English

Ligji për kontributet shëndetësore ndryshon

O. Manjani - Ndryshon ligji për kontributet shëndetësore. Përveç detyrimit për të deklaruar dhe paguar detyrimet për çdo të punësuar nga punëmarrësi është përcaktuar edhe mënyra e pagesës për të vetëpunësuarit dhe të punësuarit në biznese familjare. Kontributet shëndetësore llogariten mbi pagën bruto dhe jo mbi pagat minimale/maksimale siç llogariteshin më parë. Kontributi për sigurimet shëndetësore në Shqipëri është 3.4 %.

Drafti

Drafti që do të diskutohet në kuvend shkruan "Shekulli" parashikon mënyrën e llogaritjes së kontributeve për punëmarrësin. Sipas projektligjit dhe relacionit që e shoqëron mësohet se kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, brenda një page bruto minimale që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, dhe nivelit maksimal që është sa pesëfishi i pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Llogaritja e kontributeve

Ndryshon llogaritja e kontributeve për personin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes. Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi pagën minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në rast se veprimtaria ekonomike ndërpritet për një periudhë, vlera e kontributit për t’u paguar zvogëlohet përpjesëtimisht, në përputhje me formulën e përcaktuar në udhëzimet e ministrit të Financave, të nxjerra në zbatim të këtij ligji.

Deklarimi

Ligji i ri përcakton detyrimin për të deklaruar. Sipas draftit personi juridik dhe fizik i detyruar për të paguar kontribute, për çdo periudhë, duhet të deklarojë, në formë elektronike, në organin tatimor të dhënat e detyrimeve për kontributet në total dhe për çdo individ. Personat juridikë dhe fizikë që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë, në formë elektronike, në organin tatimor, të dhënat e detyrimeve për kontributet, sipas deklaratës përkatëse, ku, përveç të tjerave, deklarohet për çdo person emri e mbiemri, numri personal, paga, shuma për t’u paguar e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, si dhe e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Forma, përmbajtja dhe rregullat e deklarimit, në organet tatimore, të kontributeve dhe ndryshimit të numrit të punonjësve, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Pagesat

Sigurimet shëndetësore do të llogariten mbi bazën e pagës bruto, paga që përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Person i detyruar për të paguar kontribute është çdo person që detyrohet të paguajë kontributet e detyrueshme, sipas ligjeve nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”. Ndërkohë që i vetëpunësuar është një tatimpagues i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në organet tatimore si person fizik. I vetëpunësuari mund ta ushtrojë veprimtarinë ekonomike me këto statuse: “i vetëpunësuar i vetëm”, “i vetëpunësuar me punëmarrës”, “i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes”, “i vetëpunësuar pa punëmarrës me punonjës të papaguar të familjes”. Në kuptim të kësaj pike termi “i vetëpunësuar” nuk përfshin personin e vetëpunësuar në bujqësi. Shkalla e kontributeve janë përqindjet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të vendosura me ligjet nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ligjin për sigurimet shëndetësore

1. Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga data 1.1.2014 e në vazhdim, të jetë jo më pak se 19026 lekë. Paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2014 e në vazhdim, të jetë 95130 lekë. Paga maksimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shëndetësore, nga data 1.1.2014, do të jetë paga bruto.

2. Për të punësuarit, paga minimale mujore për llogaritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale prej 19026 lekësh.

3. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), nga data 1.1.2014 e në vazhdim, të jetë 3.4 % e dyfishit të pagës minimale mujore, “Paga bruto dhe paga minimale”, e barabartë me 1294 lekë.

4. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës mujore minimale, prej 19026 lekësh, e barabartë me 4376 lekë në muaj.

5. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, të barabartë me 1294 lekë në muaj.

6. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës mujore minimale prej 19026 të barabartë me 4376 lekë në muaj.

7. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht paguan një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale të barabartë me 1294 lekë në muaj.

