Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
10 Papët me origjinë iliro-arbëroro-shqiptare
English

10 Papët me origjinë iliro-arbëroro-shqiptare

Populli iliro-arbëro-shqiptar deri më tash i ka dhënë selisë apostolike të Romës dhjetë papë:

Papë Klimensi I,
Papë Piu I,
Papë Eleutherus,
Papë Urbani I,
Papë Caios (Kai),
Papë Gjoni IV Dalmati,
Papa Pali IV (Karafa),
Papë Sistus V – Peretti,
Papë Klementi XI
Papë Klementi XII, thotë letrari dhe studiuesi Frrok Kristaj për Telegraf.

Populli iliro-arbëroro-shqiptar padyshim se është populli i parë në Evropë që pranoi me vullnet krishtërimin. Predikimet e para të lajmit të gëzueshëm (për lindjen e Jezu Krishtit) në këto troje i bëri Shën Pali, apostull, pastaj ushtarët ilirë që gjendeshin në kuadër të ushtrisë së Perandorisë Romake, nëpërmjet fisit ilir të Parthëve, Shën Bartolomeu, Shën Luka, Titi (nxënës i Shën Palit), që ishin ilirë e të tjerë. Derisa krishterimi i popullatës ilire merrte përpjesëtime të mëdha, pushteti i Perandorisë Romake këtë filozofi e luftonte me të madhe.
Shqiptarët mbrojtës të krishterimit
Në Iliri ekzistonin komunitete të krishtera. Këto komunitete përndiqeshin nga romakët paganë. Në mbojtje të krishterimit u martirizuan shumë pjesëtarë të fiseve ilire, kështu që kaluan disa shekuj derisa u bë krishterimi religjion i barabartë dhe legal me “Ediktin e Milanos” (313), përkatësisht krishterimin e legalizoi në Perandori Konstandini i Madh, dardano-iliro, i biri i Konstant Klorit dhe Helenës, i lindur në Naissus (Nish) në vitin 285.
Se ilirët nuk pranuan krishterimin me dhunë e argumentojnë përndjekjet që ua bënë romakët ilirëve të krishterë. Në fakt, kur ilirët pagëzoheshin në krishterim, Roma këtë jo vetëm që nuk e pranonte, por edhe e injoronte duke e trajtuar atë si sekt hebraese. Përndjekjet e para ndodhën në kohën e perandorit Neron (54-68), që ishte sundimtar i tmerrshëm, i cili e dogji Romën (64), ndërsa fajin ua la atyre që kishin filluar të pagëzoheshin në krishterim.
Në këtë përpjekje pësuan edhe Shën Pali e Shën Pjetri. Përndjekja e dytë e viteve 100-250 ishte kohë kur krishterimi trajtohej si religjion i veçantë armiqësor ndaj njerëzve dhe ndaj Perandorisë Romake. Ndërkaq, përndjekja e tretë u bë nga viti 250-311, kur sundoi edhe mbreti Dacius (249-251), mbret ky që tentoi ta përtërijë Perandrorinë Romake. Ai i akuzonte të krishterët dhe ata i trajtonte si destabilizues të mbretërisë dhe se feja e tyre e krishterë dallonte nga ajo e Romës. Mbreti Dacius për t’i realizuar planet e veta persekutoi shumë të krishterë, por edhe pse ky vdiq i ri, perskutimet vazhduan edhe nga pasardhësit e tij, si Galil (251-253), Valeriu (253-260) e kështu me radhë. Gjatë asaj kohe persekutime bëri edhe perandori Dioklecian, pjesëtar i fisit dalmat të ilirëve (284-305), i cili urdhëroi të rrëzohen të gjitha kishat dhe të digjen të gjitha librat e besimit të krishterë.
Në radhën e të persekutuarve, përkatësisht të martirizuarve, që kishin prejardhje daedano-ilire, nga Ulpiana ishin edhe Flori e Lauri, skulptorë gdhendës të gurit e të mendimit, të martirizuar në kohën e perandorit Hadrian (117-138). Sipas Farlatit, gjatë sundimit të Hadrianit u persekutuan së pari Prokuli e Maksimi, ndërsa më vonë edhe nxënësit e tyre Flori e Lauri. Bashkë me këta dy martirë, përmenden edhe “shumë shokë tjerë”.
