Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: Nuk do ta tradhtojmë kurrë Policinë e Shtetit
English

Rama: Nuk do ta tradhtojmë kurrë Policinë e Shtetit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtues të Policisë së Shtetit:

Jam sot këtu, në radhë të parë për t’ju shprehur gjithë mbështetjen time, ju drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe përmes jush, gjithë trupave të angazhuara në frontin shumë të vështirë të luftës me krimin, me korrupsionin, me shkeljet e ligjit dhe të rregullave, të mbetura në letër për vite e vite me radhë.

Dua t’ju shpreh po ashtu, pa rezervë, në këto orë të vështira për të gjithë ata që në radhët e Policisë së Shtetit besojnë tek uniforma, besojnë tek shtysa që qysh në rini i ka çuar drejt uniformës, besojnë tek misioni i tyre, një mirënjohje në emër të gjithë qeverisë shqiptare, për punën e madhe që keni bërë deri sot dhe për rezultatet e prekshme që keni arritur, në një përpjekje aspak të lehtë, ju e dini më mirë se të gjithë, për ta kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, pas një kohe të gjatë rrënimi.

Shifrat flasin vetë, por sot, duke e ndjekur nga afër dhe nga brenda, kantierin e reformës së madhe, rrënjësore, të Policisë së Shtetit, më shumë se shifrat mua më entuziazmon dhe më jep besim të palëkundur tek suksesi që do arrijmë sëbashku, projekti i ri i të ardhmes. I të ardhmes së afërt, të kësaj trupe kaq jetike për fatet e vendit dhe për cilësinë e bashkëjetesës qytetare në këtë vend.

Ju inkurajoj. Ju kërkoj me ngulm që të ecim shpejt me gjithë pjesën ligjore të reformës dhe të mos humbasim asnjë ditë, me vënien në jetë të gjithë planeve të reja të sigurisë dhe inovacionit në Policinë e Shtetit.

Të tregosh sot me gisht Policinë e Shtetit për çdo vijë të bardhë që është shuar nga pluhuri i qyteteve apo për çdo mangësi operacionale është gjëja më e lehtë, por mjafton të mendosh një sekondë, për të krahasuar burimet e sotme financiare të krimit me burimet financiare të Policisë së Shtetit, për të kuptuar se çfarë respekti të jashtëzakonshëm meriton kjo trupë për gjithçka ka bërë në gjithë këto muaj.

Një krim që shfaqet në tokë, shfaqet në det, madje në ajër, me mjete të shpejta dhe me para të madhe në dispozicion dhe një polici që sapo ka nisur të furnizojë normalisht me karburant flotën e mjeteve të saj, për të ardhur keq. Një krim i globalizuar, rajonal, shumëkombësh që funksionon me shpejtësi dhe eficencë jashtëzakonisht të lartë dhe një polici, deri para pak muajsh e braktisur nga partnerët, që sapo ka rivënë lidhjet e humbura ndërkombëtare, për një shkak që shumëkush nga ju këtu e di fort mirë, lidhje që u këputën nga partnerët sepse operacionet dekonspiroheshin nga brenda kupolës së Policisë së Shtetit. Pra, një krim kompakt dhe me lidhje deri dje vendimtare për fatet e operacioneve, mu në zemër të kupolës dhe një polici që sapo ka filluar të kompaktësohet së brendshmi dhe ende nuk ka lidhjet që i duhen brenda botës së krimit, për të bërë punës e vet vëzhguese dhe hetimore.

E pra, të gjithë e kujtojmë, nuk është as 10 vjet më parë, nuk është as 5 vjet më parë, nuk është as 1 vit më parë, por është më pak se 9 muaj më parë, sesi ishte e strukturuar Policia e Shtetit. Një pjesë e madhe zyrtarësh të mbyllur si në një kotec gjigand tek Drejtoria e Përgjithshme dhe pjesa tjetër e dobësuar, e rraskapitur, e tradhtuar në terren. Në zyra, nga një anë, lidhjet me krimin nga ana tjetër, lidhjet me punësimin për asnjë meritë dhe për asnjë rrugë karriere. Nga ana tjetër, komisarë që vriteshin njëri pas tjetrit, të lënë rrugëve si jetimë përballë krimit.

