Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Profil i ri i Shqipërisë në rajon, Europë e botë
English

Profil i ri i Shqipërisë në rajon, Europë e botë

Sot me trupën e ambasadorëve shqiptarë për sfidën e Rilindjes Shqiptare si profil i ri i Shqipërisë në rajon, Europë e botë.
* * *
Fjala e Kryeministrit Rama në takimin me ambasadorët e Shqipërisë në botë, të zhvilluar në selinë e Qeverisë:
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar Ministra,
E nderuar zonja Kryetare e Komisionit të Jashtëm,
Zonja dhe zotërinj ambasadorë,
Shumëkush ndër ju, ishte aty kur unë nuk isha këtu. Dikush tjetër ishte Kryeministër dhe unë isha vetëm kryetari i opozitës. Jo një herë jam ndjerë keq për ju edhe për vendin tonë të përbashkët, padyshim. Protokoll për kryetarin e opozitës nuk kishte. As porosi për të respektuar vetveten si shtet dhe si vend, duke respektuar përfaqësuesit e opozitës në vizitat e tyre të punës, nuk kishte. Madje, le ta themi deri në fund, opozita ishte kthyer në një shënjestër kryesore e diplomacisë të vendit tonë. Sidomos, në vendet kyçe të Bashkimit Europian dhe po ashtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ju ishit përfshirë, me hir apo me pahir, në një operacion dëmtimi të imazhit të opozitës. Do të mbetet si një nga momentet e trishtuara në kontaktet e mia me Trupin Diplomatik shqiptar debati në gjuhë të huaj dhe mes shumë të huajsh, me një ambasador, i cili recitonte pa asnjë sëkëlldi të dukshme gjithë refrenin e luftës antiopozitare në Shqipëri, duke më penguar brutalisht që të komunikoja me mikpritësit tanë dhe duke i vënë ata në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë. Një turp i pashembullt për vendin tonë, për shtetit tonë, për Trupin Diplomatik të Shqipërisë.
Ju, me siguri, e keni dëgjuar atë fjalën e famshme që thotë, “ambasadori është një njëri i ndershëm që gënjen për të mirën e atdheut të vet”. Unë jam krenar që e mira e atdheut tonë ka pushuar së qeni për ju një detyrim i ardhur nga qendra, për të gënjyer në zyrat e Europës, që të dëmtohet imazhi i opozitës. Ndjehem mirë që nuk ndjehem më keq për ju, sepse, duhet ta them, qysh se unë kam ardhur në këtë vend, vendi i kryetarit të opozitës në protokollin e Shërbimit Diplomatik është bërë i barasvlefshëm me atë të Kryeministrit. Qysh se Ministri ynë i Jashtëm ka marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare, askush ndër ju nuk merr detyrë të shajë opozitën në gjuhë të huaj. Përkundrazi, të gjithë jeni të porositur dhe të lutur të përfaqësoni shtetin shqiptar dhe të mos cenoni interesin e përveçëm të asnjë shqiptari, e jo më të opozitës shqiptare.
Qysh se ka ndryshuar qeveria në Shqipëri, ka ndryshuar, shpresoj, njëherë e përgjithmonë edhe shkalla e respekti të shtetit për figurën e ambasadorit. Padyshim, edhe për sa i takon kësaj pjese të frontit tonë të përpjekjes për një Rilindje Shqiptare, ky është vetëm fillimi. Ka ende shumë për të bërë, por lejomëni të ndaj me ju bindjen e forcuar dita-ditës, në tërë këta muaj, se falë lidershipit tonë, falë Ministrit tonë të Jashtëm dinamika e re ku ka hyrë pas shumë vitesh limontie politika e jashtme e Shqipërisë, do të shoqërohet edhe me një ndryshim transformues edhe për vetë Shërbimin Diplomatik, në çdo aspekt. E, është kënaqësi e posaçme që në këtë valë të re energjish dhe risish në fushën e veprimtarisë tuaj, unë të mikpres dhe të përshëndes sot pjesëmarrësit në Forumin e Politikës së Jashtme, në një hapësirë me silueta hartash që, besoj, na sjellin më së miri para syve dinamikën e kufijve përgjatë rrugëtimit të historisë.