Sipas disa dorëshkrimeve këta (shokë) do të ishin të varfërit e shumtë për të cilët Flori e Lauri i shpenzuan krejt fitimet e tyre duke e ndihmuar popullatën në frymën e Ungjillit. Po ashtu, Flori e Lauri u ndihmuan shokëve edhe në rrëzimin dhe thyerjen e idhujve të deriatëhershëm. Për këtë administratori romak i Dardanisë kishte urdhëruar që të vriten (Flori e Lauri), përkatësisht të digjen (Mijoviq P. “Flor i Lavr – naimari kamenoresci iz Ulpiane”, në GMKM VII-VIII (1962-1963), 330-353; Dragutinac M. “Flor i Lauro”, “Leksikoni i ikonografisë, liturgjisë dhe i simboleve të krishterimit perëndimor”, Zagreb, 1979, f. 230).
Papët me origjinë ilire
Duke mësuar emrat e papëve me origjinë ilire shihet se ilirët pa dyshim se kanë kontribuar ndër popujt e parë të Evropës drejtë besimit të krishterë.
Andaj shkurtimisht po i përshkruajmë në mënyrë kronologjike se sa papë me origjinë iliro-arbëroro-shqiptare janë ulur në vendin e Shën Pjetrit. Ne i kemi dhënë Selisë Apostolike të Romës dhjetë papë. Gjithësesi ka vend për studime të tjera, pasi shumica dërmuese e ipeshkëve të Romës janë nga Italia, ku ka patur pothuajse gjithmonë një prani bukur të madhe iliro-arbëroro-shqiptare.
Për trashëgiminë e lashtë shpirtërore e kulturore ilirët, e më vonë edhe arbërit, përkatësisht shqiptarët, dhanë edhe martirët e tyre të tjerë të fesë e të atdheut. Martirë të tillë këto troje etnike kanë dhënë shumë, si Shën Eleutheriusin, papë, pastaj Shën Jeronimin (Xhera), Shën Astin, Agrikolen, Luanin, Niketë Dardanin, Prenën, Anthin, Therinin, Kuirinin, Irineun, Dankatin, Martinin, Venancin, Lulin, Miroshin, Fran Durrësakun, Gjergj Albanin, Dhimitër Tericianin, Mikel Albanin, Pjetrin e Vlorës, Angjelilen e Shqipërisë, Gjon Rrobaqepësin, Pjetër Bardhin, Gjergj Jubanin, Gjergj Sumën, Dhimitër Vlorën, Emilianin, Adronikun, Apolinin, Izacin, Kodratin, Martin Albanin e shumë e shumë të tjerë, të cilët mjerisht historia jonë kombëtare aspak nuk i njeh, përkatësisht deri të humanistja më e madhe e paqetorja botërore, nobelistja e parë shqiptare – Nëna Tereze, që ishte bijë, motër e nënë e shqiptarëve dhe nënë e mbarë njerëzimit të botës.
Do përmendur se në të hyrë në Konkatedralen e Zojes Ndihmtare në Prizren, në anën e djathtë, nën elterin e shën Ndout, është truporja e shën Nikës (Viktorinit), dëshmor, dhe pranë kësaj trupore të shtrirë gjendet një valixhe e vogël metali, në të cilën ruhen edhe sot eshtrat e këtij shenjti me një shkrim në gjuhën latine: “Corpus, s. Viktorini, martyrus, të Ciriakut”.
Sipas disa të dhënave “Veritas” nr. 5/1982, faqe 15, shën Nika (Viktorini) u lind në Mauritani. Me detyrë ishte ushtarak dhe ka shërbye në Milano (Itali) kur ishte perandor Maksimiliani. Ai ka shërbyer edhe në trojet dardane (shqiptare). E dha jetën si martir për Krishtin në vitin 303, kur refuzoi t’i adhuroj idhujt e rrejshëm dhe kur u deklarua publikisht si i krishterë. Shën Nika ishte dhe mbeti pajtori kryesor i Milanos, pra shenjtë i qytetit të Milanos. Festohet më 8 maj në të gjitha kishat katolike të botës (Imzot Nikë Prela “Shenjtërit – pajtorët tanë”, Drita, Prizren, 1994, faqe 90, përkatësisht Frrok Kristaj “Eshtrat e cilit shenjtë edhe sot ruhen në Konkatedralen e Prizrenit”, “Bujku”, Prishtinë, 24 korrik 1997, faqe 13).
