English

Zbardhet urdhri i Shkëlqim Canit mbi proceduren e tatimit mbi të ardhurat

O. Manjani - Ndryshon procedura e tatimit mbi të ardhurat. Ministria e Financave ka shpërndarë një urdhër, i cili ka hyrë në fuqi dje, që shpjegon mënyrën e tatimit të të ardhurave personale si për individët, ashtu edhe për bizneset e vogla e të mëdha. Madje në udhëzim është përcaktuar edhe mënyra e taksimit të dividendëve. Udhëzimi do të shërbejë si për taksapaguesit, kryesisht për rastet e bizneseve të vogla dhe individët e punësuar dhe vetëpunësuar ashtu edhe për organet tatimore, të cilat, sipas modelit të një formulari tip, do të mbledhin të dhënat dhe do të llogarisin detyrimet.

Udhëzimi

Më firmën e ministrit të Financave Shkëlqim Cani në ligjin për “Për tatimin mbi të ardhurat” janë bërë disa ndryshime dhe shtesa. Kështu të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqërinë tregtare, bëhet fjalë për të ardhurat që përfitojnë individët, në formën e ndarjes së fitimit nga ortakëritë, apo të dividentit nga shoqëritë tregtare, në të ardhurat e tatueshme sipas kësaj pike nuk përfshihet fitimi neto (pas pagimit të tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël) i personave fizikë tregtarë, pavarësisht nëse këta të fundit janë subjekt i tatimit mbi fitimin apo tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël. Të ardhurat e personit fizik tregtar nga ushtrimi i aktivitetit tregtar tatohen vetëm sipas ligjit në fuqi për tatimin mbi fitimin, në rastin e subjekteve me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit dhe për sistemin e taksave vendore, për subjektet me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit. Personi fizik tregtar nuk ka personalitet juridik të ndryshëm nga individi, i regjistruar si tregtar, ndryshe nga rasti i shoqërive tregtare dhe ortakëve të saj individë dhe rrjedhimisht fitimi neto i personit fizik tregtar nuk konsiderohet si e ardhur personale e individit.

Tatimi i mbi pronën

Të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor, janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale. Në momentin e kryerjes së transaksionit të shitblerjes, në rastet kur shitësi dhe blerësi janë fermerë, të dyja palët duhet të paraqesin dhe të depozitojnë pranë noterit, vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë se janë fermerë, si dhe Kodin e Fermerit. Në rastin kur blerësi është person fizik a juridik, që kryen aktivitet bujqësor, duhet të paraqesë pranë noterit vërtetim nga drejtoria rajonale tatimore ku është i regjistruar se ushtron aktivitet bujqësor dhe kopje të statusit të regjistrimit në QKR se ushtron aktivitet bujqësor.

Tatimi i biznesit

Provizionet e krijuara gjatë vitit ushtrimor dhe të regjistruara në kontabilitet, të cilat janë pasqyruar si shpenzime të panjohura për efekt fiskal, kur rimerren, do të konsiderohen si të ardhura të patatueshme ose shpenzime të njohura për efekt fiskal. Tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, pa përfshirë këtu kategoritë “të vetëpunësuar të vetëm dhe të vetëpunësuar me pjesëtarë të papaguar të familjes”, në rolin e punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të mbajnë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi për punëmarrësit e tyre për çdo muaj. Dorëzimi i formularit të deklarimit dhe pagesës të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe pagesa e tatimit për llogari të organit tatimor do të bëhet në baza tremujore, brenda datës 20 të muajit që pason mbylljen e çdo tremujori. Të dhëna mujore do të hidhen në librin përmbledhës, ku janë pasqyruar të gjithë të punësuarit dhe ndalesat përkatëse sipas muajve. Në fund të fletës të muajit përkatës të regjistrit, regjistrohet edhe numri dhe data e urdhërxhirimit që pasqyron derdhjen në llogarinë e administratës tatimore të detyrimit përkatës

Burimet e të ardhurave

1. Të ardhurat nga marrëdhënia e punës në Republikën e Shqipërisë;

2. Të ardhurat nga veprimtari kulturore apo sportive, si dhe veprimtari të tjera, personale në Republikën e Shqipërisë;

3. Të ardhurat e zhvilluara nga një person jorezident, nëpërmjet një personi me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë;

4. Të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi sendet e paluajtshme, që i përfiton një person me seli të përhershme në Shqipëri;

