English

PD: Rama-Meta-Kokëdhima, vepër në nderim të diktatorit Hoxha

Koordonatori Salianji denoncon rivendosjen e parullave të regjimit në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të komunizmit, Edi Rama-Ilir Meta e Koço Kokëdhima po i japin jetë projektit të tyre për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha.

Partia Demokratike denoncon përpjekjet e vazhdueshme të oligarkisë Rama-Meta-Kokëdhima, që frymëzimin e tyre nga e shkuara më e errët e vendit dhe e shoqërisë tonë, po përpiqen ta kthejnë në normë, ta zyrtarizojnë.

Koordinatori i Partisë Demokratike për denoncimet, Ervin Salianji, ishte me banorët e fshatit Kudhës, në Himarë, ku oligarkia në pushtet, po shpenzon miliona para të taksave të qytetarëve, për të ndërtuar një vepër në përkujtim të Enver Hoxhës. Kjo nismë ka irrituar edhe banorët vendas.

“Parrullat i ka bërë një fshatar i yni për para dhe erdhi Koço dhe vuri dike t’i zbukurojë. Duam t’i heqim por une s’kam fuqi. Për mua është shumë keq të vendosim atë parrullën e Enverit. Nuk kemi të rinj në fshat që ta prishin. Enver Hoxha i vrau dhe preu njerëzit dhe e zuri gjaku i atyre që vrau” u shpreh Dhimitri, një prej të moshuarve të fshatit Kudhës.

Koordinatori Salianji tha se kjo përpjekje shkon në të kundërt të aspiratës së shoqërisë sonë.

“Jemi këtu për t’i qendruar dhe ardhur në ndihmë banorëve të fshatit Kudhës të cilët të shqetësuar me të drejtë për një investim të bërë nga ana e qeverisë, autoriteteve lokale, ose me thënë të drejtën nga ana e partisë-shtet sepse ky investim bëhet nga kryeministri i jugut, siç njihet ndryshe deputeti i kësaj zone Koço Kokëdhima. 23 vite më parë shqiptarët, studentët, të rinjtë të lirë protestonin me këto pankarta në duar “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Poshtë komunizmi” dhe “Liri Demokraci”, pa e imagjinuar që 23 vite më pas në mes të Shqipërisë, në zonën elektorale të kryeministrit shoku Edi Rama dhe kryeministrit të jugut Koço Kokëdhima, me paratë e partisë-shtet, ka rehabilituar këto parrulla të vjetra, këto parrula që do t’i kishte zili edhe regjimi me mizor që ka njohur Europa e pas Luftës së Dytë Botërore. Qytetarët dhe Partia Demokratike do të reagojnë dhe do të jenë në çdo cep të Shqipërisë për t’i bërë ballë kësaj marrëzie, këtij glorifikimi dhe purifikimi që po u bën Partia Socialiste dhe kryeministri Rama, ose shoku Rama, ish regjimit diktatorial, si nipër dhe bijtë e etërve të tyre. I bëjmë thirrje autoriteteve lokale, Bashkisë së Himarës si autoriteti përgjegjës, ta ndalojë këtë ndërtim i cili është i paligjshëm ku nuk ka asnjë tabelë të tregojë se çpo bëhet këtu", tha Salianji.

Sot ështe Dita e Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit e Nazizmit, dhe Edi Rama, Ilir Meta e Koço Kokëdhima provokojnë edhe një herë kujtimet më të këqia, dhe plagët më të mëdha, që sistemi më i egër komunist i Europës, la në një vend ku privoi qytetarët nga liritë dhe të drejtat me elementare dhe e çoi popullatën drejt gjendjes së urisë masive. Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë u bënë viktima të pushkatimeve me dhe pa gjyq, burgosjeve dhe internimeve masive për gjysëm shekulli.

KOMENTE