Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Miratohet projektligji mbi Tatimin mbi të ardhurat
English

Miratohet projektligji mbi Tatimin mbi të ardhurat

Kuvendi u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme për ekonominë, për forcimin e kontrollit dhe transparencës së pasurive të zyrtarëve të lartë, për investimet në infrastrukturë, etj.


Kuvendi miratoi me 90 vota projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”; me 92 vota pro projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”; me 85 vota projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës - Qafë e Plloçës”; me 76 vota pro dhe 3 vota kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” të ndryshuar” dhe me 81 vota pro projektligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”.


Në hapje të seancës, përfaqësues të opozitës ngritën pretendimin se ligji “Për dhënie amnistie” që u miratua disa javë më parë në Kuvend u përdor për të pushuar hetimet mbi çështjen e blerjen së votave në Korçë.


Deputetja e Partisë Demokratike, znj. Jozefina Topalli deklaroi se vendimi për të pushuar hetimet mbi këtë çështje shënojnë fundin e demokracisë.
“Amnistimi i blerjes së votës është tronditës. Unë dua t’ju pyes si bashkëkryetar i kësaj mazhorance. Ju vërtet jeni për amnistinë e blerjes së votës, keni legalizuar blerjen e votës? Për çfarë duhet të flasim? Ne kemi 20 vite që përpiqemi të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira. Ne të amnistojmë blerjen e votës? Ky është fundi i Parlamentit, fundi i demokracisë. Një pyetje: Ju me bindje të plotë keni votuar për amnistimin e blerjes së votës?”, tha ndër të tjera znj.Topalli duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit.


Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vuri në dukje se ai vetë ishte njohur me faktin vetëm pas deklaratës së prokurorisë. Duke shprehur qëndrimin e tij absolutisht kundër aministimit të kësaj vepre, z. Meta garantoi mbështetjen maksimale për çdo iniciativë që do të ashpërsonte masat ndaj një fenomeni të tillë.


“Jam njohur me këtë argumentim vetëm pas deklaratës së prokurorisë. Askush nuk na pengon që të ndërmarrim një iniciativë të veçantë. Jam gati të mbështes çdo iniciativë që ndihmon në këtë drejtim. Do të ishte më mirë që të gjithë kolegët tanë ta kishin vëne re më parë këtë problem, sidomos në Komisionin e Ligjeve, por duhet vepruar në bazë të procedurave parlamentare, sepse kjo nuk është një gjë që mund ta kthejë as Kryetari i Kuvendit, as një grup deputetësh. Jam shumë dakord, nuk duhet amnistuar kjo gjë absolutisht”, tha Kryetari i Kuvendit.


Ndërkaq, për orë të tëra, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Kuvend debatuan lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9367, datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar” ”, si dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049,datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar” .


Përfaqësues të opozitës u shprehën kundër ndryshimeve të propozuara, veçanërisht kundër amendamentit sipas të cilit Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të emërojë kreun e ILDKPKI-së.
Deputeti demokrat z.Genc Ruli e konsideroi djallëzor veprimin për ndryshimin e ligjit për ILDKPKI dhe si një përpjekje për t’i shmangur vetes probleme në të ardhmen. “Ndryshimi i ligjit është një veprim djallëzor. Me ndryshimet që po i bëni këtyre dy ligjeve dhe atyre të tjerave që do i bëni me prekjen e Kodit Penal, ju nuk do keni asnjë problem me djallëzinë tuaj. Frenoni dorën dhe mos emëroni në krye të shtetit njerëz që e kanë jetëshkrimin plot me vjedhje. Mazhoranca do të legalizojë kreun e ILDKPKI-sw, por sulmi për kapjen e ILDKPKI-sw është ndër më arrogantët,” tha ndër të tjera z. Ruli.


