English

Igli Tare kërcënohet me vdekje nga tifozët e Lazio-s

Igli Tare, futbollisti shqiptar por aktualisht drejtues i Lazios, nuk ndodhet aspak në kushte të mira pasi tifozët e ekipit janë shumë të irrituar ndaj tij.

Gjithçka ka nisur në momentin që mbrojtësi Davide Astori “dribloi” Lazio-n dhe firmosi për “kushërinjtë e urryer” të Romës. Tifozat kanë fajësuar për këtë lëvizje pikërisht Taren, duke e quajtur të paaftë.

Tani situata duket se është tensionuar akoma më shumë. Igli Tare dhe familja e tij prej disa ditësh janë kërcënuar me vdekje duke marrë qindra sms në telefonat e tyre. Menjëherë pas mesazheve, Tare ka reaguar, duke denoncuar në polici këtë që po i ndodh.

Ish-sulmuesi i Kombëtares është shprehur mjaft i zhgënjyer nga sjellja e tifozëve, pasi nuk e priste kurrsesi këtë reagim.

Në një prononcim për “Il Tempo” Tare ka deklaruar: “E prisja që tifozët të mërziteshin për Astorin, i cili kaloi tek Roma, por jo që sjellja e tyre të arrinte deri në këtë pikë.

Filluan të më vinin pafund mesazhe kërcënuese, po jo vetëm mesazhe. Kam marrë shumë telefonata të çuditshme. Tifozat marrin agjensi në telefon, sikur të isha unë, dhe flasin në emrin tim duke më ngatëruar me njerëz të ndryshëm. Më telefonuan edhe tek telefoni i bashkëshortes dhe nisa të shqetësohesha. Jam vërtet i shqetësuar dhe nuk e kuptoj pse ky reagim,” ka deklaruar Tare.
Pavarësisht kësaj gjendjeje, Presidenti i Lazio-s, Claudio Lotitto, ka theksuar se Igli Tare nuk do të largohet. Ai gëzon besimin e drejtuesve dhe është i vendosur për të vazhduar punën e tij si drejtor i një nga klubeve më të njohura në Itali.

KOMENTE