Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Konferenca e përbashkët: Rama-Merkel-Barroso
English

Konferenca e përbashkët: Rama-Merkel-Barroso

Konferenca e përbashkët për mediat e Kryeministrit Rama, Kancelares Merkel dhe Presidentit të KE Barroso:



Kancelarja Merkel:

Kam kënaqësinë që sot të pres përfaqësuesit e Ballkanit perëndimor. Si kryetar për bashkëpunimin e vendeve të Europës Juglindore kemi Z. Edi Rama Kryeministrin e Shqipërisë. Përshëndes gjithashtu edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Kosova, Sllovenia, por edhe Presidentin e Komisionit Europian Barroso i cili është i angazhuar si gjithë të tjerët për të paraqitur një perspektivë europiane për këto vende dhe ne e mbështesim në këtë drejtim.

Ne kemi biseduar. Në konferencën e zhvilluar, Qeveria Federale ka përcjellë disa ide. 100 vjet pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, ne zhvillojmë një situatë të re, ku në Ballkan të mos ketë më konflikte ushtarake. Prandaj, ne sot kemi pritur 8 kryeministrat, ministrat e ekonomisë dhe ministrat e jashtëm të të vendeve pjesëmarrëse, cilët kanë qenë mysafirë të Gjermanisë. Ne jemi të interesuar dhe mund të themi që në këto vende ka pasur zhvillime të shumta. Ka një gatishmëri për t’u integruar në BE, çka e konfirmon edhe pjesëmarrja e Presidentit të Komisionit Europian. Ne mendojmë që për 4 vjet këtë iniciativë do ta ndjekim ne. Pas një viti, ky takim do të zhvillohet në Austri. Pra, me këtë dëshirojmë të themi se kjo nuk është një ngjarje e ditës sot për sot, por do të ketë një vazhdimësi, do të ketë një proces pune, e padyshim në këtë proces ka shumë për të bërë. Bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve politike, sidomos për sa i përket atyre mes Serbisë dhe Kosovës, ku duhet thënë se kohët e fundit janë bërë përparime të dukshme, por edhe në Bosnje Hercegovinë, edhe këto vende në të ardhmen mendoj se do të ecin akoma më tej.

Kemi folur edhe për bashkëpunimin rajonal. Janë disa elementë, siç janë ato të infrastrukturës, të transportit, në mënyrë që njerëzit të komunikojnë me njeri-tjetrin, në mënyrë që njerëzit të bashkëpunojnë në rajon me njeri-tjetrin. Kemi një ide për të ngritur një rrjet të rinisë, ku të bashkëpunojë rinia. Mendoj se do ta ndjekim një ide të tillë.

Para kësaj konference ne kemi zhvilluar bisedime dypalëshe. Ndoshta Kryeministri shqiptar do të flasë për këtë perspektivë më pas. Kemi folur dhe e kemi bërë të qartë se ne dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejt, që këto vende të integrohen. Kroacia dhe Sllovenia janë anëtare të BE. Vendet të tjera kanë bërë përparime, disa kanë marrë statusin e vendit kandidat. Ne mendojmë ta nisim dhe ta shtyjmë më tej këtë proces, por kjo është në dorën e vendeve respektive. Natyrisht që, njerëzit kanë një pritshmëri të madhe, sidomos për sa i përket aspektit përparimit ekonomik. Unë kam dëgjuar nga zoti Barroso që KE është i gatshëm të ndihmojë. Komisioneri i energjisë Öettinger ka folur me ministrat e ekonomisë dhe ka ofruar gatishmërinë tij. Po kështu edhe Komisioneri Fyle ka folur. Pra, të gjithë bashkë dëshirojmë të shkëmbejmë eksperiencat tona. Ndoshta të dëgjojmë nga përfaqësuesit e vendeve të rajonit se cilat janë pritshmëritë e tyre, cilat janë dëshirat, çfarë dëshirojnë ata nga rajoni ynë për të punuar më mirë, për të qenë më të suksesshëm ekonomikisht, por edhe politikisht.

Edhe njëherë faleminderit shumë!



Kryeministri Edi Rama:

Faleminderit znj. Kancelare për këto komente, dhe mbi të gjitha faleminderit që ndërmorët iniciativën për të na mbledhur së bashku këtu në Berlin. Duhet të jetë e bukur të jesh udhëheqëse e vendit që fitoi Kupën e Botës në futboll. Dhe një udhëheqëse me të cilën, vetë lojtarët kishin dëshirë të dilnin në fotografi. Zakonisht e kundërta ndodh.

