Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Suksesi në luftën kundër korrupsionit, element i sigurisë kombëtare
English

Suksesi në luftën kundër korrupsionit, element i sigurisë kombëtare

Suksesi në luftën kundër korrupsionit edhe si element i sigurisë kombëtare ishte qëllimi i konferencës të Qendrës Europiane të Studimeve për Sigurinë “Marshall”, me qendër në Gjermani dhe Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes, sot, në Tiranë.

Konferencës iu drejtuan edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe ai i Gjermanisë, Helmut Hoffman.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ndërsa parashtroi masat dhe nismat ligjore në luftën kundër korrupsionit, theksoi se në një kohë të shkurtër, Ministria e Mbrojtjes ka bërë më shumë transparencë në buxhetin e mbrojtjes dhe do të vazhdojë të tregojë transparencë dhe gatishmëri kundrejt taksapaguesve.

Ambasadori Arvizu u shpreh se korrupsioni në rajon është një shqetësim, madje kërcënim për gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Ballkan dhe se lufta ndaj tij kërkon përkushtim pasionant dhe qasje metodike. Miqtë e Shqipërisë gjithashtu kanë theksuar rëndësinë sesi duhet adresuar kjo lufte ndaj korrupsionit. Është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat në mënyrë që të mund të trajtohet dhe të përshpejtohen të gjitha masat në këtë drejtim, u shpreh ambasadori Arvizu, ndërsa i theksoi Kryeministrit Rama mbështetjen e plotë të SHBA.

Gjithashtu, ambasadori Hoffman u shpreh për rëndësinë që ka suksesi në luftën kundër korrupsionit. Sipas ambasadorit Hoffman, nuk mund të ketë sukses vetëm duke biseduar për të gjithë kohës, por njerëzit duhet të shohin që korrupsioni nuk do të tolerohet më. Edhe ambasadori Hoffman shprehu mbështetjen për qeverinë shqiptare në këtë përpjekje.



Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën mbi Luftën ndaj Korrupsionit të Qendrës “George C. Marshall”:


Në fakt, besoj që gjatë këtyre viteve të kalimit nga diktatura në demokraci, numri më i madh i konferencave të organizuara, i seminareve, i workshop-eve, i takimeve i është kushtuar korrupsionit. Dhe besoj që korrupsioni nuk është tronditur nga ky fluks konferencash dhe seminaresh. Kjo më ka bërë mua që të jem përgjithësisht refuzues ndaj ftesave për të marrë pjesë në takime ku flitet për korrupsionin. Por në këtë konferencë erdha me shumë dëshirë, në radhë të parë, për të nderuar kontributin e një institucioni si Qendra “Marshall”, kontribut realisht shumë i çmuar në funksion të progresit të bërë gjithë këto vite në Shqipëri. Një kontribut që kemi pasur fatin ta ndjejmë edhe në këtë periudhë të parë të qeverisjes tonë, me asistencën që Qendra “Marshall” na dha për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Një kontribut që kam besim se do të jetë më shumë sesa thjesht kjo konferencë, për të nxitur ndërveprimin aq shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Ngado që të rrotullohesh dhe sido që ta kapësh, një gjë duket qartë, që korrupsioni është një alternativë, nuk është një zgjedhje. E, mjafton të shohësh dallimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, apo të shohësh gjithë shkallët në të cilat janë vendosur vendet e Europës, për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, aty ku ka konkurrencë të lirë dhe transparente nuk ka ose ka shumë pak korrupsion, aty ku ka meritokraci reale nuk ka ose ka shumë pak korrupsion dhe aty ku ka shërbime cilësore nuk ka ose ka shumë pak korrupsion. Për shkakun e thjeshtë se korrupsioni është një alternativë e mungesës së konkurrencës, është një alternativë e mungesës së meritës, është një alternativë e mungesës së shërbimeve.

Dhe lufta kundër korrupsionit, sigurisht që merr një trajtë më të prekshme dhe më të ndjeshme në momentin kur një zyrtar i lartë, apo siç tha ambasadori Hoffman, një gjykatës ndëshkohet, por kjo është vetëm një pjesë e kësaj lufte dhe nuk është pjesa themelore e saj. Kemi parë shumë eksperienca që në emër të luftës kundër korrupsionit kanë sjellë shkelje të lirive, kanë sjellë shkelje të të drejtave të njeriut, kanë sjellë deformime të rënda të sistemit demokratik. Ashtu sikundër kemi eksperiencat kuptimplota të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, - përsëri i kthehem Gjermanisë si një vend model, - ku është e paimagjinueshme që me një bakshish të kapërcesh kontrollin e policisë, apo të fusësh dorën në xhep për të marrë shërbimin në spital, apo të paguash për të marrë dokumentin hipotekor.