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu shprehu qëndrimin e tij kundër heqjes nga Presidenti i Republikës së kompetencës për të emëruar kreun e ILDKPKI-sw. Sipas, z. Mediu duhet të ketë një raport të dyfishtë kur vjen fjala për emërimin e Inspektorit të Përgjithshëm, siç ndodh me krerët e institucioneve të tjera të pavarura kur Presidenti propozon kandidaturat dhe Parlamenti voton.


Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të PS-sw, deputeti z. Erion Braçe theksoi rëndësinë e këtij projektligji, i cili synon vendosjen e barazisë në deklarimin e pasurive. “Ky projektligj bën të deklarueshëm çdo shpenzim të çdo zyrtari me vlerë mbi 300 mijë lekë. Limiti ka qenë 500 mijë lekë dhe askush nuk i ka treguar realisht shpenzimet. Të gjithë zyrtarët kanë deklaruar se mbajnë në shtëpi 60 milion dollarë kesh në shtëpi, ne po i detyrojmë zyrtarët të çojnë paratë nëpër banka, për herë të parë bashkëjetuesi/ja do të deklarojë pasurinë, pasi vite më parë ato janë fshehur. Ka patur vite që pasuria është kontrolluar vetëm nga ana e PS, nga ana tjetër asnjëherë. Kjo gjë nuk do të ndodh më”, deklaroi z. Braçe.


Në favor të këtyre dy nismave u shpreh dhe Ministri i Brendshëm, z. Sajmir Tahiri, i cili shprehu angazhimin e mazhorancës dhe të qeverisë për të luftuar korrupsionin. “Këtu në sallë ka ish-ministra që i kanë shpëtuar drejtësisë vetëm se kanë fituar një mandat tjetër deputeti, ndonëse pati 26 të vdekur. Këtu në sallë ka deputetë që vijnë e flasin, ndërkohë që kur ishin në qeveri nuk hapnin gojën, ndonëse akuzat për korrupsion nuk ishin fjalë, por fakte. Kjo mazhorancë dhe qeveria është e hapur që të marrë në shqyrtim çdo akuzë tuajën që ka fakte konkrete, siç jemi të angazhuar që luftën kundër korrupsionit ta bëjmë me vepra, jo me fjalë për konsum politik”, tha z.Tahiri.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i deputetit , z. Edi Paloka. “Meqë zotëria donte fakte, do të bënte mirë të dëgjonte se kur erdhi si Ministër, shkarkoi nga puna ata që i arrestuan të atin . Ky është zotëria që nuk ka gjetur ende ata që i vranë shokun e ngushtë”, tha z.Paloka.


Në lidhje me këto dy projektligje, në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti z.Petrit Vasili hodhi poshtë akuzat e opozitës se po i marren kompetencat Presidentit, ndërsa sqaroi se kjo nuk është një kompetencë e përshkruar në Kushtetutë, por e vendosur nga Parlamenti në 2003-n. Z.Petrit Vasili deklaroi se me ndryshimet e reja, do të krijohet një raport i ri bashkëpunues midis institucioneve shtetërore dhe Inspektoriatit. “Synimi i ndryshimeve është futja në një ritëm të ri bashkëpunimi, ndryshe nga çka ndodhur më parë ku mungonte bashkëpunimi në parlament. Kjo lloj sjellje i ka shteruar argumentet politike, ndonëse ato shfaqen si reminishenca. Bëhet fjalë për heqjen e një kompetence që nuk është përshkruar në Kushtetutë, por është interpretuar këtu si një kompetencë kushtetuese. Pas 10 vitesh që është parashikuar kjo kompetencë për Presidentin, është menduar parashikimi efektiv, dhe çdo ngjyrim politik nuk e bën efektiv këtë institucion të rëndësishëm. Disa masa të tjera që janë propozuar nga propozuesi kanë qenë elementë që kanë munguar në ligj. Kemi një projektligj më të përmirësuar në thelbin dhe filozofinë e tij. Mënyra se si ato janë propozuar dhe pa arsye politike, them se janë të pakritikueshme”, tha Vasili.


Pas diskutimit në parim, Kuvendi miratoi me 76 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9367, datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar” ” dhe me 75 vota pro dhe 15 kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049,datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive,të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar” ”.