Të gjithë e kujtojmë se nuk ishte në kohë të largëta, por ishte në kohën tonë të përbashkët, rruga që u bë e zakonshme, për të përcjellë homazh pas homazhi, duke shtrënguar duar nënash, grash e fëmijësh jetimë, të rënët, në një territor të braktisur plotësisht nga shteti, ku ata që me uniformën e policisë përballeshin me krimin, këputeshin përballë plumbave të krimit.

Të gjithë e kuptojmë se çfarë përballje titanike është sot në këto kushte, përballja mes parasë së krimit dhe moralit të shtetit. Të shtetit, që ende nuk e keni ngritur ashtu siç duhet sepse për të bërë këtë duhet kohë objektivisht më e gjatë se 9 muaj dhe që e vetmja gjë që ka për të dhënë sot, për trupat e policisë, është lutja që të qëndrojnë. Që të qëndrojnë përballë tundimeve marramendëse të parasë së krimit, përballë tundimeve marramendëse të botës së krimit, përballë tundimeve marramendëse të një mjedisi të kriminalizuar, ku ka parë rrushi-rrushin dhe është pjekur e fryrë nga paraja e derdhur lumë për të kompromentuar krejt shtetin, përmes Policisë së Shtetit.

Nuk kanë qenë as 10 vjet, as 5 vjet përpara, por shumë pak kohë më parë, kur drejtuesit e lartë të policisë rrinin gatitu, përpara të kërkuarve ndërkombëtarisht që bënin ligjin nëpër lokale dhe i nxirrnin jashtë nga lokalet, sikur të ishin qen rrugësh dhe jo drejtues e një policie shteti, në mes të Europës. Ju e dini mirë se nga iu buronte këtyre kriminelëve, që sot po kapen një nga një e po dorëzohen përpara drejtësisë së vendeve të tjera, gjithë kjo forcë dhe gjithë ky imunitet. Nga renta që paguan për lirinë e tyre të paligjshme, lart fare, në kupolën e Policisë së Shtetit.

E pra, ne jemi të vetëdijshëm për këtë, cdo ditë e më shumë të vetëdijshëm për këtë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se çdo të thotë t’i kërkosh sot, një drejtuesi policie, një komisari, një nënkomisari, një punonjësi të thjeshtë policie t’i qëndrojë përballë gjithë hordhisë kriminale, që me vite të tëra u mësua gabimisht të ndjehej zot në këtë vend, ku zot, në fakt, duhet të ndjehen vetëm njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Sigurisht, që ne nuk kemi dorë, asnjë qeveri askund në botë nuk ka në dorë që të shpërblejë një polic, të shpërblejë një komisar, të shpërblejë një drejtues të lartë policie, ashtu siç mund ta shpërblejë krimi, për një paudhësi. Por, ama, ne kemi në dorë që të bëjmë gjithçka mundemi, që dinjitetin e uniformës ta shohim të lidhur me domosdoshmërinë për ta motivuar këdo që është nën këtë uniformë, siç kemi filluar të bëjmë, në kushtet e një krize ekonomike të trashëguar, kur dyfishuam rrogat për gjithë trupën e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që, për askënd tjetër nuk mund të bënim një gjë të tillë. Ishte një nga pikat më të nxehta të diskutimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe një nga pikat që e mbajti hapur negociatën, sepse ne, deri në fund, këmbëngulëm që nuk mund të bënim një buxhet të ri, buxhetin e viti të parë të përpjekjes për të rimëkëmbur shoqërinë dhe rilindur vendin tonë, pa i dhënë në radhë të parë, një mesazh të qartë atyre që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit dhe që në fund të fundit, i shërbejnë të gjithëve. Ulëm taksat për të gjithë. Jemi më të vëmendshëm se kurrë për çdo familje të policëve të rënë në krye të detyrës. Kemi një program të ri për sigurimet. Do të bëjmë realitet deri në fund dhe për të gjithë, sigurimin e plotë të jetës, në mënyrë që kur, larg qoftë!, në këtë betejë që për shoqërinë është betejë, kurse për çdonjërin nga ju është luftë, dikush jep edhe jetën, jetët që lë pas në familje të mos mbeten pa asnjë dritë shprese, siç ka ndodhur deri vonë.