Faleminderit President Barroso për praninë tuaj.

Dhe lejomëni të falënderoj të gjithë kolegët Kryeministra nga rajoni për frymën pozitive që treguan gjatë përgatitjes së konferencës dhe sot, në këtë çast historik që na bashkoi të gjithëve në emër të shpresës për një të ardhme më të mirë.

Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishëm, dëshiroj të falënderoj Kancelarin Fejmën për gatishmërinë që tregoi lidhur me organizimin e konferencës së ardhshme duke siguruar kështu procesin e nevojshëm për vazhdimësinë.

Ky ishte një moment i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Nëse kthejmë kokën pas tek historitë (e vendeve tona), jo vetëm tek roli i Ballkanit në luftën që filloi 100 vjet më parë, apo urrejtja dhe gjakderdhja të cilat qysh atëherë kanë shënjuar vendet tona, duhet të ndalemi një çast për të reflektuar se pse ky takim është kaq i rëndësishëm për Ballkanin dhe situatën gjeopolitike të këtij rajoni. Ky takim thekson rolin e Europës si një forcë për ruajtjen e paqes dhe rritjen e prosperitetit dhe askush nuk meriton më tepër merita për këtë sesa Angela Merkel. Dhe në emër të të gjithë Ballkanit Perëndimor, këtu i pranishëm, dëshiroj të shpreh vlerësimin më të madh ndaj Kancelares dhe për angazhimin e saj me vendet tona që synon përmirësimin e situatës dhe dhënien e shpresës për gjeneratat e reja të europianëve.

Jam i lumtur që sot arritëm dakordësinë që këta takime të bëhen të rregullta, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë t’i thellojmë lidhjet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa ne në vendet tona vazhdojmë të ndërmarrim hapa për t'iu bashkuar atij që ka qenë dhe është një bashkim jashtëzakonisht i suksesshëm politik i demokracive.

Brenda BE-së, jam i vetëdijshëm se ka dyshime, zhgënjime, madje edhe zemërim dhe fryma anti-europiane është e fortë në disa pjesë të Europës. Por ne që gjendemi jashtë BE-së e shohim atë jo vetëm si sukses, por si frymëzim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Edhe në ndërmarrjen e hapave të nevojshme për t'u konsideruar si një vend kandidat, ne kemi qenë në gjendje për të sjellë zhvillim tek popujt tanë: kjo tregon fuqinë e Europës dhe BE-së si një ide e madhe reformimi dhe transformimi.

Sot ne bashkë me të gjithë vendet e Ballkanit angazhohemi për të vazhduar në rrugën e reformave, në mënyrë që një ditë të mund t’ju bashkohemi si pjesë e familjes së kombeve europiane.

Ka ende mjaft rrugë përpara. Por nuk duhet harruar se këtë vit, ndërsa përvjetori njëqindvjeçar i Luftës së Parë Botërore afrohej, nuk kishte asnjë konflikt ndërmjet asnjërit prej vendeve të Ballkanit. Një rajon i njohur për luftë, gjenocid, spastrim etnik, tashmë është duke marrë hapat e nevojshëm për një të ardhme më të mirë dhe më të begatë.

Anembanë botës shohim se çfarë konfliktesh lindin kur njerëz me pikëpamje, vlera dhe fe të ndryshme, rrokin shpatat dhe armët për t’i përdorur kundër njëri-tjetrit. Jemi të vetëdijshëm për rrezikun dhe dëmin që sjell diçka e tillë. Më mirë të punojmë së bashku se sa të shpërbëhemi. Vlerat e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë midis vendeve, besimeve dhe feve sot nevojiten më shumë se kurrë dhe sërish Europa mund të veprojë si fanar në botë në këtë kontekst, duke u mbështetur te pësimet e dhimbshme të së kaluarës dhe duke udhëhequr nëpërmjet shembullit të saj në të tashmen.

Është pikërisht harmonia fetare që gjendet në rajonin tonë një nga arsyet pse Papa Francesku zgjodhi për të vizituar Tiranën më 21 Shtator, si destinacioni i parë europian. Kryeqyteti i një vendi europian ku myslimanët dhe të krishterët jetojnë në paqe dhe prosperitet. Harmonia jonë fetare është një vlerë thelbësore që të gjithë ne si europianë duhet ta çmojmë. Ne së bashku po përballemi me sfidën për ta mbrojtur këtë harmoni fetare në zemër të Europës nga kërcënime të qarta në dyert e Europës.