Le ta përshkojmë një çast me sytë e mendjes rrugën disa qindravjeçare që historia ka bërë për të mbërritur deri më sot, në 2014 e Ballkanit të paqes, mes gjithë armiqve të deridjeshëm. Mos ta harrojmë se 100 vjet më parë, këtu, në Ballkan, plasi Lufta e I-rë Botërore dhe vetëm deri shumë pak kohë më parë rajoni ynë përshkohej nga lumenjtë e gjakut që u desh për t’i rivizatuar kufijtë. E, sot, paqja ka ulur në tryezat e së ardhmes që të gjithë, pa përjashtim, pavarësisht problemeve të mbartura nga e shkuara më e largët a më e afërt, që thuhej se çdo shtet ka me tjetrin, në këtë rajon.
A nuk na ka qëlluar fati të jemi dëshmitarë të një kohe të jashtëzakonshme, për nga shpejtësia e lëvizjes së historisë dhe për nga sfida e paprecedentë që na është imponuar nga shpejtësia me të cilën lëviz çdo ditë bota ku jetojmë? Ne, aktorët e sotëm të historisë bashkëkohore të politikës, qeverisjes, diplomacisë shqiptare, duhet me patjetër ta ndjejmë të plotë peshën e kësaj sfide të përgjithshme për politikëbërësit dhe politikëzbatuesit e kohës që jetojmë. Me paqet e sotme në Ballkan kanë shteruar mundësitë që ne, ballkanasit, por posaçërisht shqiptarët ta përballim të ardhmen përmes rrugës së deridjeshme dhe me shpejtësinë e deridjeshme të lëvizjes në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku, sigurisht, marrëdhëniet rajonale dalin në pah më shumë se kurrë si një sfidë dhe si një prioritet strategjik.
Dua të jem sa më i qartë për ç’ka kam parasysh kur flas për marrëdhënie rajonale; Kam parasysh marrëdhëniet ndërshqiptare; marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit; si dhe mes Shqipërisë dhe Kosovës si bosht strategjik për shqiptarët në rajon; por, padyshim, dhe marrëdhëniet mes rajonit dhe Bashkimit Europian. Një usta i famshëm i politikës dhe diplomacisë, i njohur për të gjithë ju, Kardinali Richelieu do të thoshte se “diplomacia është një shkencë që nuk ka reshtur kurrë së qeni një art”. Besoj se këto fjalë na ndihmojnë, sot, të kuptojmë sesa shumë duhet të bëjë dhe sa shpejt duhet ta bëjë çdo lëvizje në drejtimin e duhur gjithë organizmi i politikës sonë të jashtme, për të mos e humbur sfidën, absolutisht të jashtëzakonshme, të kohës së re të rajonit.
Jetësimi i një roli aktiv në rajon dhe kristalizimi i një profili të veçantë dhe të ndryshëm nga ai, fatkeqësisht, mbizotërues për Shqipërinë dhe shqiptarin në botë, është një sipërmarrje që na imponon që të gjithëve një kapërcim epokal. Por, nuk kam parasysh këtu ndonjë gjë që është jashtë kufijve të së mundshmes. Kam parasysh asgjë më shumë të vështirë sesa rritjen e cilësisë dhe të shpejtësisë në punën e çdo dite. Për të bërë ndryshimin në disa vite, na duhet me patjetër që ne të jemi vetë ndryshimi i çdo dite.
Përfaqësitë tona duhet të jenë medoemos të mirinformuara për politikat shtetërore dhe të mirëstërvitura për ta kthyer diplomacinë tonë në një agjent agresiv ekonomik dhe kulturor. Ministri i Jashtëm më ka informuar se do të krijojmë së shpejti një grup pune të përkohshëm, ndërinstitucional, me ekspertë ndërkombëtarë, i cili do të na ndihmojë të harmonizojmë të gjitha nismat dhe të sintetizojmë të gjitha idetë për rikrijimin e profilit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë.