Por, nga ana tjetër, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit, le të jemi deri në fund të vërtetë me njëri-tjetrin;

Detyra e përditshme e Policisë së Shtetit është dyfish e rëndë. Duhet të luftojë krimin, duhet të luftojë edhe vetveten. Atë pjesë të vetvetes që vazhdon të jetë e lidhur me krimin. Ne nuk kemi asnjë iluzion se në më pak se 9 muaj, ndarja është bërë e plotë, edhe pse janë këputur fijet kryesore. Ne nuk kemi asnjë iluzion se lufta kundër korrupsionit brenda policisë është një domosdoshmëri dhe se ndarja me thikë mes parasë së krimit, tundimeve të krimit, botës së krimit dhe botës së moralit, të dinjitetit dhe të parasë së fituar duke ruajtur moralin e dinjitetin e Policisë së Shtetit është ende larg së qeni realitet.

Për këtë arsye, ne duhet domosdoshmërish të konsiderojmë në respekt të gjithë drejtuesit, të gjithë trupat e policisë, të çdo polici të thjeshtë, që për një rrogë të dyfishuar, por, sigurisht, jo mjaftueshmërisht të plotë për ta konsideruar shpërblimin financiar të policisë si mision të mbyllur, të trajtojmë çështjen e implikimit të punonjësit të policisë në lidhje me krimin si një problem që nuk mund të konsiderohet veçse një krim i rëndë dhe të konsiderojmë domosdoshmërish përfshirjen në ligj, të ndëshkimit më ekstrem për këdo që njollos gjithë familjen e Policisë së Shtetit, që njollos uniformën e përgjakur në gjithë këto vite nga plumbat e krimit dhe kujtimin e të gjithë atyre që u vranë ballë për ballë me krimin, që njollos përpjekjen e çdo drejtuesi dhe çdo komisariati, ditën dhe natën, duke punuar pas shpinës së kësaj familjeje, duke punuar pas shpinës së kësaj shoqërie, duke punuar pas shpinës së gjeneratës tjetër, në bashkëpunim me botën e krimit. Në këtë mënyrë, nga njëra anë do t’i japim policit, autoritetin e humbur për shumë vite si figurë qendrore, bashkë me mësuesin dhe bashkë me mjekun, në një shoqëri normale dhe nga ana tjetër do t’i japim shoqërisë mesazhin e qartë se policia është një trupë shërbëtorësh të atdheut dhe të publikut dhe në polici nuk ka vend për njerëz me lidhje të dyfishta, me zyrën e borderonë e Policisë së Shtetit dhe me skutat dhe paratë e xhepave të krimit.

Jam shumë i vetëdijshëm se çfarë po them dhe jam i bindur që vetëm duke e parë këtë të vërtetë kështu siç është, në sy, ne do të mund të bëjmë një transformim historik për Policinë e Shtetit dhe për shoqërinë tonë përmes Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, të gjithë jemi të vetëdijshëm se Policia e Shtetit nuk është vetëm ajo që njerëzit janë mësuar ta shohin nën uniformë dhe suksesi i Policisë së Shtetit nuk varet vetëm nga përkushtimi, profesionalizmi dhe përpjekja e sakrificat e përditshme të njerëzve nën uniformë, por edhe nga një pjesë tjetër. Pjesa që duhet të sigurojë gjithë veprimtarinë antikrim, të gjithë veprimtarinë hetimore të Policisë së Shtetit. Prandaj pres me padurim që legjislacioni i ri, i punuar nga ekspertët më të mirë Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë jashtëzakonisht entuziastë për produktin e arritur, të kalojë në parlament dhe më në fund. Shërbimet inteligjente të Policisë së Shtetit të transformohen nga një konglomerat dhe tërësi mekanizmash të çakorduar, që më shumë kanë bërë dëm sesa kanë bërë mirë, në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Në Byronë Kombëtare të Hetimit, që pa as më të voglin dyshim do ta ngrejë në një cilësi të re, gjithë punën hetimore të Policisë së Shtetit. Pa asnjë lloj dyshimi do ta ngrejë në një cilësi të re edhe marrëdhënien me Prokurorinë e Republikës. Pa asnjë dyshim do ta bëjë Policinë e Shtetit shumë më të fortë në përballje me gjykatat, që janë një histori krejt më vete, por që sidoqoftë kanë sot alibitë e tyre, siç kanë sot alibitë e tyre edhe ata që e përdorin politikën si instrument për të bërë politikë me krimin, duke treguar me gisht personazhe të inkriminuar, të fantazuar apo realë dhe duke i përdorur për të njollosur gjithë Policinë e Shtetit.

Le të jemi deri në fund të vërtetë me publikun. Entuziazmi ynë dhe optimizmi përballë shifrave, i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe i imi personalisht, nuk burojnë nga shifrat në vetvete, burojnë nga fakti se po realizojmë përmirësime të qenësishme në një polici që është, për fatin e keq të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, në tërësinë e vetë, policia me nivelin më të ulët arsimor në Evropë dhe policia me moshën më të lartë në Europë.

