kur fotografitë me punonjës policie që shtyjnë makinën se u mbaron karburanti rrugës bëhen modë, padyshim që lufta është e pabarabartë, se krimi është shumë më i pasur, është shumë më i shpejtë.

Por, më e rëndësishmja është që në këto 6 muaj krimit i është këputur njëra këmbë, këmba që kishte këtu në këtë godinë. Tani, në këtë fazë të re të betejës, jo vetëm partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët e çmojnë jashtëzakonisht shumë punën e bërë në këta 6 muaj nga Policia e Shtetit, por edhe çdo qytetar i këtij vendi do të ndjejë ditë pas ditë se transformimi do të prekë në qelizë marrëdhënien me Policinë e Shtetit. Do të shohë se përditë e më shumë do të ketë përballë punonjës policie që do të jenë po aq të sjellshëm në gjithë territorin, sa ç’janë ato vajzat që i mban në gojë për mirë i gjithë kryeqyteti, që nën uniformë policie arrijnë ta kryejnë shërbimin me cilësinë më të lartë, duke provuar se forca e Policisë se Shtetit nuk qëndron te fuqia për të shkelur etikën, apo te fuqia për të treguar muskujt me qytetarët, por qëndron të fuqia për të qenë bashkë me qytetarët në zbatimin e ligjit.

Duke i falënderuar edhe njëherë tjetër të gjithë ata që po kontribuojnë çdo ditë që përpjekja jonë e jashtëzakonshme për të realizuar objektivin që brenda 300 ditëve të para ta kthejmë plotësisht Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe duke bërë një falënderim të posaçëm për Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, i cili është një mik dhe një partner i çmuar për sa i përket procesit të futjes së teknologjisë së re në Policinë e Shtetit dhe për Policinë e Shtetit, unë dua t’ju uroj me gjithë zemër kurajo, vullnet të palëkundur dhe sukses në këtë përpjekje që në themelin e vetë, falë drejtimit të ri të Policisë së Shtetit, falë Drejtorit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të policisë në gjithë Shqipërinë ka integritetin, me bindjen se ky vit do të shënohet në historinë e Policisë së Shtetit si viti i një kthesë të madhe historike dhe i ndarjes përfundimtare mes një epoke që po mbyllet dita - ditës dhe një epoke të re që do të hapet dhe që pa asnjë dyshim do të shënojë kalimin e policit të shtetit njëherë e përgjithmonë në krahun e qytetarit.

Faleminderit!

KOMENTE