Shumë është arritur deri tani, por nuk ka vend për vetëkënaqësi. Ne e dimë se nuk mjafton të themi se çfarë duhet të bëhet, por ta bëjmë atë, dhe të vazhdojmë ta bëjmë së bashku, me ndryshimet e nevojshme për t’u siguruar se ju na shihni si partnerë dhe aleatë të besueshëm. Si vende që udhëhiqen nga shteti i së drejtës, me institucione politike, ekonomike dhe demokratike të besueshme. Si vende që mund t’i zgjidhin çështjet dypalëshe në mënyrë paqësore e të udhëhequra nga qëllimi i mirë. Dhe si vende që u ofrojnë njerëzve mundësinë e anëtarësimit në BE me kusht që ata, ashtu si ne, të tregojnë se janë gati për këtë.

Në këtë proces nuk do të mungojnë vështirësitë edhe për ju, dhe kjo është arsyeja pse udhëheqja që ju keni treguar, znj. Kancelare, ka qenë aq e rëndësishme për ne.

Por ne besojmë se ashtu sikurse Europa mund të na ndihmojë, edhe ne mund ta ndihmojmë Europën. Ne jemi një rajon i rëndësishëm gjeo-politikisht dhe gjeo-ekonomikisht. Ne jemi një rajon që e ka të qartë se ku shtrihet e ardhmja jonë. Dhe besoj se kjo siguri mund të ndihmojë në stimulimin dhe rigjallërimin e idealit europian, në një kohë kur bota po përjeton kaq shumë turbullira.

Ajo që unë shpresoj se kemi qenë në gjendje të bëjmë, është të tregojmë se kjo nuk është një marrëdhënie njëkahëshe, ku ne kërkojmë, dhe BE-ja thotë po ose jo; por një marrëdhënie ku ne kemi shumë për të dhënë: kapital të madh njerëzor dhe potencial ekonomik në fusha si turizmi, energjia dhe infrastruktura. Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë në fushën e transportit dhe ndërlidhjes, dhe së bashku duhet dhe pa dyshim që do ta bëjmë.

Si Kryetar i Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) Shqipëria ka qarkulluar një dokument pune, i cili parashtron ide për nisma të përbashkëta në shkallë të gjerë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në katër fusha të mundshme.

- Projektet e infrastrukturës,

- Sigurimi i energjisë:

- Mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, financimin dhe edukimin e kapitalit njerëzor:

- Projektet turistike rajonale

Duke punuar mbi këto nisma, ne do të përmirësojmë gjendjen e ekonomive tona dhe do të bëhemi më konkurrues e më të gatshëm për t'u bërë anëtarë produktivë të BE-së. Këto nisma do të jetë me dobi të ndërsjellë dhe unë jam entuziast që kemi ndërmarrë hapat e parë në këtë rrugë bashkëpunimi të madh ekonomik, edhe pse të vetëdijshëm se puna e vështirë për ta bërë realitet fillon tani.

Faleminderit sërish, znj. Kancelare, që na ndihmuat për ta realizuar këtë.

Faleminderit për mbështetjen dhe udhëheqjen që keni treguar.

Faleminderit që e patë dhe e vlerësuat rëndësinë e rajonit tonë. Nga ana jonë, ne dimë se do të ketë nevojë për udhëheqje të mëtejshme, për më shumë ndryshime, nganjëherë të vështira, në vendet tona. Por ne e dimë gjithashtu që edhe çmimi është i madh, dhe jemi të gatshëm për të punuar pa pushim dhe për të udhëhequr me vendosmëri, në mënyrë që kjo të arrihet.



Presidenti Komisionit Europian Barroso:

Kancelaria Merkel, Kryeministri Rama, zonja e zotërinj, mirëdita.

Më lini që të filloj duke shprehur mirënjohjen time për Kancelaren Merkel, që ndërmori nismën për organizimin e këtij Samiti, për mbështetjen e fortë që i ka dhënë axhendës së Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu, edhe politikave që kanë të bëjnë me këtë rajon.

Objektivi ynë i përbashkët është i qartë;

Duam t’i shohim vendet e Ballkanit Perëndimor së fundmi, të jenë anëtarë të Bashkimit Europian.