Është e paimagjinueshme të shohësh në rrugët e Gjermanisë një shqiptar që nget makinën pa rripin e sigurisë, por unë kam parë gjermanë në Shqipëri pa rripin e sigurisë. Por kjo lidhet me sistemin, nuk lidhet me njerëzit. Nuk janë gjermanët nga genet apo nga një dhunti e veçantë e natyrës të pakorruptueshëm dhe shqiptarët gjenetikisht të korruptueshëm, por është sistemi në të cilin jetojnë dhe bashkëveprojnë njerëzit që i krijon atyre hapësirë ose jo për t’u korruptuar dhe i krijon korrupsionit hapësirë ose jo.

Në një takim me një Ministër të Jashtëm në fillim të qeverisjes sonë, ministër i Jashtëm i njërit prej vendeve më të mëdha të Europës, i kërkova ndihmë për të rritur cilësinë e burimeve tona njerëzore dhe cilësinë e punës sonë për projektet që mund të financohen nga Bashkimi Europian. Dhe ai më tha: “Patjetër që ne do t’ju ndihmojmë, po në qoftë se doni tamam ndihmë, duhet të gjeni një gjerman!”. Duket e çuditshme që vendi më i pasur i Europës të jetë dhe vendi që merr më shumë para përmes projekteve, por nuk është aspak e çuditshme se është sistemi që funksionon. Dhe aty ku s’ka konkurrencë, patjetër që alternativa është korrupsioni dhe përmes korrupsionit fitohen të drejta për të shkelur të drejta. Fitohen të drejta për të ndërtuar monopole, duke shkelur të drejtat e publikut. Aty ku s’ka meritë fitohen grada si në ushtrinë shqiptare deri përpara pak kohësh, duke paguar mijëra euro. Aty ku s’ka mundësi shërbimi, patjetër duhet paguar për të marrë shërbimin.

Dhe lufta kundër korrupsionit, në thelbin e vet, në këndvështrimin tim është: Modernizim, modernizim, modernizim! Është vendosje e shtetit në pozitat që të mos e këtë korrupsionin as konkurrent dhe as alternativë. Sepse aty ku shërbimi është ai i duhuri nuk ka nevojë për të paguar para për ta marrë shërbimin. Aty ku gjërat funksionojnë sipas meritës nuk ka nevojë për para, për të marrë një pozicion apo për të marrë një gradë. Aty ku garat zhvillohen në mënyrë të lirë dhe transparente, nuk ka mundësi për të dominuar garën nëpërmjet parasë.

E, pikërisht, duke besuar tek modernizimi si elementi bazë i luftës kundër korrupsionit dhe si themeli i qëndrueshëm i transformimit të një sistemi të korruptuar në një sistem me një imunitet të konsiderueshëm ndaj korrupsionit, ne kemi vënë theksin dhe kemi këmbëngulur me forcë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe do të vazhdojmë të vëmë theksin e të këmbëngulim me forcë tek gjithë veprimet modernizuese dhe masat modernizuese, tek reformat që sjellin modernizim dhe që e bëjnë të qëndrueshëm shtetin në marrëdhëniet me korrupsionin dhe në përballjen me korrupsionin.

Mjafton t’ju sjell shembullin e arsimit. Ne kemi trashëguar sistemin arsimor më të korruptuar, padyshim, por unë nuk e di se në ç‘ vend tjetër të globit mund të hasim një gjendje të ngjashme. Për shkak të korrupsionit kemi arritur të kemi numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë. Për shkak të korrupsionit të kemi numrin më të madh të Doktorëve të Shkencave dhe të Profesorëve për frymë në Europë. Për shkak të korrupsionit kemi arritur të kemi sot më shumë juristë sesa elektricistë, më shumë juristë sesa rrobaqepës, më shumë juristë sesa marangozë, më shumë juristë sesa punëtorë. Dhe për shkak të korrupsionit kemi krijuar një situatë tragjike për një gjeneratë të tërë, duke ju ushqyer një iluzion të madh në këmbim të parasë. Në këmbim të parasë të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në këmbim të parasë të marrë në mënyrë indirekte. Në këmbim të parasë të marrë në formën e pagesës për ndërmarrjet fitimprurëse universitare dhe në këmbim të parasë të marrë në mënyrë indirekte për diploma tërësisht të pamerituara. Ne kemi arritur që të diplomojmë qindra e qindra italianë që nuk kanë ardhur asnjëherë në Shqipëri. Kemi arritur të diplomojmë edhe njerëz me nënshtetësi të tjera që nuk e kanë shkelur ndonjëherë tokën shqiptare, i kemi bërë inxhinierë, i kemi bërë ekonomistë, i kemi bërë juristë, i kemi bërë doktorë shkencash.