Papët me origjinë iliro-shqiptare
Përveç shenjtërve nëpër shkrime të ndryshme lexojmë, por edhe ndeshim fakte se paraardhësit tanë i kanë dhënë krishtërimit “vetëm një papë, dhe ai mendohet se ishte Gjon Françesku – Papë Albani – Klimenti XI”, gjë që nuk është e vërtetë. Ilirët, përkatësisht arbërorët, i kanë dhënë Selisë Apostolike të Romës dhjetë papë. Megjithatë, ka vend për studime të tjera, pasi shumica dërmuese e ipeshkëve të Romës janë nga Italia, ku ka pasë pothuajse gjithmonë prani iliro-arbërore e shqiptare.
Papë Klimensi I ishte papë i Romës nga viti 90-92 (aty-këtu thuhet se ishte papë nga viti 99-101). Ishte ilir me prejardhje nga Korinthi, që gjendet në afërsi të Mikenës. I përkiste gjuhës dhe kulturës pellazge, e cila në ujëdhesat dhe brigjet e Egjeut flitej sipas Herodotit deri në shekullin V para kohës së re (A. Wolf “Historia e letërsisë greke”, 1925, faqe 7).
Papë Piu I ishte papa i dhjetë me radhë dhe shërbeu papë gjatë viteve 140-155. Ishte i lindur në Aquilea të Istries ilire (tash tokë kroate). I ishte kushtuar tërësisht luftës kundër gnosticizmit. Ai ekskomunikoi Marcionin, njërin prej përfaqësuesve të tij, gjatë një sinodi të mbajtur në vitin 144, duke provuar kështu që Roma ishte bërë qendra më e rëndësishme e krishtere e botës perëndimore. Për nder të motrës së tij, Prudentienes, ndërtoi një kishë në Romë, që e pagëzoi me emrin e saj. Ndoshta ajo ishte një e krishtere e martirizuar në kohën e perandorit Mark Aureli. Papë Piu I është i shenjtëruar (Frrok Kristaj “Ura e kujtesës”, Prishtinë, SHKK “Anton Pashku”, 2008, faqe 68).
Papë Eleutherus ishte i biri i Abondit të Nikopolit, u lind në Nikopolis (Preveza e sotme në jug të Çamerisë) të Epirit. Ishte pasues i Anicetusit, që e mori sekretar të vetin. U bë papë me vdekjen e Shën Soterit dhe shërbeu papë 14 viteve 175-189. U interesua për përhapjen e krishtërimit. Dërgoi priftërinjtë Fugaziusin dhe Damianin për të përhapur ungjillin në Britani, me kërkesën e mbretit Lucius. Është martir, ndaj është shejtëruar nga kisha. Festa që i kushtohet atij kremtohet më 26 maj. Është mbrojtës i udhëtarëve të anijeve. Do përmendur se më 20 shkurt, kalendari kishtar e përkujton Shën Eleuterin, ipeshkëv i Tournai-t në Belgjikë, i cili jetoi ndërmjet viteve 456 e 531, në epokën e pushtimit të Galisë nga mbreti i frankëve, Klodoveu, asokohe pagan.
Rënditet papa i katërmbëdhjetë me radhë. Në veçanti i kontribuoi përhapjes së krishterimit jo vetëm ndër ilir, por edhe në mbarë kontinentin e vjetër të Evropës. Kjo do të thotë se në shekullin II në Iliri ka qenë një administratë kishtare e organizuar mirë. Elementet e para të kishës, të cilët i kanë vënë themelet doktrinës së krishterimit, në shtatë Koncilët e para ekumenike, kanë ardhur nga njerëzit e tokave ilire. Nga kjo del se dikur Iliriku është quajtur edhe “Gadishulli i shenjtorëve”. Papë Eleutherus (117-192) u martirizua nga idhujtarët e Romës, në vitin 192 (Bibl. Enciclopedia italiana fondata da Giovanni Treccani, Roma 1949, vol. XXVI, p. 249; vol. XIII, p. 779. Zhan Klod Faveirial “Historia e Shqipërisë”, Plejada, 2004, f. 80).
Shenjtit ipeshkëv i takoi detyra të hidhte farën e Zotit në zemrën e një populli barbar e idhujtar, frankëve, të cilët, duke ndjekur shembullin e mbretit të tyre, i vetmi autoritet që njihnin, u kthyen masivisht në fenë e krishterë. Eleuteri vijoi kështu veprimtarinë me zell të shumëfishuar si punëtor i Ungjillit, edhe pas kësaj korrjeje të begatë.
Shën Eleuteri, dishepull i Shën Medardit, luftoi kundër heretikëve dhe paganëve. Vdiq në Tournai e u varros në katedralen vendase, që u në menjëherë cak shtegtimesh së përshpirtshme.