Seanca plenare vijoi punimet me shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1/2014 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.


Ndryshimet e propozuara synojnë të zhbllokojnë punën e komisionit parlamentar , synimi i të cilit është të realizojë një proces tejet të domosdoshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare: një ndarje të re administrativo-territoriale, mbështetur në standardet më të mira bashkëkohore dhe evropiane dhe të adaptuar në realitetin shqiptar, si dhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i Stabilizim-Asociimit. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve parashikohet krijimi i një raporti të ri përfaqësimi mes mazhorancës dhe opozitës, me 9 anëtarë nga mazhoranca (7 Partia Socialiste dhe 2 Lëvizja Socialiste për Integrim) dhe 8 anëtarë nga opozita (6 Partia Demokratike, 1 Partia Republikane dhe 1 Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet).

Gjithsesi, në relacionin që shoqëron projektvendimin theksohet se mazhoranca garanton që ky raport do të ndryshohet në momentin e parë që opozita shprehet e gatshme dhe kërkon barazinë e përfaqësimit pozitë-opozitë në këtë komision, duke siguruar respektimin e barazisë si në përbërje ashtu edhe në vendimmarrje.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta i bëri thirrje opozitës që të zërë vendet e saj në Komisioni për Reformën Territoriale. Z.Ilir Meta garantoi opozitën se nuk ka asnjë prapavijë për përfitime elektorale për kryerjen e reformës.

“Fakti që mazhoranca aktuale ofroi një superkonsensus për sa i takon realizimit të kësaj reforme, kishte të bënte, dhe jam i bindur, me vullnetin dhe me bindjen e saj, se ka qenë një reformë, që i ka munguar Shqipërisë për një kohë mjaft të gjatë. Me sa duket opozita jonë nuk ishte në gjendje ta përballonte këtë sfidë dhe këtë peshë shumë të madhe të konsensusit, të cilën e garantonte vetë vendimi, që ishte në fuqi dhe që është ende, derisa të votohet propozimi për ta ndryshuar atë vendim, i cili bëhet vetëm për shkak të skadimit të afatit kohor të mandatit të këtij komisioni që nuk ka funksionuar për shkak të bojkotit nga ana e opozitës.Kemi dëgjuar që e gjithë kjo ka një prapavijë elektorale. Kjo është tërësisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë prapavijë elektorale dhe nuk ka asnjë synim të prekë elemente të Kodit Zgjedhor pa konsensusin e opozitës, sepse ky ka qenë një rregull tashmë i vendosur në jetën politike të vendit”, tha z.Meta.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit u shpreh se pavarësisht ngritjes së komisionit, edhe opozita ka të drejtën që të paraqesë variantin e saj. “Jam i sigurt se opozita, pavarësisht se sot i mungon besimi dhe është e drejta e saj të mos ketë besim, besoj se, hap pas hapi, do të jetë më e interesuar të marrë pjesë; do të çlirohet nga paragjykimet nga vetë puna që do të bëjë ky komision dhe askush nuk e pengon opozitën që në çdo moment të bashkohet me këtë reformë. Është bërë e qartë që në rast se ajo bashkohet, komisioni do të funksionojë ashtu siç duhet të kishte funksionuar deri tani, por në çdo rast opozita ka të drejtë të paraqesë një variant alternativë. Në rast se ai variant alternativ do të jetë më i mirë se varianti apo variantet që do të paraqesë komisioni, nuk ka asnjë arsye pse të mos miratohet me konsensus edhe ai variant në Kuvend”, theksoi z.Ilir Meta.


Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z.Ardian Turku i bëri thirrje mazhorancës që të mos votojë projektvendimin për reformën territoriale deri në arritjen e një klime për konsensus. “Po riformatoni komisionin që tashmë bëhet efektiv edhe pa opozitën. Sipas jush opozita donte të bllokonte etj, etj. Alternativa e parë është ajo e arritjes së një konsensusi të gjerë që do t’i shërbente të gjitha reformave, jo vetëm reformës administrative dhe territoriale. Alternativa e dytë është ajo e zikzakeve. Ajo që po hidhni ju, shkallmohet konsensusi. Kjo reformë nuk mund të jetë reforma që mund të zgjidhë problemet vendore, nuk mund të realizohet pa konsensus, ndryshe është e cunguar. Duhen ndërhyrë në ligje të tjera e pse jo, edhe në Kushtetutë që kjo reformë të ketë sukses. Ju si mazhorancë nuk jeni të besueshëm për ne. Nuk mund të ndërtojmë konsensusin me ju. Do t’ju bëj thirrje që të mos e vazhdoni këtë iniciativë tuajën deri në arritjen e një klime për konsensus. Në të kundërt po tregoni se qeverisja e qëndrueshme nuk është prioritet i juaji”, tha z.Turku.


Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z.Bashkim Fino ftoi edhe njëherë opozitën që t’i bashkëngjitet kësaj reforme, që sipas tij do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Sot me keqardhje deklaroj se ky komision nuk arriti as të mblidhej për shkak të mungesës së anëtarëve të opozitës. Ne pritëm që opozita të tregohet e arsyeshme dhe të kontribuojë në reformat madhore të vendit, kërkesë kjo direkte e Bashkimit Europian, por fatkeqësisht bllokimi politik dhe qëndrimi refraktar i opozitës nuk mund të bëhet më pengesë, për ecurinë e komisionit. Ne njohim dhe respektojmë rëndësinë e konsensusit dhe i kemi dhënë të gjitha garancitë opozitës përfshirë të drejtën e vetos, por vendimet e këtij komisioni, dhe për këtë ftojmë opozitën që të lërë mënjanë çështjet që nuk kanë lidhje me reformën territoriale dhe të bëhet pjesë e tij edhe tani që ne zhbllokuam vendimmarrjen. Pra, nëse opozita vendos të vijë në komision, atëherë ajo i ka të gjitha instrumentet që kishim parashikuar. I vetmi ndryshim lidhet me zgjatjen e afatit dhe pjesën e zhbllokimit të punimeve.
Edhe njëherë i bashkohem apelit të përsëritur të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe të Komunitetit Ndërkombëtar që opozita të japë kontributin e saj për këtë reformë kaq të rëndësishme”, theksoi z.Bashkim Fino.


Projektvendimi “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1/2014 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, mori 74 vota pro dhe 14 vota kundër. Anëtarja e 9 do të jetë deputetja e Partisë Socialiste, znj. Blerina Gjylameti.


Kuvendi mori sot në shqyrtim edhe projektvendimin “Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale - transportin e lëndëve narkotike”.


Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni u paraqit në Kuvend nga një grup deputetësh të grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së. “Nisur nga akuzat e ngritura ditët e fundit nga Partia Demokratike në lidhje me implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake të saj në transportin e lëndëve narkotike, akuza të cilat nuk mbështeten në fakte dhe prova konkrete, por cenojnë në mënyrë të hapët punën e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe të Forcave të Armatosura në përmbushje të angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, si dhe dëmtojnë rëndë imazhin dhe perceptimin publik në lidhje me Forcat e Armatosura si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare nëpërmjet paraqitjes së kësaj kërkesë, kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor me objekt të punës së tij: “Hetimin mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe të bazave ushtarake të saj në veprimtari kriminale-transportin e lëndëve narkotike,” thuhet në kërkesën e depozituar nga 37 deputetë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Ndërkaq, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte depozituar në Kuvend disa amendamente lidhur me këtë kërkesë. Në amendamentet e paraqitura deputetët demokratë kërkonin të ndryshohej emërtimi i objektit të komisionit hetimor. “Nga analiza e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe projektvendimit shoqërues, konstatojmë se objekti i propozuar i veprimtarisë së komisionit del jashtë funksionit të kontrollit parlamentar, duke shmangur thelbin e shqetësimit publik dhe duke synuar pengimin e transparencës dhe llogaridhënies së ekzekutivit mbi këtë çështje,” thuhet në kërkesën e paraqitur nga grupi i PD-së. Kështu, ndër të tjera, deputetët demokratë propozuan: “Ngritjen e Komisionit Hetimor me kërkesë të një grupi deputetësh për verifikimin e fakteve dhe rrethanave të bëra publike për fenomenin e rritjes së trafikut të drogës, përfshirë përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së Forcave të Armatosura nga narkotrafikantët”.