Dhe kush është përgjigja ndaj kësaj situate? Përgjigja ndaj kësaj situate është reforma dhe është modernizimi i sistemit dhe është krijimi i tre kushteve themelore, për ta zmbrapsur korrupsionin: E para, i konkurrencës së lirë; e dyta, i qëndrimit ose jo në pozitën e institucionit të arsimit të lartë sipas meritës; e treta, i cilësisë së shërbimit, të bazuar në kritere dhe standarde të qarta akreditimi. Dhe akreditimin jo me një agjenci shqiptare, sepse shqiptarët me pak mundim dalin të gjithë kushërinj, por me një agjenci ndërkombëtare, tërësisht të shkëputur nga konjukturat e vendit dhe tërësisht objektive në raport me cilësinë e shërbimit në universitete.

E, unë jam i bindur se vendosja e këtyre 3 shtyllave do ta bëjë sistemin tonë të arsimit të lartë shumë më imun ndaj korrupsionit. Ashtu sikundër e bën shumë më imun ndaj korrupsionit, fakti që konkurrenca do të vlejë njësoj, si për universitet publike, ashtu edhe për universitetet jo publike. Më saktë, për universitetet publike të financuara nga shteti dhe ato të financuara nga privati. Heqja e të drejtës së fitimit dhe kalimi nga universitete private me të drejtë fitimi, në universitete publike të financuara nga privati është një tjetër hallkë që i mbyll derën korrupsionit në sistemin e arsimit të lartë.

Ky është vetëm një shembull, por shembuj të tillë, ne mund të japim nga të gjitha fushat. Jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë në spitale, por përgjigja, përsëri, është e njëjta: Aksesi i barabartë, merita mbi kriteret bazë për të shërbyer në spital dhe cilësia e shërbimit e garantuar për të gjithë. E, padyshim, këto, të kombinuara me betejën e vazhdueshme, rast pas rasti, në luftën kundër korrupsionit si luftë konkrete ndaj elementëve të korruptuar. Në këtë fjalën që më kishte përgatitur grupi që është marrë me këtë konferencë, ka statistika. Statistika për rritjen e rasteve të hetuara për korrupsion, 20.8 %; për rritjen e rasteve të dërguara për gjykim, 75%; për 150 % më shumë persona të dënuar nga gjykata për akte korruptive, por të gjitha këto, në këndvështrimin tim, kanë një vlerë shumë relative. Nuk janë këto domethënia reale e një beteje efikase ose jo efikase në luftën kundër korrupsionit. Domethënia reale e një beteje efikase ose jo efikase kundër korrupsionit është niveli dhe thellësia e modernizimit të shtetit. Shtetet moderne nuk kanë korrupsion në formën e alternativës së shërbimit. Është e paimagjinueshme. Shtetet arkaike kanë korrupsion në formën e alternativës së shërbimit dhe përgjigja është modernizimi. Në një shtet modern është e pamundur të parafytyrohet, pavarësisht se mund të jesh shqiptar, mund të jesh afrikan, mund të jesh korean, mund të jesh gjerman, që të kërkosh para për të bërë detyrën tënde. Sepse nuk je më zotërues i monopolit të të drejtës që kërkon tjetri, por je pjesë e një sistemi që e bën të pamundur korruptimin. Kjo është beteja jonë!

Së fundi, ana tjetër e medaljes, që lidhet me gjykatat. Ne kemi drejtësinë më të korruptuar në Europë. Ne kemi një sistem drejtësie që është një turp kombëtar botërisht i njohur. E dimë ne, shqiptarët, e dinë të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, e di bota mbarë. E, në këtë pikë, jam absolutisht dakord me ambasadorin Hoffman dhe me të gjithë ata që ngrenë supet përballë ndjesisë së një impotence shoqërore, kur vjen puna tek përballja me aktet dhe vendimet e gjykatave. E, me të drejtë, pyesin se si ka mundësi që asnjë gjykatës nuk është ballafaquar me ligjin për shkak të shkeljes së ligjit nga ana e tij. E, sigurisht, kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete, të cilën duhet ta japin padyshim institucionet dhe e cila është padyshim e pashkëputur nga përpjekja për modernizimin e sistemit.