Ndryshimet:

Lehtësohet barra fiskale për bujqësinë

Fermerëve do t'u reduktohet barra fiskale. Ata do të paguajnë më pak taksa për fidanët, inputet, si dhe aktivitetin e tyre bujqësor, kryesisht sektori i prodhimit. Një paketë me mbi 40 masa lehtësuese është hartuar nga Ministria e Bujqësisë. Masat që do të merren nga qeveria synojnë që të lehtësojnë maksimalisht aktivitetin e fermerëve, agropërpunuesbve, të gjithë operatorëve. T'i lehtësojmë nga pikëpamja e barrës administrative, e kohës së kryerjes së shërbimeve, maksimalisht kohën e kryerjes së shërbimeve, të ulim maksimalisht mundësitë dhe koston e korrupsionit për këtë sektor. Synojmë në lehtësimin e kostos së prodhimeve bujqësore dhe agro industriale nga barra fiskale të padrejta apo të keq interpretuara. Veçanërisht kosto e produkteve të importit dhe kostot e inputeve të bujqësisë. Paketa e masave për sektorin e bujqësisë paralelisht do të ketë edhe lehtësira tatimore, që nga rimbursimi i shpejtë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe deri tek nxitësit e drejtpërdrejtë fiskalë. Në draftin e përgatitur nga Ministria e Bujqësisë fermerët do të kenë inpute me siguri, si fara, fidanë. Eksportuesit do të kenë produkte me një kosto disa % më të ulët. Një sistem veterinar të riformuar totalisht. Do të kemi një ulje apo një reduktim total të taksave, të lëndëve të para me qëllim orientimin e bizneseve drejtë përpunimit, jo drejtë importit . Paketa u jep trajtim të privilegjuar bizneseve që eksportojnë prodhime bujqësore nga doganat, tatimet por edhe agjencitë e tjera shtetërore, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Rritja e eksportit është synimi tjetër i paketës. Rritja e eksporteve bujqësorë në tre muajt e parë të këtij viti, përkatësisht me 27 % krahasuar vitin e kaluar.

Llogaritja e detyrimeve, ndryshon baza e pagesës:

Paga për të vetëpunësuarit të jetë 19026 lekë dhe ata të paguajnë 6. 8 % për sigurimet shëndetësore nga 7% që ishte, duke i lehtësuar. Kjo për faktin se të vetëpunësuarit e paguajnë gjithë barrën vetë, ndryshe nga të punësuarit që paguajnë një pjesë vetë dhe një pjesë punëdhënësi. Të punësuarit paguajnë 3. 4 % të pagës për sigurime shëndetësore, ku 1. 7 % i paguajnë vetë dhe 1.7 % e paguan punëdhënësi, ndërsa paga minimale mbi të cilët llogariten këto detyrime është 21 mijë lekë. Ndryshimi është bërë për të unifikuar detyrimin për sigurime shëndetësore mes të punësuarve dhe të vetëpunësuarve.

Të vetëpunësuarit në bujqësi

Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, është 4200 lekë. Të vetëpunësuarit në bujqësi, që nga fillimi i këtij viti, derdhin kontribut mujor për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, në masën 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore, pra 3. 4 % të 4 200 lekëve, të barabartë me një vlerë prej 286 lekësh në muaj.

Punonjëset e shtëpisë

Në vendimin qeverisë është miratuar edhe skema e sigurimeve për gratë që shërbejnë si punëtore shtëpie. Kështu, për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, deklarohet dhe paguhet kontribut mujor në shumën 3794 lekë, nga të cilat 2500 lekë kontribut i detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe 1294 lekë, kontribut i detyrueshëm për sigurimet shëndetësore.

Të vetëpunësuarit në biznes

Sipas ndryshimit të fundit ligjor, i vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, paguajnë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore të përcaktuar në pikën 2, të ligjit që është “Paga bruto dhe paga minimale”, të barabartë me 1 294 lekë në muaj. Ndërsa i vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore në masën 23 për qind të pagës mujore minimale prej 19026 lekësh.

KOMENTE