Mund t’ju them me keqardhje, por nuk më keqkupton askush ndër ju, sepse jeni të gjithë në kontakt me partnerët dhe nuk është e re për ju, që në dy raste që kam qëlluar me Ministrin e Brendshëm me dy përfaqësi shtetesh mike e partnere dhe kemi përmendur nivelin arsimor me moshën e Policisë së Shtetit, nuk na kanë besuar. Në të dy rastet kanë ripyetur, duke menduar se shifrat kanë qenë lapsus.

E për më tepër, e treta, kemi policinë me numrin më të vogël të trupave në të gjithë Evropën, në gjithë rajonin, gjë që do ta kompensojmë vit pas viti, ashtu siç kemi rënë dakord dhe siç e parashikon plani juaj.

Ndaj dua të rivij aty ku e nisa në fillim, përtej shifrave është kantieri i kësaj reforme rrënjësore dhe tërësore që më jep shumë besim se jo thjeshtë Policia e Shtetit do të vazhdojë kështu siç është sot në krye të detyrës, por Policia e Shtetit do të transformohet dhe do të transformojë. Të transformohet si një trupë që do të jetë trupa ku çdokush do të jetë krenar të jetë pjesë, dhe çdokush do të ketë atë dinjitet që nuk paguhet me para, dhe do të jetë trupa që do të transformojë njëherë e përgjithmonë raportin e tmerrshëm mes shtetit dhe paligjshmërisë në tërësi, jo thjesht krimit. Se ju e dini shumë mirë që ka më shumë krim aty ku ka më shumë shkelje të vijave të bardha; ka më shumë krim aty ku ka më pak semaforë dhe respekt për semaforin; ka më shumë krim aty ku ka më shumë kaos në qarkullim. Ne jemi, absolutisht, të kënaqur për gjithë procesin e rekrutimeve të reja, për gjithëpërfshirjen e burimeve të reja njerëzore dhe për të gjithë punën shumë të vështirë në kushtet e sotme, që po bën gjithë grupi i angazhuar me rekrutime e reja në Akademinë e Policisë.

Duhet të ecim shpejt me inovacionin. Duhet t’i japim fund pamjes sfilitëse të Shqipërisë që në çdo udhëkryq ka një polic dhe në çdo udhëkryq duhet të shohim atë tabelën rrumbullake që lëviz nga të katër anët dhe polici që çoroditet nën shi e nën diell.

Inovacion, inovacion, inovacion!

Bota nuk i ka policët në udhëkryq, por bota sheh shumë më tepër dhe kontrollon shumë më tepër sesa gjithë trupa e policëve në udhëkryq, sepse sheh me sytë e teknologjisë, me sytë e kamerave të shumëpremtuara, të shumëdëgjuara, të shumëherë tenderuara dhe përfundimisht qorre në majë të shtyllave. Inovacion për të vendosur supremacinë mbi krimin dhe supremacinë mbi anarkinë. Të jeni të sigurt që projekti i saponisur do të sjellë rezultate të shpejta, por nuk mund të presim. Duhet e do të vëmë të gjithë resurset financiare të nevojshme që ky proces i mbulimit me sytë e teknologjisë të të gjithë qyteteve dhe akseve kryesore, dhe ky proces i ndërtimit të një marrëdhënieje të re mes policit, qytetarit dhe trupës në terren dhe zyrave operative të kryhet një orë e më parë.

Qytetari dhe komuniteti; Është shumë e lehtë ta presësh çdo gjë nga polici, ta kërkosh çdo gjë nga komisariati dhe për çdo gjë që nuk shkon të tregosh me gisht Policinë e Shtetit. Ndërkohë Shqipëria nuk është më sot ajo që ishte dhe shqiptarët janë njerëz që kanë parë botë me sy. Nuk janë policët që e ruajnë çdo cep, edhe aty ku s’ka kamera, Parisin, Londrën apo Nju Jorkun, por janë qytetarët që në sekondë lajmërojnë policinë për çdo gjë që nuk shkon para syve të tyre. Për këtë na duhet që me patjetër të garantojmë që kultura e re e bashkëpunimit, në funksion të bashkëjetesës sa më paqësore dhe sa më të sigurt të ndërtohet në shkolla. Të ndërtohet në një proces të tërë ku thuhet, nga eksperienca e të tjerëve edhe në botën e zhvilluar, se janë fëmijët që mësojnë prindërit dhe jo anasjelltas, kur vjen puna tek rregullat e një shoqërie të mësuar pa rregulla.