Ky është synimi ynë i jashtëzakonshëm politik, ekonomik e gjeostrategjik, është udha e duhur për të mbrojtur prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Bashkimit Europian, të mbrojmë gjithashtu, stabilitetin e Bashkimit Europian.

Anëtarësimi i mëtejshëm do të varet nga shpejtësia e reformave të këtyre vendeve. Por gjatë kohës, kjo do të ndodhë dhe nuk duam që të ketë asnjë dyshim për një gjë të tillë. Kemi parë, dhe së fundi, unë isha i pranishëm edhe në Shqipëri dhe e kam parë drejtpërdrejt në vend sesa të rëndësishme janë aspiratat europiane për ata qytetarë. Unë besoj se një proces i administruar me kujdes dhe i ngritur mbi kërkesa të forta e qarta anëtarësimi, dialog të afërt e mbështetje, është ai proces që mund të sigurojë që partnerët e miqtë tanë do të bëjnë atë çka është e nevojshme për t’u përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Progresi në këtë rrugë drejt Bashkimit Europian është i prekshëm, është realist, ashtu siç tregoi edhe anëtarësimi i Kroacisë, por edhe hapat e rëndësishme e domethënëse të bëra nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Në fakt, Komisioni i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian. Forcimi i sundimit të ligjit, shteti i së drejtës, përmirësimi i situatës ekonomike janë thelbësore në këtë këndvështrim. Natyrisht, përgjegjësia për reformat kyçe është në duart e tyre, në duart e vetë vendeve. Siç thamë, kjo është thelbësore gjatë viteve.

Bashkëpunimi rajonal, në të cilin përqendrohemi sot është thelbësor, nuk është luks në këtë rajon. Ndërkohë, bashkëpunimi rajonal do ta bëjë anëtarësimin më të shpejtë në terma praktikë dhe politikë. Politikisht, do të krijojnë stabilitet, praktikisht, do të shmangin pengesat e do të përmirësojnë kushtet për zhvillime ekonomike, të cilat do të çojnë edhe në nxitjen e një mjedisi të parashikueshëm biznesi. Në fakt, kjo është ajo çfarë vlen për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe ashtu siç është treguar, kjo është diçka që nënkuptohet gjithnjë e më tepër.

Sot kemi diskutuar kryesisht sesi të tejkalojmë ato pengesa ekzistuese në rajon, që në fakt janë rrjedhojë e një bashkëpunimi të munguar rajonal. Ka shumë hallka që mungojnë sa i përket rrugëve, rrjeteve hekurudhore apo rrjeteve energjetike. Ka rëndësi thelbësore, për rrjedhojë, që vendet e Ballkanit Perëndimor, me mbështetje të fortë ndërkombëtare europiane të kenë një bashkërendim të fortë mes tyre dhe me Bashkimin Europian, për të shpejtuar investimet. Këtu, ne duhet që të marrim edhe fonde nga instrumentet e paraanëtarësimit, por nuk do të ketë vetëm grante, duhet të ketë edhe hua nga Banka Europiane e Investimeve që është aktive në rajon, gjithashtu edhe BERZH-i që është aktiv dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare. Ky është një hap mjaft konkret, që t’i afrojmë sa më shumë këto vende me njëri-tjetrin. Duke qenë më afër me njëri-tjetrin, ata janë edhe më afër me Bashkimin Europain.

Përtej infrastrukturës, ne duam të lidhim njerëzit, duam të lidhim të rinjtë, siç u përmend nga Kancelarja Merkel dhe Kryeministri Rama e të tjerë, por, gjithashtu, edhe të ofrojmë trajnimin e njerëzve që nga gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë. Pra, ne punojmë në shumë fusha që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës. Unë jam i gëzuar në fakt, që Kryeministri Rama, në cilësinë e tij si Kryetar i këtij Procesi është angazhuar që ta çojë më tej këtë frymë bashkëpunimi.

Ndërkohë që Bashkimi Europian do të luajë rolin e vet udhëheqës nëpërmjet ndihmës së vet dhe të mbështetjes nëpërmjet instrumentit të paraanëtarësimit, me një shumë prej 12 miliardë euro, parashikuar për periudhën 2014-2020. Këto nuk janë vetëm qëllime të mira, është diçka më tepër sesa thjesht një qëllim i mirë. Të paktën 20% e këtij financimi do të shënjestrojë projekte rajonale, por, më thelbësisht, vetëm fakti që ne i kemi mbajtur angazhimet tona financiare në nivele të larta, edhe në kohë të një krize financiare në Europë, është një dëshmi e mirë e përkushtimit të Bashkimit Europain dhe shteteve anëtare, për këtë rajon.

