English

Nishani, mesazh urimi me rastin e Ditës së Evropës

9 maj 2014

Me rastin e Ditës së Evropës, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, në të cilin shkruhet:

“I nderuar Zoti President,

Me rastin e Ditës së Evropës, 9 Majit, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta, juve dhe gjithë qytetarëve evropianë!

Simbolika e kësaj dite na bën të gjithëve të risjellim në kujtesë bashkëpunimin dhe paqen, si vlera të ndërtuara gjatë viteve, e tashmë të konsoliduara në Bashkimin Evropian, duke u bërë shembull frymëzues e inkurajues për vendet e Ballkanit Perëndimor, në përmbushjen e aspiratës së tyre të përbashkët integruese, për të lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe ndërtuar të ardhmen evropiane.

Dëshiroj, me këtë rast, të nënvizoj se ne çmojmë lart mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të duhura për integrimin e saj në familjen evropiane, si edhe të shpreh besimin në vijueshmërinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje me synim përshpejtimin e këtij procesi eurointegrues.

Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Sinqerisht,

Bujar Nishani”

KOMENTE