English

Hapësira të reja për librin dhe për artin

Kryeministri Rama, ishte sot për të dytën ditë radhazi në dhënien e çmimeve të Festivalit të Librit dhe të Artit, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili prej 4 ditësh promovon në mjediset e Muzeut Kombëtar, krijimtarinë në dy fusha të rëndësishme të kulturës: arteve pamore dhe botimeve shqiptare. Ky aktivitet organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi, me pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë.

Teksa mori fjalën për të përshëndetur pjesëmarrësit, kryeministri u shpreh se me praninë e tij dëshironte të dëshmonte vlerësimin dhe interesimin e posaçëm që qeveria, përmes ministrisë së kulturës, i jep këtij aktiviteti, si shprehje e një përpjekje për të krijuar hapësira të reja për librin dhe për artin. Kryeministri tha se qëllimi i përbashkët është të stimulohen dhe të mbështeten sa më shumë nisma të njerëzve të lirë, të artistëve, të shkrimtarëve, të prodhuesve dhe punëtorëve të kulturës, sa herë që ata do të dëshirojnë të bëhen bashkë për të çelur dritare të reja.

Dje, kryeministri ishte i pranishëm në dhënien e çmimit "Ardian Klosi", librit publicistik “Sende që nxjerr deti”, të autorit Ardian Vehbiu.

Ndërsa sot ai i dorëzoi çmimin "Danish Jukniu" për punën më të mirë në artet pamore, artistit Armand Lulaj. Në dhënie të këtij çmimi, Kryeministri Rama u shpreh: “Është vërtetë një kënaqësi dhe emocion për mua që dorëzoj këtë çmim që mban emrin e një njeriu shumë të dashur, edhe për mua personalisht, dhe të një profesori të dashur për të gjithë Danish Jukniut.

Edhe në këtë rast dua ti përgëzoj organizatorët për këtë gjetje sepse përtej të gjithave, Danish Jukniu ishte pika e referimit për të gjithë talentet e reja dhe si askush tjetër mishëronte dashamirësinë ndaj të rinjve dhe në mënyrë të posaçme ndaj atyre problematikëve në atë kohë. Për këtë mund të dëshmojnë shumë njerëz, që nga më problematiku i të gjitha kohërave Edi Hila e me radhë plot të tjerë, të cilët tek profesor Danishi gjetën gjithmonë një derë të hapur për tu rrëfyer për gjëra që nuk thuheshin dot me zë të lartë dhe gjithmonë një dorë të ngrohtë për tu ndjerë me shpatullat të mbështetura diku dhe për të mos u ndjerë vetëm. Besoj që Armandi e ka merituar këtë çmim dhe marrja e këtij çmimi shpresoj të jetë një ogur i mirë për veprimtarinë e tij artistike."

KOMENTE