Po ashtu, unë besoj se është posaçërisht e rëndësishme që ambasadorët e Shqipërisë, vendas dhe ambasadorët e Kosovës të bëhen bashkënismëtarë dhe bashkëkontributorë të një procesi transformues në komunikimin mes shqiptarëve nëpër botë dhe mes shqiptarëve e dy shteteve të tyre dhe botës. Ne, sot, jemi të bindur se në rajon nuk ka interesa që përplasen, por ka interesa që mund të përplotësohen duke u harmonizuar në të mirën e të gjithëve. Dhe evidentimi i këtyre interesave, deri në detaje, e po ashtu promovimi i tyre është, në këndvështrimin tim, një prej sfidave më të rëndësishme që sjell për ne, për ambasadorët shqiptarë, padyshim, koha e re e paqes në rajon dhe momenti i ri i marrëdhënieve me Bashkimin Europian.
Ambasadat tona duhet të jenë ndjekëse shumë të vëmendshme edhe të politikave europiane dhe pjesëmarrëse aktive dhe të përhershme, në çdo nismë, në çdo aktivitet, në çdo rrugë bashkëpunimi që ka të bëjë me BE-së, sidomos, por edhe në përgjithësi. Besoj që, të gjithë jemi të vetëdijshëm për rolin që ka diplomacia në kohën e sotme. Nuk është më ai roli vendimtar për politikën e brendshme dhe të jashtme, si i kohës së Meternich-ut në Koncertin Europian. Nuk është, në të shumtën e herës, as si ai i negociatave të mëdha, si atëherë kur Henry Kissinger ishte një prej aktorëve kryesorë të politikës ndërkombëtarë. Sepse në botën e re të komunikimit pa limit shpejtësie dhe të rritjes së vazhdueshme të komunikimit mes lidershipeve kombëtare apo diplomatike, roli i ambasadorit është transformuar, por nuk është bërë më pak i rëndësishëm. Është transformuar në atë të një koordinatori strategjik të gjitha ndërlidhjeve të panumërta mes vendeve dhe mes shoqërive. Fjala vjen, me shumëllojshmërinë e komunikimit të sotëm mes shteteve dhe njerëzve që i ka kthyer edhe artistët, edhe sportistët, edhe shkencëtarët apo studentët në ambasadorë aktivë të vendeve të tyre, roli i ambasadorit shkon përtej përfaqësimit dhe imponon forcën e koordinimit mes gjithë këtyre përfaqësimeve spontante, por të kudondodhura në gjithë hapësirën e komunikimit mes shteteve dhe vendeve. Të dyja këto aspekte të kohëve të reja nuk kanë të bëjnë kurrsesi me asnjë lloj ridimensionimi të funksionit të ambasadorit në sensin e humbjes së peshës. E kundërta është e vërtetë. Ka të bëjë me një rol të ri dhe shumë të rëndësishëm, sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Sepse ne, më shumë se shumë të tjerë, kemi një nevojë jetike për të shfrytëzuar dhe për të zhvilluar çdo potencial tonin, kudo ku ndodhet, në funksion të krijimit të një imazhi tjetër të vendit tonë. Në këtë pikë, ambasadat tona dhe ju, ambasadorët tanë, keni një rol të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm.
Marrja e statusit të vendit kandidat mua më duket shembulli më i afërt dhe më kuptimplotë i asaj çfarë sjell ndryshimi i imazhit. E besoj se, ndër të tjera dhe më shumë se për të tjerat, ishte pikërisht fillimi i ndjeshëm i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë dhe padyshim, lidhja e një imazhi të ri, në krijim, me një punë konkrete transformuese dhe me rezultate të prekshme që solli marrjen e statusit. Përtej të gjitha atyre që mund të themi, përtej të gjitha atyre që mund të thonë, ata që kanë punuar intensivisht, ndër ju, për arritjen e këtij objektivi, - që unë i falenderoj në mënyrë të posaçme, - mund ta dëshmojnë më mirë se kushdo tjetër, që statusi i vendit kandidat nuk ishte asgjëkundi diçka që e kishim në xhep. Përkundrazi, ishte deri në minutën e fundit diçka për të cilën duhet të luftonim dhe u përpoqëm të gjithë, bashkërisht.