Edhe sot e kësaj dite, më 18 prill, kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij, shenjtorë martirë.
Aktet apo shkrimet që flasin për martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq. 173-749 , ashtu edhe ato latine (BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter legjendash. Sipas shkrimeve më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancies, vejushë e konsullit Eugjenio, u shugurua diakon ose meshtar e më pas edhe ipeshkëv nga një farë Aniçeti. I dërguar si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian. Gjykimi nisi me premtime e përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor.
Përkthimi latin i tekstit grek, i realizuar aty nga shekulli VIII, na tregon se Aniçeti, pasi e shuguroi Eleuterin, e çoi të kryente shërbimin ipeshkvnor në Apuliam Aecanam civitatem, prej nga u kthye, së bashku me t’ëmën, në Romë, ku edhe u mbyt më 18 prill. Gjithsesi ai hyri në martiriologun Romak me atributin “Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv i Ilirikut”.
Ndërkaq nuk dimë asgjë për jetën e Eleuterit, kulti i të cilit është shumë i lashtë. Përkujtimi i Shën Eleuterit (disa herë në formën latine Liberalis), në sinasarët vendoset më 15 dhjetor ose 20 korrik; në martriologun Jeronimian, më 18 prill e më pas më 5 shtator e më 24 nëntor. Në Kalendarin Marmoreo të Napolit, më 18 prill; në librat moxarabikë në të njëjtën datë. Edhe librat liturgjikë janë dëshmitarë të kultit të tij.
Një numër i madh kishash u ngritën në Itali për nder të Shenjtit: në Romë në rrugën Labikane; më pas në Nepi, në Vasto e në Parenco d’Istria, ku kremtohej me solemnitet më 18 prill. E kështu me radhë në të gjithë Italinë. Shën Eleuterit i është kushtuar edhe Kuvendi i famshëm i Maiellës në udhën Traiane. Si përfundim mund të themi se nuk duhet përjashtuar identifikimi i tij me martirin romak Liberalis, varrosur në varrezën ad clivum Cucumeris. Tek ky varr në shekullin VII mblidheshin shumë shtegtarë për të nderuar martirin, që me sa duket s’është tjetër, veçse Ipeshkvi i Ilirikut, që derdhi gjakun për Krishtin, ku emri i tij mori trajtën latine Liberalis
Papë Urbani I ishte martir i kishës nga Iliria. Fronin papnor e mbajti gjatë viteve 222-230. Festa e tij është më 25 maj. Rënditet papa i tetëmbëdhjetë me radhë (Bibl. Enciclopedia italiana fondata da Giovanni Treccani, Roma 1949, vol. XXVI, p. 249; vol. XXXIV, p. 771. Fan Stilian Noli “0 Zot, shpëtoje Shqipërinë” në Saint George Cathedral, Boston (USA), 1971).
Papë Caios (Kai) ishte martir i kishës nga Sallona e Dalmacisë. Sipas legjendës ishte i afërt i perandorit Dioklecian. Ishte papa i njëzet e nënti me radhë. Në masë të madhe i pat zbutur persekutimet ndaj të krishterëve. Sipas Prokopit “Në këtë kohë, disa të krishterë punonin në oborrin perandorak dhe nuk ishte e vështirë të mirrej leje për të ndërtuar kisha”. Vdiç më 22 prill 296. U varros në kishën e Shën Kaliksit. Shtëpia ku jetoi ai u kthye në kishë. Më 1631, eshtrat e tij u vendosën poshtë një lteri të madh. Kur më 1880 u hodhën aty themelet e Ministrisë së Luftës së Italisë, eshtrat e tij u vendosën në një kapelë në Barberini. Papë Caiusi kreu detyrën e papës gjatë viteve 283-296 dhe ai më pastaj u shenjtërua. Festa e tij është më 22 prill (Bibl. Enciclopedia italiane, fondata da G. Treccani, Roma, l949, vol. XXVI, p. 249. Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë Plejada, 2004, f. 90).
Papa Saint Caius (283-296) njihet si Papa i parë që vendosi rregullat strikte të sjelljes dhe hierarkitë mes peshkopëve të Vatikanit. Gjithashtu gjatë periudhës së papatit të Caius në fronin perandorak të Romës ka hipur nje nga figurat më të njohura të antikitetit, Diokleciani.
