English

Ministria e Mjedisit, takim konsultativ në kuadër të projektit ECRAN

Ministria e Mjedisit dhe organizatat mjedisore zhvilluan më 17 shtator 2014 takimin e tyre të parë konsultativ në kuadër të projektit ECRAN. Pjesmarrës ishin përfaqësues të OJF-ve të ndryshme me fokus mjedisin dhe klimën, përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit.

Takimi u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mjedisit. Gjatë fjalës së saj, pika fokale e projektit ECRAN, Znj. Ardiana Sokoli, theksoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe qeverisë, për nismat mjedisore, veçanërisht në fushën e përafrimit të legjislacionit në nismën e përbashkët për anëtarësim, duke marrë në konsideratë praktikat më të mira të vendeve të rajonit.

“Ministria e Mjedisit, kërkon të theksojë edhe një herë gadishmërinë e saj për një bashkëpunim të ngushtë me shoqërine civile dhe OJF-të, për të gjetur skemat më të mira për një mjedis më të pastër dhe një jetesë më cilësore. Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike janë pjesë e rëndësishme e axhendës europiane dhe rrjedhimisht edhe për qeverinë shqiptare”-theksoi znj. Sokoli gjatë fjalës së saj.

Në takim u diskutuan mbi dy fusha të rëndësishme të mjedisit, si Menaxhimi i Integruar i Ujërave dhe Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve.

Takimet me organizatat mjedisore po zhvillohen në kuadër të një raundi të ri të dialogut me OJQ-të mjedisore, pjesë e rajonit të zgjerimit, nën emrin “Forumi i Mjedisit dhe i Klimës”. Kjo nismë e Komisionit Europian është tanimë pjesë përbërëse e projektit ECRAN, një projekt i lançuar nga BE në tetor 2013, nga i cili përfitojnë të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale.

Qëllimi i forumit është që të forcojë rolin e pjesëmarrjes së publikut në procesin e përafrimit dhe anëtarësimit, të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të sektorit jopublik dhe të ofrojnë mundësi për përmirësimin e dialogut midis palëve. Përveç dialogut të nivelit të lartë mes KE-së dhe OJQ-ve, OJQ-të kombëtare jane pergjegjese per zhvillimin e takimeve pergatitore ne vend.

KOMENTE