Unë jam shumë krenar që ne jemi qeveria e parë e gjobitur nga policia. Mendoj që do të ishte një nga arsyet që do të më jepte gjithmonë kënaqësi nëse do të shënoheshim në historinë e policisë si Qeveria e parë që u gjobit nga policia. Mendoj që çdo ministër që ka marrë gjobë duhet të ndjehet vërtetë shumë i kënaqur që ishte ministër, në kohën kur policia kapërceu murin e frikës dhe poshtërimit, dhe filloi të vendoste gjoba për ministra, për deputetë, për zyrtarë të lartë dhe për këdoqoftë. Është një moment që është i vogël në dukje, por është shumë i rëndësishëm në thelb. Sepse ju e dini mirë sa herë ju ka rënë telefoni me ulërima për të larguar policët nga fuoristrada “x” apo mercedezi “y”, nëse nuk do të donit të largoheshit vetë fare nga policia, apo jo. E, sa herë jeni detyruar t’i merrni policët e shkretë dhe t’i thoni ik që andej. E ç’mund të presësh pastaj nga raporti i qytetarit me ligjin, kur ligjvënësit janë shkelësit më flagrantë të rregullave të parkimit ndërkohë që qytetarët merrnin gjoba për parkim gabim, kur nuk ishin parkuar, por duke ecur.

Standardet teknike na mungojnë. Rrugë, rrugë, rrugë, por aksidentet, sigurisht, nuk i ndalon me frymën e shenjtë askush. Është shumë më e vështirë t’i bësh gjërat që kërkohen prej teje kur të japin votën, sesa të marrësh votën. Sepse duhet më shumë kohë. Vota jepet për 5 minuta dhe merret për 1 ditë, pasi i numëron të gjitha, por duhet kohë, duhet durim, duhen vite për të bërë gjërat që imponon ajo votë. Do t’i bëjmë të gjitha. Do t’i bëjmë një për një, siç kemi filluar t’i bëjmë. Shumëçka do të fillojë të duket më shumë, sepse na është dashur që gjithçka ta fillojmë duke u përpjekur të pastrojmë në radhë të parë një shtëpi që e kemi gjetur rrëmujë, rrëmujë me borxhe, rrëmujë ku nuk merrej vesh se ku ishte diçka e ku ishte diçka tjetër, rrëmujë ku nuk e merrte vesh i pari të dytin dhe ku i pari, - e dini mirë këtë punë, sidomos ju, - i pari i Ministrisë së Brendshme ishte njëri, por i pari i të parit ishte një tjetër, që e dinit ju, por që nuk e dinte populli. Apo jo?

Dua ta mbyll duke qëndruar pak te politika, por jo për të bërë këtu një fjalim kundër një pale, por te politika si e tërë.

E kam shumë të qartë se çfarë do të thotë të punosh në një strukturë si kjo e juaja dhe të dëgjosh përditë gjithë këto që thuhen. Por do t’ju lutesha që të mos i dëgjonit. Mos i dëgjoni, në kuptimin më të mirë të fjalës. Të besoni tek gjëja që bëni dhe të besoni se kohët në Shqipëri po ndryshojnë, pavarësisht edhe nga ne. Përditë e më shumë është koha e meritës, sepse përditë e më shumë krimi sofistikohet. Përditë e më shumë, cilado qeveri do të ketë nevojë për njerëzit e zotë, do të ketë nevojë për ta, do të ketë nevojë për njerëzit që në kuptimin më të mirë të fjalës, i bëjnë hyzmetin punës së tyre.

Ministri e tha dhe kjo është e vërtetë, që Ministri e di ç’heq, jo si ministër, por si përfaqësues i një partie që Policinë e Shtetit nuk e kemi në asnjë sekondë si vendin ku duhet të punësojmë symbyllur njerëz. Por e kemi parë në çdo minutë si vendin ku jo t’i gjejmë punës njeriun, por t’i gjejmë njeriut punën. Sepse ne besojmë që kjo është rruga e duhur për t’i shërbyer ashtu siç duhet të gjithë atyre që na votuan apo që nuk na votuan. Jini të bindur se rezultatet do t'u mbajnë në punë edhe nesër, edhe pasnesër, edhe kur të ikë kjo qeveri, edhe kur të ikë ajo qeveria tjetër që do të vijë pas kësaj e me radhë, gjithmonë e më shumë.