Papë Gjoni IV Dalmati ishte dalmat nga Iliria. Ishte prift në Romë, kur më 24 dhjetor 640 u bë papë (i shtatëdhjetë e katërti me radhë). Dënoi me ashpërsi monothelitizmin në një Koncil që mbajti në Romë. Bëri shumë për bashkatdhetarët e tij, skllevër të sllavëve dhe avarëve, që kishin pushtuar vendin, duke ua blerë lirinë me para. Ndërtoi një kishë me emrin e shejtorit ilir Venantius (kështu quhej edhe i ati i tij). Në këtë kishë edhe sot gjendet portreti i tij. Vdiç më 12 tetor 642, duke patur kështu një pontifikat të shkurtër (640-642). U varros në Katedralen e Shën Pjetrit në Romë (Bibl. Enciclopedia italiane, fondata da G. Treccani, Roma 1949, vol. XXVI, p. 250; vol. XVII, p. 252).
Papa Gjoni IV gjatë papatit të tij nuk e harroi kurrë origjinën e tij shqipëtare dhe sipas historianëve ky Papë ka dërguar dhe ndihma konsistente popullit të Dalmacisë që ndodhej nën zgjedhën e serbëve dhe hordhive barbare.
Papa Pali IV (Karafa) ishte papë gjatë viteve 1555-1559. Rënditet i dyqind e njëzet e pesti papë me radhë. Gjatë kohës së tij, më 1555 u botua në gjuhën shqipe “Meshari” i klerikut shqiptar Gjon Buzuku. Edhe sot është një fshat arbëresh në Kalabri (në Katanzaro) që e mban emrin Karafa (Bibl. Enciclopedia italiane, fondata da G. Treccani, Roma 1949, vol. XXVI, p. 250; 236; vol. II, p. 92; vol. VIII, p. 930; 927. Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985, f. 136).
Papë Sistus V – Peretti (1585-1590) ishte me origjinë nga Margegajt (vend i lashtë dardan e mesjetar) e Tropojes (Enciklopedia e Tropojes. U lind më 13 dhjetor 1520 në Grottammare (Provincë e Ascoli Piceno) në brigjet e Adriatikut në Itali. Zëvendësoi Papë Gregorin XIII (13 maj 1572 deri më 10 prill 1585, ku u pasua nga Papë Urbani VII (15-23 shtator 1590. Ishte fëmijë i një refugjati arbëror nga Margegajt e sotmë të Tropojes (Malësisë së Mirë), vend ky ku nëntoka e saj fsheh një kishë nga më madhështorët e truallit arbëroro-shqiptar. Pra, prejardhja e tij nga Margegajt, prej nga emigroi në shekullin XV bashkë me Dinastinë princore të Spanëve (me seli në Selimaj të Geghysenit të sotmë), që ishin në lidhje gjaku me Derën princore të Zaharinjt (vendbashkimit të Valbonës me Drinin.
Italianët dhe malazezët duan ta kthejnë si të tyrin, por faktet të çojnë te burimi i prejardhjes së tij arbërore, e në veçanti malazezët pretendojnë se ishte fëmijë i refugjatëve, të cilët ikën nga një vend në Schiavonia i quajtur Krushevo, që identifikohej me Krushevicën në Bokën e Kotorrit, gjë që nuk përkon aspak me faktet historike. Ky ishte nga personalitetet shumë të rëndësishëm të krishtërimit.
Përndryshe ky papë (i dyqind e njëzet e nënti me radhë) ndërtoi kolonadën madhështore të Shën Pjetrit në Vatikan (Bibl. Enciclopedia italiana, fondata da G. Treccani, Roma 1949, voI. XXVI, p. 251 ; vol. XXXI, p. 923-924. Edith Durham “Brenga e Ballkanit”, Tiranë, 1991, f. 508).
Malazezët pretendojnë se ishte fëmijë i refugjatëve, të cilët ikën nga një vend në Schiavonia i quajtur Krushevo, që identifikohej me Krushevicën në Bokën e Kotorrit.
Papë Klementi XI apo Gjon Françesk Albani ishte me origjinë nga Arbëria. Është papë që njihet më së miri në opinionin e gjërë arbëroro-shqiptar. Gjithë karrierën e bëri në kurinë romane gjatë viteve 1700-1721. U bë papë (i dyqind e dyzet e pesti me radhë), vetëm 46 ditë pasi u shugurua meshtar. Pati fillim të shkëlqyer të pontifikimit. Bëri shumë për atdheun e tij të origjinës dhe vendlindjen e tij.
