Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Projektligji i ri i gradave në ushtri
English

Projektligji i ri i gradave në ushtri

Fjala e ministres së Mbrojtjes Kodheli në Kuvendin e Shqipërisë për Projektligjin për Karrierën Ushtarake në FA


Baza aktuale ligjore që rrjedh prej Ligjit 9171, është e superuar. Shumë prej jush në këtë sallë e keni votuar këtë ligj 11 vjet më parë dhe doja thjesht t’ju kujtoja se merita e këtij ligji ishte ndryshimi rrënjësor i strukturës së gradave. Piramida hierarkike tashmë është kthyer në normalitet, si dhe është e mbështetur në një sistem mjaft të qartë të avancimit në karrierë. Pra, misioni i ligjit aktual ka qenë vendosja e sistemit të karrierës mbi kritere profesionale dhe korrigjimi i strukturës së gradave. Por aktualisht, çështja e ditës nuk është më krijimi i sistemit, po menaxhimi i tij. Një ndër problemet më të ndjeshme është “ashpërsia” e ligjit aktual, në kuptimin e shtrëngesës për të nxjerrë në rezervë një numër shumë të lartë ushtarakësh, për shkak të limiteve të kohës së lejueshme për qëndrim në një gradë dhe në vitet e shërbimit aktiv. Pra, sipas ligjit aktual, ushtarakët i nënshtrohen një rregulli të vetëm, ose përparim në gradë, ose dalje nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.
Nga ana tjetër, është shtuar në mënyrë të ndjeshme numri i ushtarakëve që në zbatim të ligjit aktual janë nxjerrë në rezervë/lirim dhe paguhen me pension të parakohshëm për vitet e shërbimit dhe me pagesë kalimtare. Mesatarisht ushtarakët me gradë kapiten kanë dalë në rezervë në moshën 40 vjeç, majorët në moshën 45 vjeç, nënkolonelët në moshën 50 vjeç dhe kolonelët në moshën 53 vjeç.
Projekt-ligji i ri për Karrierën Ushtarake sjell këto risi:
Së pari, rritjen e kohës së qëndrimit të ushtarakëve në Forcat e Armatosura.
Projektligji rrit në mënyrë të dukshme kohën e qëndrimit të ushtarakëve të karrierës në Forcat e Armatosura. Nga sistem me vite shërbimi në gradë, kalon në sistem me kohë moshe. Me këtë sigurohet vendosja e një standardi që zbatohet në shumicën e ushtrive të NATO-s, duke siguruar njëkohësisht uljen e dukshme të kostos së personelit për Forcat e Armatosura. Po ashtu, rritja e kohës së qëndrimit sjell si efekt edhe uljen e ndjeshme të nevojave vjetore për prurje të reja në radhët e Forcat e Armatosura, së bashku me efektet pozitive financiare.
Sipas legjislacionit në fuqi, ushtarakët që dalin në rezervë apo lirim janë subjekt i trajtimit financiar nga buxheti dhe kjo ka sjellë si efekt rritjen e dukshme të “ushtrisë në rezervë apo lirim”, e cila paguhet nga buxheti i shtetit. Aktualisht madhësia e kësaj “ushtrie në rezervë/lirim” është rreth 17 500, gjë që përbën një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit, barrë e cila ka tendencë të rritet në mënyrë konstante në rast se ligji aktual vijon të jetë në fuqi e të prodhojë efektet e sipër përmendura. Vetëm gjatë vitit 2013 janë trajtuar me pagesë kalimtare rreth 1150 ushtarakë çdo muaj, që nënkupton se çdo vit mesatarisht dalin në rezervë/lirim dhe përfitojnë trajtim financiar rreth 550-600 ushtarakë.
Së dyti, ndarje të qartë të shërbimit ushtarak në dy kategori, në shërbimin e përkohshëm dhe shërbimin e karrierës.
Futja e konceptit të shërbimit të përkohshëm me kontratë dhe atij të karrierës në Forcat e Armatosura është një tjetër risi e projektligjit në fjalë. Synimi i kësaj ndërhyrjeje është vendosja e një standardi që zbatohet gjerësisht në NATO, i cili do të sjellë një tjetër impuls pozitiv në drejtim të kompeticionit mes ushtarakëve për t’u përfshirë në shërbimin e karrierës.
Së treti, krijimi i kategorisë së gradave për specialitetet në Forcat e Armatosura.
Një efekt tjetër negativ i prodhuar nga ligji aktual është humbja konstante e ekspertizës profesionale, gjë që ka ardhur nga detyrimi ligjor për të nxjerrë në rezervë/lirim ushtarakë ekspertë, të cilët nuk mund të përparojnë në gradë për shkak të sistemit linear hierarkik, ku numri i personelit për çdo gradë ulet ndjeshëm në përpjesëtim të drejtë me rritjen e nivelit të gradës. Kjo ka sjellë situatën që ushtarakë me kapacitete të larta profesionale dhe ekspertë të fushave të ndryshme të nxirren në rezervë/lirim, jo për shkak të deficiteve profesionale, por për shkak të pamundësisë ligjore për të vazhduar shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura, me gjithë nevojën e madhe për ta.