Jini të bindur se as unë dhe as ministri i Brendshëm nuk do të tradhtojmë kurrë misionin e Policisë së Shtetit; nuk do të tradhtojmë kurrë ata të cilët nuk jetojmë më dhe që lanë pas si amanet kujtimin e barbarisë që u bë mbi trupat e tyre nga plumbat e kriminelëve; nuk do të tradhtojmë kurrë familjet dhe jetimët e të vrarëve; ne nuk të tradhtojmë kurrë asnjë drejtues, asnjë polic të thjeshtë që do të bëjë detyrën, përballë kujtdo qoftë, përballë kujtdo politikani, përballë kujtdo ministri, përballë kujtdo deputeti, përballë kujtdo zyrtari, përballë kujtdo të forti, sepse për ne, ju jeni të panegociushëm me asgjë dhe me askënd, pasi për ne siguria e këtij vendi, që lidhet me dinjitetin e këtij vendi dhe në sytë e botës, por që lidhet dhe me siguritë e familjeve dhe të fëmijëve të këtij vendi është e panegocieshme.

Jeni ju garantët e parë të kësaj sigurie.

Të tradhtosh një drejtues policie që bën detyrën, të tradhtosh një polic të thjeshtë që bën detyrën, të kthesh mbrapsht nga një operacion apo nga një ndalim makine një njeri që nën uniformë bën detyrën, sepse ka ndaluar dikë që për njëmijë e një arsye ka një influencë të caktuar, do të thotë të ndalosh Shqipërinë të ketë të ardhme. Do të thotë të ndalosh që fëmijët e tu të jenë nesër të sigurt dhe që çdo polic, kudo që të jetë, të jetë garancia e çdo fëmije, e çdo prindi e çdo të moshuari. Kjo është mënyra sesi edhe ministri, ju siguroi, edhe unë e shohim marrëdhënien me ju dhe punën tuaj.

Sigurisht, e dimë që puna juaj mund të jetë shumë më e mirë, jo vetëm për arsyet tuaja, por edhe për arsye të institucioneve të tjera. Për këtë arsye nuk është vetëm ora që Policia e Shtetit të hyjë në një fazë të re, në fazën e dytë të luftës me drogën dhe me trafikun e drogës;

Është edhe ora që Prokuroria e Republikës të hyjë në një fazë të re, në fazën e dytë të një marrëdhënieje që është vendosur në mirëbesim e që është vendosur me vetëdijen së çdo institucion duhet të bëjë detyrën dhe se ne nuk jemi këtu për të drejtuar institucionet e pavarura, por nga ana tjetër edhe me bindjen se çdo institucion i pavarur është i pavarura nga çdo gjë, por jo nga kushtetuta dhe nga ligji;

Është ora që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë detyrën, sepse një popull i tërë po poshtërohet përditë nëpër gjykata dhe nga gjykatës që siç tregojnë dokumentet tuaja të bëra me dije edhe Presidentit të Republikës nga Ministri i Brendshëm, e kanë gjënë më të lehtë në botë që të lëshojnë rrugëve kriminelë, që ju mezi i kapni.

Nuk kemi asnjë alibi ne për të kërkuar, çka po korret sot, është mbjellë dje, çka do të korret nesër do të mbillet në vijim, së shpejti. Kudo ku do të mbillet për mirë do të jetë pa asnjë dyshim rruga jonë, kurse kudo që do të mbillet për keq, drogë, për t’i bërë dëm këtij vendi, aty do të ndahet rruga jonë nga ata që skllavërojnë shqiptarët nëpër plantacione dhe që përfitojnë nga një rrugë e gjatë poshtërimi e Policisë së Shtetit dhe me këdo brenda Policisë së Shtetit që do të kërkojë të përfitojë duke mbyllur sytë përpara këtyre plantacioneve.

Ju uroj me gjithë zemër punën më të mbarë dhe mbi të gjitha, më besoni që ju dëshiroj qetësinë më të madhe në familje.

E di mirë se çdo të thotë të kesh një detyrë të vështirë dhe t’i lësh familjes një barrë të madhe të ngarkesës për shkak të detyrës.

Realisht, Zoti i bekoftë familjet dhe fëmijët tuaj!

Faleminderit!

KOMENTE