Kështu që, ky është mesazhi që do të doja t’ua përçoja sidomos popujve në rajon, sepse, ashtu siç e tha Kryeministri Rama gjatë takimit, jam i vetëdijshëm që qytetarët e rajonit i kanë sytë nga ne, nga ajo çfarë po ndodh këtu në Berlin, sot dhe duan të dinë nëse kanë një perspektivë të qartë për anëtarësimin e tyre. Përgjigja ime, në emër të Komisionit Europian është: PO! Ka një të tillë. Dhe jam i sigurt që ky takim i sotëm ka ndihmuar që ky moment të krijohet më tej e të forcohet.



Pyetje-përgjigje:

Një pyetje e përbashkët për kancelaren Merkel dhe Kryeministrin Edi Rama. Meqenëse pritshmëritë në Ballkan nga kjo konferencë janë të mëdha, sa besim keni që çështjet, për të cilat ju sot jeni dakordësuar do të behen realitet dhe nuk do të mbeten thjesht një dëshirë e shkruar në listë?

A mendoni se çështja e përgjimeve nga shërbimi sekret gjerman do të ndikojë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Kryeministri Edi Rama:

Në radhë të parë, unë besoj dhe jo vetëm unë, por të gjithë liderët e rajonit besojmë se lidershipi i Kancelares Merkel se shprehja kuptimplotë e vullnetit të Gjermanisë shprehur sot në mënyrë të dukshme dhe të prekshme me marrjen e kësaj nisme, është garancia më e sigurt se konferenca e sotme nuk është fundi, por fillimi i një procesi ristrukturimi në marrëdhëniet mes BE dhe Ballkanit, në terma politikë dhe ekonomikë. Fakti që po sot Kancelari i Austrisë i pranishëm ka anonçuar se vitin e ardhshëm Austria do ta mikpresë këtë konferencë tregon se nuk kemi të bëjmë me një konferencë që mbyllet sot, por një proces që hapet sot, për të shkuar në konferencën e vitit të ardhshëm, duke bërë një bilanc të këtij procesi. Duke ndërtuar më tej procesin, i cili është i konceptuar në harkun e katër viteve.

Nga ana tjetër, për sa i përket pjesës tjetër të pyetjeve, çështjes së përgjimit, unë dua ta nënvizoj qartësisht se këtu nuk ka vend për asnjë spekulim. Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe ne ndajmë me Gjermaninë qëllimin e madh të përpjekjes sonë të përbashkët për një botë më të sigurt, e cila sot kërcënohet shumë seriozisht nga terrorizmi dhe nga krimi i organizuar. Prandaj mes nesh nuk ka vend për asnjë paragjykim apo gjykim, me sytë dhe me mendësinë e së shkuarës, kur bëhet fjalë për sigurinë.

Kancelarja Angela Merkel: Unë iu bashkohem fjalëve që tha Kryeministri Rama për sa i përket shërbimit sekret.

Unë nuk do të ndalem në hollësi, por çfarë presin njerëzit sikurse e përmendi dhe Kryeministri Rama, në një vit ne mund ta provojmë se si po ecet, si po zhvillohet, p.sh siç ishte puna në qeverinë dhe në mbështetjen e Bosnje-Hercegovinës.

Pra, ne duhet të mbështetim popujt. Ne kemi mbështetur marrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës. Po kështu edhe për bashkëpunimin për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë. Pra, ne kemi përmendur rastin kur themi që kemi realizuar përparime, siç janë p.sh kontaktet midis kryeministrit shqiptar dhe atij serb, etj, ose sikurse e përmendi Kancelari austriak që t’i mbështesim në mënyrë intensive këto projekte, për të arritur rezultate. Ne jo vetëm të takohemi në këtë vit jubile, por çdo vit të mblidhemi, të bëjmë një bilanc, të themi se çfarë kemi arritur deri më sot dhe të vendosim piketat për të ardhmen.



Si e shihni ju përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë dhe a do të ketë sanksione të reja?

Pyetje lidhur me integrimin e vendeve të Ballkanit?