Deputeti z.Sali Berisha u shpreh se akuzat e opozitës nuk janë ndaj Forcave të Armatosura, por ndaj qeverisë. “Ju të nderuar zotërinj jeni një me krimin. Kam deklaruar se nga shtatori ka 52 të vrarë. 34 ka thënë kryeministri. Këto muaj në të katër anët Shqipëria noton në drogë. Historiku i aeroplanit është shumë i thjeshtë. Në fshatin Karavasta ulet avioni në mes të rrugës. 20 shkurt 2014 ora 10:19 dërgohet informacioni. Nuk akuzojmë Forcat e Armatosura akuzojmë qeverinë që bëjnë drogën. Ndaj FA nuk kemi asnjë akuzë. Nuk është ushtria por qeveria. Burime zyrtare thonë se me 40 mijë euro drejtoria e policisë së Vlorës nis ngarkesat për në Itali. Shkoni në Vlorë, kaloni dy ditë në Vlorë t’i mësoni të gjitha këto. Zonja ministra merrni informacionin nga SHISH”, tha z.Berisha. “Një grup policësh çojnë trafikantë në Lazarat që blejnë drogën të skaduar shumicën sepse është e vjetruar dhe pasi marrin paratë i çojnë përqindjen grupit të oficerëve dhe oficerët u çojnë përqindjen shefave. Këto janë të vërtetat. Ky komision është shumë i rëndësishëm. Të krijojmë komisionin, të zgjerojmë objektin dhe ta shtrijmë në të gjitha drejtimet. Objekti është një akuzë primitive ndaj nesh”, vijoi më tej Berisha.


Kryetari i grupit parlamentar z. Gramoz Ruçi hodhi poshtë akuzat e bëra nga mazhoranca. “Iu drejtove grupit parlamentar dhe the, ju jeni një me krimin. Unë nuk e ngre gishtin as për njërin nga ju. Nuk mund të lejoj, sepse as unë nuk e kam bërë dje kur ti si rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të tua vrave 26 vetë apo vrave 4 vetë në 21 janar. Ndaj të paktën të tregoheni të matur, të paktën brezi jonë. Thonë se policia e Vlorës nis gomone me 40 mijë euro. Nuk është e njëjta gjë si the para një jave, që thonë se baza ushtarake dhe ushtarakë me avionë transportojnë avionë. Nuk mund të flitet kështu. Prandaj zotërinj të dashur, të mos ngatërrojmë gjuhën që përdoret në parlament me gjuhën dhe zhargonin që përdoren në mejhane. Nuk është Shqipëria as kultivuese dhe as konsumatore. Nëse është në një fshat të caktuar apo lagje të caktuar, janë ata, por jo një Shqipëri”, tha z. Ruçi.


Projektvendimi “Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale - transportin e lëndëve narkotike” mori 73 vota pro.

Nga mazhoranca pjesë e komisionit do të jenë: znj.Ermonela Felaj, znj. Silva Caka, z.Arben Cuko, z.Piro Lutaj, dhe z.Xhemal Qefalia. Nga opozita janë: z. Gent Strazimiri, znj.Voltana Ademi, z.Alban Zeneli dhe z.Oerd Bylykbashi. Kreu i grupit parlamentar z.Edi Paloka, deklaroi para votimit, se opozita nuk e voton këtë komision, por do të jetë pjesë e saj.


Kuvendi miratoi me 90 vota pro, shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi gjatë procesit të lëvizjeve të burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit” deri në 13.05.2014.

KOMENTE