Përndryshe, gjatë dhe pas luftës së gjatë të Gjergj Gjon Kastriotit – Skënderbeu kundër Perandorisë Turke, nga viset etnike iliro-arbërore-shqiptare kishin migruar shumë familje arbërore në Itali. Ndër ata refugjatë shqiptarë ishin edhe vëllezërit Gjergj e Filip Mikel Laçi nga Kelmendi e Rugova, të cilët qysh në vitin 1471 ishin ngulitur në qytetitin Rubino të krahinës së Markesë në Itali. Këta vëllezër, sikurse edhe shumë familje të tjera arbërore, edhe në Urbino e kultivonin vetëdijen e origjinës së tyre bujare dhe famën që e kishin fituar si luftëtarë të Skënderbeut, pastaj si njerëz të formuar arbëror dhe fetar. Vëllezërit e përmendur në Rubino e kishin ndërruar mbiemrin nga Laçi (Laci), përkatësisht de’Lai në Albanesi e më vonë në Albani.
Tani familjet Albani në Urbino, përafërsisht nga prosperiteti në mjeshtërinë ushtarake, në shkencë, art e në hierarkinë kishtare, si gjithmonë e edhe më tutje do të ndihen arbëreshë. Në vitin 1494 në Urbino familjet Albani ngrisin monumentin kulturor të quajtur Palazzo dei Principi Albani (Pallati i princëve arbëreshë).
Në anën tjetër, duke qenë të ngulitura famijlet Albani në një qytet universitar, siç ishte Urbino, ata dhe brezat e tyre të mëvonshëm u shkolluan dhe kështu arritën statusin e familjeve intelektuale të afirmuara në Urbino, përkatësisht në krahinën e Makresit në Romë, e më gjerë në Itali.
Nga familja Albani më vonët trashëgimtar ishte Karlos Albani. Ndërkaq, më 23 korrik të vitit 1649 në Urbino lindi Gjon Françesku – Albani, i biri i Karlos e Elenës (mbiemri i vajzërisë Moska), prindërit e Gjon Françeskut ishin familje e afirmuar ndër bujarët e Rubinos. Ata kishin lidhje të ngushta, por edhe ishin afirmuar edhe në Romë.
Gjon Françesku, pas kryerjes së shkollimit fillor (1660), shkon në Romë për të vazhduar shkollimin në “shkollat publike” të Kolegjit të Romës, ku dallohet për zgjuarsi dhe aftësi. Pas diplomimit në drejtësi (1668), vazhdoi të studionte filozofinë dhe teologjinë. Në vitin 1670 praktikisht ai e fillon karrierën kishtare, duke e pranuar emërimin për kanonik. Atëbotë ai më vonë hyri edhe zytarisht në prelaturën romake, përkatësisht u emërua konsultator në Kongregatën Konsistorale të papatit (1677). Shtatë vjet më vonë (1683) Gjon Françesku do të zgjidhet vikar për judiakturë të qendrës së shën Pjetrit, kurse më 13 shkurt të vitit 1690 zgjidhet kardinal.
Në anën tjetër, pas kalimit në amshim të Papë Inoçentit XII, më 27 shtator 1700, konlave e kardinalëve mblidhet (më 9 tetor 1700) për të filluar procedurën e zgjedhjes së papës së ri. Do përmendur se Gjon Françesku deri atëherë nuk ishte prift. Kështu, ai u shugurua prift, (në shtator të vitit 1700) para se të hynte në konklavë, kurse meshën e parë e çoi më 6 tetor 1700 për ta plotësuar edhe atë kusht për t’u zgjedhur papë. Ndërkaq, më 20 nëntor të atij viti Gjon Françesku fitoi shumicën e votave – 40 sosh (konklava e kardinalëve përbëheh nga 66 kardinalë, prej të cilëve në 58 sish merrnin pjesë në mbledhje). Lajmi për zgjedhjen e Gjon Françeskut për papë u publikua më 23 nëntor, kurse Gjon Françesku, përkatësisht kardinali Albani i deriatëhershëm u kurorëzua papë – Papë Klimenti XI në Literan të Romës më 18 dhjetor 1700 pra para 303 vjetëve.