Po aq i rëndësishëm është edhe efekti social, psikologjik dhe moral që ka sjellë dalja e shumtë e ushtarakëve në rezervë/lirim. Kjo ka sjellë efekte negative për imazhin e të ardhmes së profesionit të ushtarakut, efekte negative për familjet e ushtarakëve, si dhe për shoqërinë në tërësi. Aktualisht trupa e oficerëve dhe e nënoficerëve është një ndër trupat e vetme profesionale në Shqipëri, ku profesioni ndërpritet shumë herët për shkaqe ligjore dhe mundësitë e ushtrimit të këtij profesioni jashtë Forcave të Armatosura nuk ekzistojnë. Ky përbën, pa dyshim, një tregues që është ndjeshëm poshtë standardeve që zbatohen sot në NATO.
Së katërti, krijimi i kategorisë së re të gradave speciale shënon një tjetër risi të projektligjit.
Me këtë sigurohet mundësia që të promovohen me mirë se deri tani vlerat profesionale, të nxitet angazhimi i specialistëve në Forcat e Armatosura. Në ndryshim nga ligji aktual, projekti parashikon që gradat speciale me profesion për shembull mjek ose instrumentist të jepen për shkak të kualifikimit në fushën përkatëse, si dhe të eksperiencës profesionale në këtë fushë, pa kërkuar domosdoshmërisht kualifikime të përgjithshme ushtarake. Po ashtu, ndryshe nga ligji aktual, projekti i ri siguron që në komisionet e karrierës të përfshihen edhe nënoficerë e specialistë të fushave përkatëse në rastin e vlerësimit të ushtarakëve të shërbimeve speciale. Kjo do të shmangë situatat e deritanishme kur edhe për promovimin e specialiteteve të tilla si mjekët apo muzikantët vendosnin komisione që nuk kishin asnjë lloj kompetence profesionale nga fusha.
Nëpërmjet shtimit edhe të dy niveleve të gradave për ushtarët, projektligji siguron një mundësi për karrierë më të mirë dhe më të gjatë për ushtarët, duke i klasifikuar në katër nivele gradash, duke iu përgjigjur më mirë, si kërkesave të Forcave të Armatosura tashmë profesioniste, ashtu dhe standardeve perëndimore të kësaj fushe.
Së pesti, përfshirja në sistemin e karrierës e të gradave ushtarake edhe të studentëve ushtarakë.
Projektligji i ri rregullon për herë të parë problemet që kanë të bëjnë me ecurinë në gradë dhe në karrierë të studentëve ushtarakë, duke siguruar kështu vendosjen e një standardi të natyrshëm për një ushtri të NATO-s, si dhe duke shmangur situatën shumë problematike në këtë fushë.
Së gjashti, vendosja e mekanizmave për ndëshkimin e apatisë profesionale.
Zgjatjes së kohës së qëndrimit në detyrë për ushtarakët, projektligji i është përgjigjur edhe me rritje të standardeve në drejtim të kërkesës për performancë më të lartë. Kjo është bërë me qëllimin që të shmanget rreziku që ushtarakë të caktuar ta konsiderojnë garancinë ligjore për të qëndruar më gjatë në shërbim si një garanci për të “vegjetuar”. Për këtë arsye, në projektligj është parashikuar edhe mundësia e sanksioneve të ashpra ndaj ushtarakëve që nuk kanë performancë, përgatitje fizike dhe shëndetësore, sipas standardeve të vendosura. Kështu, në raste ekstreme, kur ushtarakë të caktuar për tre vite radhazi vlerësohen nga autoriteti përkatës si të papërshtatshëm për të shërbyer në Forcat e Armatosura për mungesë performance, projektligji parashikon mundësinë e ndërprerjes së përparimit në karrierë dhe nxjerrjen e tyre në rezervë/lirim.
Zbatimi i këtij projektligji nuk sjell ndikim të ndjeshëm në procesin e menaxhimit të personelit. Ky projektligj nuk pengon përparimin në gradë dhe karrierë të ushtarakëve që plotësojnë kriteret, në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura. Rritja e moshës së qëndrimit në shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura për oficerët dhe nënoficerët e karrierës do të bëjë që të shfrytëzohen në maksimum kapacitetet intelektuale të personelit, për krijimin e të cilave shteti shpenzon relativisht shumë nëpërmjet shkollimit dhe kurseve e trajnimeve brenda dhe jashtë vendit.
Si përfundim, kërkoj nga të gjithë ju të nderuar kolegë deputetë, të votoni këtë projekt-ligj. Mbetem e hapur për çdo pyetje dhe kërkesë për sqarim nga ana juaj.
Ju faleminderit.

KOMENTE