Kancelarja Angela Merkel: Ndoshta për këtë pyetjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të flasë Kryeministri Rama, kurse për sa i përket Ukrainës ne kemi thënë se ka një prezencë të ushtarëve rusë në Ukrainë. Ne kemi kërkuar që të ndalet kjo, të vendoset një qetësi edhe në zonat ku janë aktive separatistët. Ne po merremi dhe kemi bërë të qartë që në mars të këtij viti se në qoftë se situata do të përshkallëzohet më tej, atëherë ne do të vendosim sanksione të tjera. Ne jemi në pritje dhe padyshim që do të reagojmë. Unë po e them edhe një herë, kjo është diskutuar edhe në konferencën e Minsk-ut, ne dëshirojmë të gjejmë zgjidhje diplomatike, por ne konstatojmë se situata në ditët e fundit është vështirësuar dhe është rënduar më shumë. Ju lutem zoti Rama.

Kryeministri Edi Rama: Ne po investojmë në paqe dhe stabilitet dhe natyrisht po investojmë në siguri, në bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë, që prej vitesh tashmë. Kështu që, në kohë shumë më të vështira për ne kemi qëndruar fort dhe kemi mbështetur plotësisht qëndrimin e familjes së vendeve demokratike. Në këtë kuptim, ne mbështesim plotësisht pozicionin e Kancelares, pozicionin e Bashkimit Europian dhe në qoftë se bëhet fjalë për të marrë përsipër një kosto për këtë, jemi të gatshëm ta bëjmë një gjë të tillë. Pasi, është thelbësisht me rëndësi që Europa të mos jetë thjesht e përfshirë në punët e përditshme, por të jetë përfaqësuese e vlerave për të cilat ia vlen të qëndrosh dhe të cilat e bëjnë Europën kaq të suksesshme dhe kaq të kërkuar për aspiratat e njerëzve, që kur ky projekt pati zanafillën.

Sa i përket arsyeve për organizimin e kësaj Konference, 11 vjet pas Samitin të Selanikut, ndoshta ishim të shqetësuar që kjo disi është hijezuar nga konfliktet në Ukrainë, në Gaza dhe ndoshta mund të ketë edhe rrezik për atë paqe të brishtë që është vendosur në Ballkan.



Sot dëgjuam edhe Kryeministrin Rama, edhe nga Kryeministri Vuçiç, gjithashtu, që do të kenë një takim së fundi në Beograd. Kështu që, a mund të na thoni diçka lidhur me rëndësinë e këtij takimi, që në fakt vjen pas vitesh?

Kancelarja Angela Merkel: Unë po e tradhëtoj një informacion. Ne filluam një konferencë. Sigurisht që Konferenca nuk ka të bëjë me situatën e keqësuar në Ukrainë apo situatën në Irak. Ne dëshirojmë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mund të integrohet në Bashkimin Europain. Sigurisht, Gjermania, nga këndvështrimi i saj është përpjekur vazhdimisht të luajë një rol konstruktiv, siç janë edhe vende të tjera, Bashkimi Europian, Austria e vende të tjera të punojnë në këtë drejtim. Unë jam shumë e bindur se këto projektet e infrastrukturës, këto projekte e plane të përbashkëta që kemi do të krijojnë mundësinë të thellojmë kontaktet, se pa thellimin dhe forcimin e kontakteve nuk do të kemi një të ardhme të sigurt. Pra, të gjithë sëbashku të punojmë në mënyrë konstruktive për të realizuar projekte të përbashkëta. Dhe, prandaj, edhe këtë ide e iniciativë, ne do ta mbështesim plotësisht.



Kryeministri Edi Rama: Do të vizitoj Beogradin në 22 tetor. Kemi një datë përfundimtare, pas ftesës që është bërë nga Kryeministri Vuçiç. Është një hap më tej, drejt së ardhmes. Kemi kaq shumë gjëra për të diskutuar dhe kaq shumë potencial për bashkëpunim, saqë duhet të punojmë sëbashku, të gjithë sëbashku në rajon, por, sigurisht, edhe mes shqiptarëve dhe serbëve, për të siguruar që nga kjo erë e re në Ballkan, njerëzit të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur, duke qenë se është një mundësi e jashtëzakonshme. Është viti i parë në historinë tonë që jemi në paqe në të gjithë kufijtë. Sigurisht që, kemi probleme, siç e theksoi Kancelarja. Sigurisht, na duhet t’i zgjidhim këto probleme, por, së pari e mbi të gjitha, ne duhet të kërkojmë mundësitë dhe t’u ofrojmë njerëzve, një të ardhme solide dhe të shkëlqyer.

KOMENTE