Me rastin e zgjedhjes së Gjon Françeskut për papë (Klimenti XI) në veçanti kishte ndikuar origjina e tij nga vjë vend që e kishin okupuar dhe shkatërruar turqit, sidomos në dhjetë vjetët e fundit, kur edhe i kërcënoshin edhe gjithë Evropës. Bile, dhjetë vjetë më parë (1690) në Kosovë ishte organizuar koalicioni antiturk që e kishte humbur luftën me turqit, kur kishte filluar islamizimi i popullsisë, që deri atëherë te shqiptarët nuk kishte depërtuar më se 10 për qind, por që atëherë kishte vdekur edhe Pjetër Bogdani (6 dhjetor 1689) nga pasojat e luftës kundër turqve. Mu për këtë Papë Klimenti XI ishte më i përshtatshmi dhe joshësi më i madh i rrethanave për ruajtjen e civilizimit evropian nga shkatërruesi i egër aziatik.
Do përmendur se Gjon Françesku kur ishte emëruar kardinal ishte quajtur kardinal Albani, kurse me rastin e emërimit për papë e kishte ndërruar në Papë Klimenti XI, që shfaqet në varianitn e fsit të vet Kelmendi dhe të shën Klementit martir. Mu për këtë deh në Urbino ndërrohej shën Klimenti e që edhe sot në Rubino rruga kryesore e mban emrin e këtij pape – Papë Klimenti XI. Papë Klimenti XI – Albani kaloi në amshim më 19 mars 1721 pikërisht në festën e shën Jozefit (Zefit), që ishte pajtor i të vdekurve dhe mbrojtës i Kishës Katolike.
Papa avancon çështjen kombëtare shqiptare
Papë Klimenti XI, që e kishte krenarinë e madhe për origjinën e vet nga populli Alban(shqiptar), përkatësisht nga fisi Kelmend, këtë do ta arsyetojë edhe me vepra, si në planin kombëtar shqiptar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ai në radhë të parë bën përpjekje të mëdha për ta konsoliduar kjerin katolik shqiptar, sidomos me konvokimin e Kuvendit të Arbënit, pastaj me dërgimin e misionarëve në Arbëri (trojet etinike shqiptare), me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe me botimin e librave në gjuhën e të parëve të tij – në gjuhën shqipe.
Origjinën shqiptare të Patë Klimenti XI të gjithë e dinin, sikurse që i dinin edhe përcaktimet e tij politike ndaj botës shqiptare, ku më së tepërimi ishte rrezikuar krishtërimi, e këto drejpërdrejt kishin ndikuar në ngadalësimin e zhvillimit të qytetërimit evriopian. Për gjendjen në trojet etnike shqiptare ata e joftonin ipeshkëvijtë, sidomos Pjetër Karagiqi, ipeshk në Shkup, Anton Bulbi, ipeshkv në Shkodër, Mihill Suma, Gjon Nikollë Kazazi, ipeshkv i Shkupit e i strehuar në Zym të Hasit të Thatë, pastaj Vinçenc Zmajeviqi e shumë e shumë të tjerë.
Angazhimin e Papë Klimentit XI për çështjen shqiptare e dëshmon edhe biografi i këtij pape, i cili, në mes tjerash thotë se “Gjon Françesk Albani, përkatësisht papë Klimenti XI, që kishte origjinë shqiptare, në veçanti u përkujdes për fatin e kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me angazhimin e tij u tubua kuvendi i ipeshkëvijve katolikë në Ballkan. Nga ajo kohë filloi rekrutimi i të rinjve – djelmoshave shqiptarë që u shkolluan për priftërinj në Kolegjin e Asisit. Kjo ishte një fitore për shqiptarët dhe kuluturën shqiptare, pasi që klerikët katolikë ishin të parët që filluan të shkruanin gjuhën amtare dhe të krijonin monumentet e para të letërsisë shqiptare”. Ndërkaq, Gaetano Moron shkruan se “në vitin 1708 Papë Klimenti XI, origjina e të cilit ishte nga Arbëria, themeloi një fondacion prej katër mijë skudash për shkollimin e studentëve shqiptarë në KOlegjin Urban të Propagandës në Itali”. Nga kjo del se Papë Klimenti XI, apo siç njihet edhe si Papë Albani XI, rëndësi të veçantë i kishte kushtuar kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të dëmtuara dhe atyre ekzistuese etnike shqiptare dhe religjioze.
Papë Klimenti XI konvokon Kuvendin e Arbënit
Gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Otomane (turke) në viset etinke shqiptare në Ballkan jaën mbajtur disa kuvende. Bie fjala, më 1462 është mbajtur Kuvendi i Matit, në materialet e të cilit është ruajtur “Formula e pagëzimit”. Do përmendur se Kuvendin e Matit e kishte konvokuar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kurse punimet e tij kishte udhëhequr Pal Engjëlli, arqipeshkv i Durrësit. Pastaj njihet Kuvendi i Dukagjinit (1601 – 1602), Kuvendi i Prokupit (1616), këto tri të fundit ishin organizuar nga shqiptarët, por në nivel ballkanik, pastaj Kuvendi i Arbënit etj.
