English

Spitali i mushkërive tashmë një spital rajonal

Përurohet Shërbimi dhe Salla e re e Kirurgjisë në SU “Shefqet Ndroqi”,
Ministri Beqaj: “Hapëm rrugën e shndërrimit të spitalit të mushkërive në një spital rajonal. Shërbim për rreth 100 mijë banorë të kryeqytetit dhe rrethinave.”

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka vizituar 2 ditë më parë Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, me rastin e përurimit të mjediseve dhe infrastrukturës së Shërbimit dhe Sallës së re të Kirurgjisë në këtë institucion, ku morrën pjesë edhe z. Ylli Ziçishti, deputet i Partisë Socialiste në Korçë, si dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë e punonjës të shëndetit të këtij shërbimi spitalor. Ministri Beqaj, lajmëroi nisjen e funksionimit normal të shërbimit të kirurgjisë në këtë spital, i cili i hap kështu rrugën shndërrimit të spitalit të mushkërive në një spital rajonal. Tashmë, ky spitali i mirënjohur i trajtimit të sëmundjeve të mushkërisë, do të ofrojë edhe shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme për një popullsi prej rreth 100 mijë banorësh të kryeqytetit dhe rrethinave, ndërkohë që financimi për këtë shërbim do të realizohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

“Sot, për një pjesë jo të vogël të banorëve të qytetit të Tiranës, fillon funksionimi normal i shërbimit të kirurgjisë së përgjithshme,” – tha z. Beqaj, duke i’u përgjigjur interesit të mediave të pranishme. Ishte një nismë e marrë prej disa kohësh që spitali “Shefqet Ndroqi”, - tha më tej ai, që “përveç funksionit të përhershëm që ka patur për sëmundjet e mushkërive, të mund të kthehej në një spital rajonal, me funksione më të gjera.”

“Këtu janë katër salla kirurgjikale shumë të mira, ndoshta nga sallat më të mira që kemi sot në Shqipëri, të pajisura me mjete dhe teknologji bashkëkohore, dhe kemi vendosur që bashkërisht me FSDKSH-në, ASHR-në, dhe Shërbimin e Kardiologjisë, të ofrojmë dhe këtë mundësi për qytetarët e Tiranës” – vijoi z. Beqaj. FSDKSH, në kontratën që ka me këtë spital, do të financojë, si financues i vetëm publik, edhe ndërhyrjet e shërbimit të kirurgjisë dhe tashmë është përcaktuar që në sistemin e referimit – nga mjeku i familjes në shërbimet e specialiteteve dhe më pas në këtë spital, të mund të referohen banorët që i përkasin komunave të Farkës, Baldushkut, Bërzhitës, Petrelës, Njësisë Bashkiake Nr. 1 të Tiranës dhe Qytetit Studenti, pra “bëhet fjalë për një popullësi rreth 100 mijë banorë. Ju do të keni mundësi sot ti përcillni publikut edhe se cilat janë kushtet në sallat e operacionit apo në pavionin e kirurgjisë,” – tha ministri.

I pyetur lidhur me mënyrën e shpërndarjes së pacientëve, z. Beqaj tha se “për të ulur mbingarkesën e QSUT-së, klinikat e specialiteteve të Tiranës, ata qytetarë apo banorë që kanë nevojë për kirurgji nga zonat që sapo përmenda, do t’i përcjellin në këtë spital, ndërkohë që pyetjes lidhur me nevojat e tjera të spitalit “Shefqet Ndroqi”, ministri i Shëndetësisë u shpreh: “Spitali ka filluar procedurat e punësimit të mjekëve për të filluar besoj shumë shpejt, edhe shërbime të tjera. Pra nëse ju pyetët a ka nevojë spitali për investime të tjera, spitali ka nevojë për njerëz, për investime që flejnë prej disa vitesh.”

I pyetur në lidhje me shndërrimin e këtij spitali në spital rajonal, z. Beqaj u përgjigj: Ky është vetëm hapi i parë me shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme. Siç e thashë, ne po përfundojmë procedurat e kontraktimit të pajisjeve për reanimacionin e shërbimit të kardiologjisë dhe angiografia, sic jemi shprehur dhe më parë, do të fillojë të ofrohet Brenda pak javësh edhe në këtë spital. Unë sapo e thashë, kanë filluar procedurat e punësimit të mjekëve dhe infermierëve për këtë shërbim,” – tha ai.

KOMENTE