Ne jemi zotuar për të bërë një reformë të thellë në drejtësi. Ne e kemi filluar reformën në drejtësi. Do ta çojmë përpara me vendosmëri dhe pa parë majtas-djathtas, dhe pa u ndalur për t’i mbushur mendjen kujt nuk e do reformën në drejtësi apo kujt e do me ritmet e breshkës. Por, pa as më të voglin dyshim, reforma në drejtësi është reforma e modernizimit, që rezultatet konkrete do të dojë kohë për t’i sjellë për qytetarin e zakonshëm që duhet të trokasë në dyert e drejtësisë. Ndërkohë që afrimi në kohë i rezultateve lidhet drejtpërdrejtë me ndëshkimin e gjithë atyre njerëzve të drejtësisë që çekiçin e gjykatësit e përdorin për të shkelur liri dhe të drejta njerëzish të pafuqishëm. Gjykatat tek ne janë bërë mjeti për të amnistuar më të fortët dhe për të ndëshkuar më të dobëtit. Ndërkohë që e kundërta dhe të jetë e vërtetë. E, pa as më të voglin dyshim, në këtë aspekt ne nuk duhet të kemi alibi. Secili duhet të bëjë detyrën e vetë dhe ne do të bëjmë detyrën tonë, si Qeveri. Sigurisht që Qeveria nuk është e vetmja forcë që çon përpara reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi është një reformë shumë më komplekse sesa thjeshtë dhe vetëm përfshirja e Qeverisë, vizioni dhe vullneti i Qeverisë. Por, padyshim, ne do ta udhëheqim këtë reformë përmes shumicës tonë parlamentare. Shumica jonë parlamentare do të marrë të gjitha vendimet e duhura për ta kapërcyer sa më shpejtë hendekun e madh që na ndan nga vendet ku drejtësia ka kuptim dhe për ta lënë sa më shpejtë pozicionin e një vendi ku drejtësia ka humbur kuptimin edhe si fjalë.

Në mbyllje, dua edhe njëherë ta falënderoj Qendrën “Marshall”, jo për politesë, por realisht për krijimin e kësaj mundësie. Sepse besoj se ka edhe një përmasë tjetër të domosdoshme që nuk mund të neglizhohet dhe për më tepër, nga e cila ne duhet të përfitojmë në këtë fazë të re për rajonin, që është përmasa e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Praktikisht, një raport i “Global Financial Integrity” i vitit 2013, jep një shifër që është ulëritëse dhe alarmante lidhur me sa para i ka rrëmbyer krimi Ballkanit, në formën e evazionit, të taksave të papaguara, - Ballkanit të varfër që shikon nga Europa me dorën e shtrirë për të marrë qoftë edhe projekte shumë të vogla nga pikëpamja financiare, - 83.5 miliardë euro, nga viti 2001 deri në vitin 2010. 83.5 miliardë euro është një shumë e paimagjinueshme për buxhetet dhe për fuqinë ekonomike të vendeve të këtij rajoni. Janë 83.5 miliardë euro që kanë munguar nga viti 2001 deri në vitin 2010 në arkën e vendeve të Ballkanit, sepse janë thithur nga krimi, vetëm në formën e taksave të papaguara. Nuk po flasim për forma të tjera të financimit të krimit të organizuar.

Edhe në këtë aspekt është me shumë rëndësi që ne të përfitojmë nga eksperienca e njëri – tjetrit. Dhe unë besoj që një nga dimensionet themelore të Konferencës së Berlinit, ku të gjithë liderët e rajonit u mblodhën në një tryezë me Kancelaren Merkel, ishte edhe mundësia e re për të bashkërenduar betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një betejë që është një betejë modernizuese, por që është një betejë që kërkon gjithmonë e më shumë ndërveprim. Sepse ndërkohë që ne kemi një Europë të bashkuar me kaq shumë procese dhe me kaq shumë burokraci, Europën e Bashkuar të shteteve, Europa e bashkuar e kriminelëve funksionon si një sahat. S’ka Komision, nuk ka platforma zgjerimi të shtyra për vitet e ardhshme, nuk ka nga ato kapitujt e integrimit. Funksionon aq mirë, sa në çdo telefon kriminelësh shqiptarë të arrestuar për trafiqe ka më shumë sesa 3 prefikse. Asnjëherë nuk gjen një telefon ku të ketë vetëm komunikime lokale. Komunikimet janë ndërkombëtare dhe gjithmonë ka më shumë se 3 prefikse. Që do të thotë se Europa e bashkuar e krimit është përballë nesh në formën e një sfide shumë të madhe dhe është e lidhur dhe ndërvepron intensivisht çdo ditë e çdo natë. Ndaj, ndërveprimi intensiv çdo ditë dhe çdo natë është përgjigja e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme për ta përballur krimin, për të përballur edhe korrupsionin në format e veta të larta dhe të sofistikuara. Ndërkohë që për ta përballur korrupsionin në nivelin e qytetarëve dhe të jetës së përditshme, fjala kyçe është modernizimi.

Faleminderit!

KOMENTE