5. Të ardhurat nga pronësia mbi pasuritë e paluajtshme, aksesorët dhe frytet e saj, si dhe të ardhurat nga të drejta të tjera, që rrjedhin nga pronësia mbi sendet e paluajtshme, në rast se këto të fundit ndodhen në Republikën e Shqipërisë;

6. Të ardhurat nga kalimi i pronësisë i sendeve të përcaktuara në pikën mësipërme

7. Të ardhurat nga dividentët e shpërndarë nga një person juridik, rezident;

8. Të ardhurat nga pjesët e fitimit, të paguara nga një ortakëri rezidente;

9. Të ardhurat e paguara nga organet e qeverisjes qendrore apo vendore ose nga një rezident shqiptar, ose që paguhet nga një jo rezident, nëpërmjet një personi që ka seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë;

10. Të ardhurat nga e drejta e autorit dhe pronësia intelektuale, qiraja dhe enfiteoza; si dhe të ardhurat nga lojërat e fatit.

11. Të ardhurat e realizuara nga shërbimet e kryera në territorin e Shqipërisë nga një person jorezident; 12. Të ardhura të tjera që nuk identifikohen në format e paraqitura më lart

Pagesat e tatimeve për të punësuarit

Personi rezident i regjistruar për qëllime tatimore, i cili kryen pagesat e parashikuara “Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat”, deklaron dhe derdh tatimin e mbajtur në burim, në llogaritë e organeve tatimore, në masën 10 për qind të shumave bruto të pagesave që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 20 të muajit pasardhës të muajit të pagesës. Rast përjashtimor nga ky rregull bën derdhja e tatimit në burim për dividentët, si dhe tatimi i mbajtur në burim për pagesat për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë.

Për shpenzime të panjohura për pagesat e muajit korrik dhe për pagesat e muajit dhjetor, të cilat kryhen për çdo vit kalendarik, formulari i deklarimit dhe pagesës së tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat duhet të dorëzohet brenda muajve respektivë, pra brenda datës 31 korrik dhe 31 dhjetor të vitit kalendarik. Në rast se pagesat e kryen personave jorezidentë, tatimpagues të vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e këtyre marrëveshjeve. Në formularin e deklarimit dhe të pagesës së tatimit të mbajtur në burim do të evidentohen këto pagesa, duke zbatuar kushtet e marrëveshjeve tatimore. Formulari i deklarimit dhe i pagesës së tatimit të mbajtur në burim dorëzohet vetëm nga personat e regjistruar për qëllime tatimore, sipas parashikimeve të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Formulari i deklarimit dhe i pagesës së tatimit të mbajtur në burim është pjesë përbërëse e këtij udhëzimi.

E ardhura e tatueshme

(në lekë/muaj) Përqindje

Nga Deri në

(përfshirë)

0 30 000 zero për qind

30 001 130 000 + 13 për qind të shumës mbi 30 000 lekë

130 001 Më tepër 13 000 lekë + 23 për qind të shumës

mbi 130 000 lekë

Shpenzimet e panjohura

“Shpenzime të panjohura” në udhëzimin e ministrit të Financave Shkëlqim Cani zëvendësohet “fatura e pranuar” do të konsiderohet shpenzim i panjohur për efekt fiskal në fund të periudhës tatimore, nëse nuk është paguar tatimi në burim. Në rast se këto shërbime janë kryer nga tatimpagues të vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e këtyre marrëveshjeve. Me termin dieta do të kuptohen shpenzime për ushqim. Për dietat, brenda kufijve të lejuar, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk kërkohet dokumentacion justifikues për efekte fiskale.

Tatimi i mbajtur në burim evidentohet nga personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatat jofitimprurëse, si dhe nga çdo subjekt tjetër i njohur si i tillë nga legjislacioni në fuqi, nëpërmjet regjistrimeve në librat përkatës të evidentimit, të cilët përmbajnë të dhëna të plota identifikuese për subjektin përfitues (përfshirë fotokopje të certifikatës së regjistrimit në organin tatimor të përfituesit, sidomos kur nuk mbahet tatim në burim), shumën e pagesës dhe tatimin e mbajtur në burim. Personi rezident i regjistruar për qëllime tatimore, i cili kryen pagesat sipas përcaktimeve të nenit 33 të ligjit, për çdo përfitues duhet të mbajë regjistrime për llogaritjen dhe mbajtjen e tatimit në burim për të ardhurat dhe t’ia vërë në dispozicion drejtorisë rajonale tatimore ku ai është i regjistruar, si edhe çdo person përfitues të të ardhurave për të cilin është bërë pagesa.

KOMENTE