English

Elbasan. Tregu i ri bujqësor një shembull suksesi

Brenda gjashtë muajsh me mbështetjen e qeverisë shqiptare merr jetë tregu i parë modern bujqësor i standardeve të Bashkimit Europian. Dyqane, vende dedikuar për furgonët e produkteve të fshatit, salla ekspozitash të produkteve, megafrigoriferë për ruajtjen e produkteve për çdo stinë, kafe, restorante, si dhe 300 vende të reja pune, janë pjesë e investimit që Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, vizitoi sot, para inaugurimit, për t’u siguruar se gjithçka është në vendin e duhur.

Përfituesi i mbështetjes financiare të qeverisë thotë se kishte dhjetë vjet që ishte gati me këtë projekt, por zvarritjet burokratike kanë qenë të pakapërcyeshme. Brenda gjashtë muajsh tregu i parë i këtij lloji në Shqipëri u bë realitet dhe tanimë, fermerët e qarkut të Elbasanit janë një hap pranë Europës.

Kryeministri Rama e vlerësoi investimin të standardeve europiane dhe një shembull suksesi që duhet promovuar.

“Ne jemi shumë mirënjohës, sepse me këtë nuk është problem vetëm i kësaj zone, por na nderon dhe na jep mundësinë që ta promovojmë si shembull suksesi edhe për zona të tjera, që të fillojnë njerëzit të shohin një perspektivë tjetër me këto tregjet bujqësore dhe të sjellim këtu, edhe njerëz nga vende të tjera, të marrin shembull, nga veriu në jug, që këtë eksperiencë ta çojnë në vende të tjera, para se të shkosh ti, se mund të zhvillohesh ti e të shkosh në zonat e tjera,” - u shpreh Kryeministri, gjatë bisedës me investitorin.

Ministri Panariti theksoi se një risi që vjen bashkë me këtë investim do të jetë edhe aplikimi i mekanizmit të transparencës së çmimeve përmes publikimit ditor të tyre.

“Të bëjmë edhe një mini ankand çdo ditë, një tip mini burse bujqësore, ju keni porositur një ekran shumë të madh, i cili do të vendoset në ballë dhe çmimet ditore do të jenë vizibël për të gjithë, që mos të këtë shteg për spekulime. Një gjë shumë pozitive, sepse duhet ta fusim këtë mekanizmin e transparencës së çmimeve,” – u shpreh Ministri Panariti.

Ndërsa, Suela Popa, Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, u shpreh se investime të tilla si ky treg rrisin sigurinë ushqimore, por edhe formalizojnë tregun.

“Një nga qëllimet kryesore të skemave ishte formalizimi përmes këtij tregu gjigand. Tashmë është më i kontrolluar edhe tregtimi, por mbi të gjitha formalizimi. Por edhe standardet që kërkohen qoftë nga AKU-ja, qoftë nga trupat e tjerë teknikë, këtu janë të kontrollueshme,” - u shpreh Popa.

KOMENTE