Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bashkëveprimi ndërinstitucional garanci për një proces legalizimi të suksesshëm
English

Bashkëveprimi ndërinstitucional garanci për një proces legalizimi të suksesshëm

Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar ndërinstitucional me drejtues e përfaqësues të ministrive dhe Agjencive të lidhura drejtpërsëdrejti me procesin e legalizimeve.

Duke vlerësuar ecurinë e deritanishme si shpresëplotë për qytetarët, të cilëve iu është rikthyer besimi tek shteti, kryeministri tha se plotësimi i një prej zotimeve më të rëndësishme dhe një prej nevojave më të mëdha të shoqërisë, nuk mund të përmbushej pa një koordinim të frytshëm mes institucioneve përgjegjëse. Kryeministri vuri në dukje se problematika e deridjeshme e shkaktuar nga mungesa e koordinimit midis institucioneve dhe mungesa e vëmendjes së shumë institucioneve për t’u përfshirë në proces, ka sjellë penalizimin e qytetarëve, duke i hapur rrugë korrupsionit në çdo nivel. “Nga tetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti në sportelet e ALUIZNI-t janë paraqitur 41 400 qytetarë, për të kërkuar sqarime për dosjet e tyre, për t’u ankuar për zvarritjet e deritanishme dhe për të plotësuar dokumentacionin e mangët, kur dokumentacioni ka qenë i mangët. Një lum i tërë njerëzish që prej vitesh kanë pritur më kot që të legalizojnë shtëpitë e tyre.” u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi riorganizimin që iu bë ALUIZNI-t, duke e sjellë më pranë qytetarëve, si një domosdoshmëri për të paraprirë këtë proces të rëndësishëm për shoqërinë. Ai u shpreh se po përfundon edhe gjithë kuadri i rregullave bazuar tek ligji i legalizimit, por edhe bazuar tek procedura parlamentare për pjesën tjetër të legjislacionit mbi legalizimin. “Nga 1 marsi 2014 ka filluar dalja në terren e ekipeve që do të përfundojnë përgatitjet e dosjeve. Vetëm në këta 3 muaj janë kryer 11 300 procedura të reja.”

Më pas, kryeministri u ndal në rëndësinë e secilit prej institucioneve, në mënyrë të veçante, ku përveç rolit primar të ALUIZNI-t, theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të kësaj Agjencie me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si tre institucione, që janë bërthamë e këtij procesi dhe që prej disa kohësh kanë një ndërveprim të garantuar mes tyre.

Më tej, kryeministri vijoi edhe me ministri dhe agjenci të tjera, bashkëpunimi i frytshëm mes të cilave, do të sigurojë implementimin e suksesshëm të procesit të legalizimit. Në këtë kontekst, në një rol të dorës së parë, kryeministri vlerësoi edhe Policinë e Shtetit, mbështetja e së cilës ndaj këtij procesi merr një rëndësi të veçantë. “Jemi këtu për t’i dhënë një sens gjithë kësaj historie dhe për të kuptuar që ka një rol çdonjëri nga institucionet që janë sot këtu të përfaqësuar, pa llogaritur edhe Ministrinë e Brendshme, përkatësisht Policinë e Shtetit, që duhet të marri një rol të dorës së parë në këtë proces.” u shpreh Kryeministri.

Në takim e mori fjalën edhe ministrja Gjermeni, e cila vlerësoi si përmbushjen e një prej angazhimeve më të rëndësishme të programit qeverisës, miratimin e ligjit për legalizimet falas, duke theksuar se implementimi i tij përbën tashmë, një sfidë për qeverinë. “Kemi kaluar në Këshillin e Ministrave dhe në parlament është miratuar, ligji për legalizimet falas, një nga premtimet qoftë të fushatës qoftë të programit tonë qeverisës. Premtim që e mbajtëm me pjesën e përgatitjes së ligjit dhe miratimin e tij. Tani jemi në pjesën e përgatitjes së akteve nënligjore dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave për ta siguruar implementimin e këtij ligji. Tani jemi në një stad tjetër. Jemi në stadin që ligji ka kaluar dhe e gjithë sfida është implementimi i tij. “ , u shpreh ajo.

KOMENTE