E di që në instanca të kësaj natyre, çdo lëvdatë apo kompliment tingëllon jo fort i goditur, në raport me të tjerët, por, realisht, unë kam fjalët më të mira për punën e bërë nga disa prej jush dhe jam i bindur se pa punën e disave prej jush, ajo që arritëm nuk do të arrihej. Ishte një arritje ku çdo centimetër në vijën e gjatë të frontit të kësaj përpjekje të përbashkët kishte peshën e vetë të patjetërsueshme. E çdo çedim mund të sillte përmbysjen, edhe një herë tjetër, të gjithë përpjekjeve dhe të një pune të bërë intensivisht për ta realizuar objektivin.
Nga ana tjetër, besoj që ne duhet të vetëdijësohemi edhe për fuqinë e jashtëzakonshme dhe të pashfrytëzuar që ka sot Shqipëria tek një diasporë e re, solide dhe me burime njerëzore të cilësisë së lartë në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë. E, është një detyrë parësore, që e vendos domosdoshmërisht koha e sotme, për përfaqësitë tona që të kalojmë në një cilësi të re të punës për të identifikuar, për të komunikuar dhe për të vlerësuar këtë potencial të madh, duke garantuar hap pas hapi afrimin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, të shumë shqiptarëve të kualifikuar. Besoj se historia dhe koha na ka mësuar të gjithëve se vendet nuk dallojnë njëri prej tjetrit për shkak të asaj që kanë, por vetëm për shkak të asaj që dinë. Vende që kanë shumë më pak se ne janë shumë më përpara nesh, sepse dinë më shumë se ne. Ndërkohë që, ne jemi një vend të cilit Zoti apo natyra i ka falur gjithçka i duhet për të qenë vendi ku çdokush jeton në mirëqenie. Fakti që jemi kaq të prapambetur lidhet jo me pasuritë që nuk na mungojnë, në fakt, por me dijen që na mungon. E, përpjekja për t’u rritur, në të gjitha aspektet, duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me përpjekjen për të ditur. Në këtë aspekt, shqiptarët e kualifikuar janë një potencial i madh i nënvlerësuar dhe i pashfrytëzuar.
Unë besoj që roli i ri që duhet të marrë diplomacia shqiptare, edhe pse çdo krahasim çalon, ngjan shumë me atë që Condolenza Rice e quante Diplomacia e Transformimit. Në kontekstin tonë kjo nuk ka të bëjë, sigurisht, me ndonjë ambicie për të transformuar vende të tjera apo për të eksportuar demokracinë, pavarësisht se ne mbetemi pjesëmarrës të palëkundur në çdo aksion demokratik, paqësor apo ushtarak të partnerëve tanë dhe aleatë entuziastë të partnerit tonë më të madh strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kontekstin tonë diplomacia transformative është kuptimplotë nëse e vlerësojmë si një mundësi për të transformuar marrëdhëniet në rajon, për të transformuar imazhin e Shqipërisë në botë dhe për të transformuar lidhjet mes vetë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, duke forcuar gravitetin e Shqipërisë në lidhje me ta, si dhe të gjitha lidhjet e tjera që sot, le ta themi, në të shumtën e herës janë në një nivel krejt formal.
Sigurisht, në një botë ku ndryshimi është permanent dhe padyshim, tjetërsues për të gjithë e për çdo rol, edhe roli i diplomatit ka pësuar tjetërsimin e vetë, por ka disa gjëra është po ai që ka qenë qysh në krye të herës, qyshse ka lindur diplomacia. E, në këto aspekte, roli i diplomatit ka të bëjë me vlerat, me patriotizmin dhe me respektin për të ndryshuar. Dy vlera që, jemi të gjithë dëshmitarë, u shkelën dhe u nëpërkëmbën shumë, për vite të tëra dhe dy vlera që ne duhet t’i kthejmë si vlera të paprekshme të diplomacisë sonë, në traditën më të mirë, që është tradita e krijuar nga diplomatë, qysh nga Faik Konica dhe deri tek të tjerë që janë këtu, në sallë. Unë shpresoj që bashkërisht, këto vlera, së bashku me të gjithë vlerat e tjera të botës së cilës ne i përkasim dhe të Familjes Euroatlantike, ku ne jemi me entuziazëm pjesë shpirtërore, dhe pse jo tërësisht e integruar, në të gjitha dimensionet, janë vlera që duhet t’i kthejmë në vlera të qëndrueshme shërbimit diplomatik shqiptar.