Të gjitha këto tubime në përmbajtjen e tyre në radhë të parë të kultivonin frymën dhe traditën kastriotike, frymë këtë që në një formë origjinale e kultivonin edhe arbëreshët e Italisë, nga të cilët do të dalë edhe Papë Klimenti XI – Albani, i cili e kishte konvokuar Kuvendit e Arbënit, e që ishte mbajtur në Kishën e shën Gjonit në Mërkinjë afët Lezhës, më 14 e 15 janar të vitit 1703. Me punimet e Kuvendit kishte udhëhequr imzot Vinçenc Visk Zmajeviku, arqipeshkv i Tivarit, i caktuar nga vet ëpapa në kët detyrë. Në këtë kuvend kaën marrë pjesë Pjetër Zymi arqipeshkev i Durrësit, Pjetër Karagiqi, arqipeshkv i Shkupit, Gjergji, arqipeshkv i Zadrimës, Nikollë Vlladani, ipeshkëv i Lezhes, Ndue Babi, arqipeshkv i Shkodrës, Marin Gjini, ipeshkv i Pultit, pastaj tre misionarë, përfaqësues të rendeve (rregulltarëve) kishtarë, 43 kishtarë të tjerë dhe mbi 200 besimtarë. Në veçanti ky kuvend kishte ndikuar në ngritjen e vetëdijës së qëndresës dhe të krenarisë.
Në anën tjetër, të gjitha vendimet e Kuvendit kishin të bëjnë me qëndrimin e prerë që në forma të organizuara dhe të përbashkëta të përballohet presioni turko – islamik dhe influenca tradicionalisht e fuqishme sllavo – ortodokse, të cilat ngushtonin hapësirën religjioze dhe kulturore shqiptare, përkatësisht diferencimi i plotë nga turqit (islamët) dhe sllavët (ortodoksët), e kjo shpiente drejt forcimit të shqiptarizimit për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare e kombëtare-etnike.
Papë Klimenti XI – Albani i kishte ndihmuar shkollat e Kurbinit e të Lezhës, pastaj sipar urdhrit të tij (Papë Klimenti XI), në Romë ishin hapur dy katedra të gjuhës shqip, njëra në Kuvendin e shën Bartolomeut (në Isola Tibertina) dhe tjetra në Kuvendin e shën Pjetrit të Montorios, këtë të fundit e udhëhiqte Françesko Mario de Leçe, autori i gramatikës së parë shqipe (të botuar në vitin 1716). Njëherësh, ai (papa) njihet edhe si reformator i Universitetit të Romës, sikurse edhe themelues i shtypshkronjës dhe institucioneve të tjera arsimore e kulturore në Romë e gjetkë.
Nga kjo del se puna e shkollimit të arbëreshëve, sikurse edhe e shqiptarëve, hapja e institucioneve shkollore, hartimi i librave shkollorë, sidomos ato për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe angazhimi për atdheun e paraardhësve, ishin aktivitete programore dhe patriotike të Papë Klimenti XI – Albanit. Ai, në fakt, ishte faktor shumë i rëndësishëm për përhapjen e emrit të popullit të tij shqiptar, të historisë dhe të gjuhës së tij (Bibl. Enciclopedia italiana, fondata da G. Treccani, Roma 1949, vol. XXVI, p. 251; vol. X, p. 572; vol. II, p. 95; vol.XXXI, p.923-924, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 585).
Papë Klementi XII apo Lorenzo Corsini ishte me origjinë shqiptare nga nëna. Në damarët e tij rridhte gjaku i Kastriotëve. Korsinët ishin ndër familjet më fisnike të Italisë. Loreci hyri në kurinë romane, bëri karrierë si ambasador i papës, sekretar i thesarit, e tjerë. Emri i tij përmendet si kandidat për fronin papnor në shumë asamble kardinalësh. Më në fund u zgjodh papë (dhe këtë detyrë e kreu gjatë viteve 1730-1740), kur ishte 71 vjeç. Është i pari papë, që vendoset në Quirinale. Roli tij në zhvillimin e arsimit në Shqipëri është i krahasueshëm me të Klementit XI. Ai u angazhua shumë në veprimtaritë misionare nëpër botë. Vdiq në vitin 1840.

KOMENTE