Në fund të fundit, unë besoj që shërbimi diplomatik shqiptar ka brenda vetes shumë kapacitet për t’u bërë një forcë vetëtransformuese dhe për të siguruar që edhe një epokë e gjatë e mbushësve, pas ambasadorit e organigramës së ambasadave dhe të përfaqësive me gjithfarëlloj injorantësh, gjithfarëlloj parazitësh, me gjithfarëlloj kushërinjsh dhe me gjithfarëlloj hajvanësh të marrë fund. I them këto fjalë, sepse këtë peshë duhet të kenë për të kuptuar sesa shumë dëm i kemi bërë në vite vetes sonë, vendit tonë, interesave tona kombëtare, duke i lejuar vetes që të bashkëjetojmë me këtë lloj injorancë dhe me këtë lloj hajvanllëku që ka penguar në mënyrë të vazhdueshme punën e shumë ambasadorëve, deri dhe duke i kthyer në këmbësorë, ndërkohë që shoferët makinat e tyre i përdorin për punët e tyre. Kam takuar ambasadorë këmbësorë, në pamundësi për të pasur shoferin në dispozicion. Dhe shoferë fuqiplotë, me mandat të qartë për t’u tallur me ambasadorin në çdo kontekst.
Së fundmi, dua të them edhe diçka tjetër, pak më tokësore le të themi, por shumë të rëndësishme, që ka të bëjë me kushtet e kryerjes së detyrës, në shërbimin tonë diplomatik. Fola në fillim për aspektin aspak miqësor mes diplomacisë dhe opozitës në të shkuarën, por, sigurisht, që edhe në atë aspekt kishte ambasadorë që e thyenin embargon ndaj opozitës dhe kam pasur fatin t’i njoh, t’i çmoj dhe përmes tyre të vlerësoj se çfarë sakrifice është ajo që nga larg duket si një punë luksi; Puna e ambasadorit, sidomos në vendet që kanë një rëndësi të veçantë për ne dhe në vendet me të cilat lidhen hapa të rëndësishëm të vendit tonë. Është realisht një punë në kushte tmerrësisht të vështira. Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm për këtë. Ashtu sikundër, jemi tërësisht të angazhuar që të fillojmë t’i përmirësojmë seriozisht këto kushte. Duke filluar, sigurisht, nga paga dhe pastaj duke vazhduar me të tjerat. Por, kjo do të bëhet në kontekstin e gjithë kuadrit të reformës që do të përfshijë Shërbimin Diplomatik, e cila do të jetë një reformë e adresuar tërësisht tek domosdoshmëria për meritë dhe për profesionalizëm, nën shembullin e disa ambasadorëve që janë krenaria e vendit tonë. E, të cilët kanë provuar se roli i ambasadorit nuk luhet në vite, duke i rezistuar edhe ndryshimeve traumatike në Tiranë, pa shkelur as dinjiteti, as integritetin, as profesionalizmin dhe as raportet e vështira, por të domosdoshme, me të gjitha palët.
Ndaj, lejomëni që në fund fare, duke mbyllur këto konsiderata të përgjithshme, jam shumë besimplotë se pas disa vitesh, të gjithë së bashku do të ndjehemi mirë për faktin se e çuam rrugën tonë drejt të ardhmes dhe rrugën e Shërbimit tonë Diplomatik drejt të ardhmes, në një stacion tjetër.
Me respekt për çdonjërin nga ju që i jep vendit tonë më të mirën dhe i bindur se së bashku do të bëjmë më të mirën për vendin tonë, unë ju falenderoj!

KOMENTE