Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kryeministri Edi Rama në konferencën “Shqipëria dhe Italia. Fjala e tij e plotë
English

Kryeministri Edi Rama në konferencën “Shqipëria dhe Italia. Fjala e tij e plotë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën “Shqipëria dhe Italia: Një partnership për Europën”:

Dua ta nis fjalën time me shprehjen e një europianisti të madh dhe një miku të posaçëm të shqiptarëve, edhe miku im, shpresoj të jem dhe unë miku i tij. Ai quhet Romano Prodi dhe është një nder i madh që e kemi sot, mes nesh: “Themeli i Europës ishte bashkimi i vendeve të ndryshme për të ndërtuar diçka të re, për ta mbyllur me tragjeditë e së shkuarës dhe duke punuar sëbashku, duke bashkuar forcat e burimet për të ndërtuar një të ardhme të begatë e në paqe. Sot, e tashmja thith kuptimin e të ardhmes dhe Europa e shpresës është bërë Europa e frikës.”

Besoj se Europa e frikës ka shumë pamje dhe shumë anë. Por unë mund të them se padyshim i kam parë vetë, nga afër, disa prej tyre. E, si shqiptar dhe si ballkanas jam ndier nganjëherë fort i sëkëlldisur që më është dashur ta mbroj me një zell të madh, europianist, Europën e shpresës, përballë europianësh prej Holande, prej Anglie, të cilët Europa e frikës i bënte të dukeshin si ballkanas apo si shqiptarë skeptikë për zgjerimin e Bashkimit Europian. Llafi që bie, kuptohet, s’kam gjë as me holandezët, as me anglezët, sepse europianë të trembur ka deri në majat më të larta të politikës së jo pak vendeve anëtare. Por shqiptarë dhe ballkanas shpresëhumbur për Europën e Bashkuar, ende zor se gjen edhe në kafenetë e provincave më të humbura, ku zien ekspresi i politikës shqiptare apo ballkanike, se pak a shumë është e njëjta gjë.



I dashur Profesor Prodi,

Sot gjej rastin t’ju them se më është dashur t’ju përgojoj shpesh, në takimet e panumërta që kam bërë, deri ditën që më në fund na e dhanë atë të shkretë status të vendit kandidat, pas aq refuzimesh, sa ia kemi dalë që edhe për numrin e refuzimeve të kemi pikëpamje të ndryshme me opozitën, këtu në Shqipëri. Por numri i vërtetë nuk ka rëndësi, përderisa jemi refuzuar, në fakt, si askush tjetër në Europë, më shumë se 2 herë dhe për këtë biem dakord edhe me opozitën, në kërkesën tonë për të marrë një status që mbi të gjitha ka një vlerë të madhe morale për një vend si i yni. Ju kam përgojuar për të lehtësuar peshën e Europës se frikës në gjykimin e bashkëbiseduesve të mi për Shqipërinë, duke u treguar se si ju, me një invencion gjenial, ndarjen e statusit kandidat nga negociatat, arritët që t’u jepnin maqedonasve dhe shqiptarëve, përmes statusit pa negociata, arsyen më të fortë për t’i lënë mënjanë armët dhe për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, që sollën më pas një marrëveshje historikë dhe një paqe të qëndrueshme, sado me probleme ende për t’u zgjidhur mes tyre, bazuar mbi atë marrëveshje.

Ai moment i historisë bashkëkohore të Ballkanit është ndoshta, një ndër më kuptimplotët për të shpjeguar forcën çudibërëse të Europës së shpresës në shpirtin dhe në imagjinatën e popujve që kërkojnë një paqe të qëndrueshme dhe një perspektivë mirëqenieje. Një status thuajse simbolik për nga përmbajtja, ai i kandidatit për në Bashkimin Europian, por thellësisht kuptimplotë për të ushqyer në gjirin e lënduar të përkatësisë europiane, tek popujt ende jashtë mureve të lartë të BE-së. Aq sa c’motivoi një fuqi nxitëse për ne, shqiptarët, kur e morëm, besomëni, aq nxiti edhe një fuqi dyshuese për të tremburit nga Europa e frikës, kur duhet të na e jepnin.

Më kujtohet ende dhe besoj se do të më kujtohet gjatë, nga ajo periudhë marramendëse takimesh dhe bisedash, që filluan të ngjanin si seanca psikanalize, shprehja e shumëpërsëritur në veshët e mi: “Nuk diskutohet që do ta merrni statusin, diskutohet vetëm kur do t’jua japim.” Një formë e përsosur agonie e një vendimmarrjeje, për të cilën u deshën vite të tëra. Natyrisht, tërësisht për fajin tonë, nëse Bashkimin Europian do ta marrim kështu siç është sot, një makineri ku drejtimin e përcakton taktika, jo strategjia, kurse shpejtësinë e përcakton frika për të mos u përplasur as me ajrin dhe jo dëshira për të mbërritur në majën e lartë, që kanë treguar qysh në ditën e parë të kësaj ëndrre, themeluesit e Europës së Bashkuar.

Unë u jam mirënjohës organizatorëve të kësaj konference, Ambasadës Italiane dhe posaçërisht Ambasadorit Gaiani, gjithnjë besnik i reputacionit të tij dhe të vendit të tij, për mbështetje të zjarrtë të Shqipërisë dhe përpjekjes sonë drejt Europës; Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”; Profesorit Ornaghi, personalisht, që nuk janë kursyer në mbështetjen e tyre, as këtë herë. Ashtu siç i jam shumë mirënjohës, Presidentit të Komisionit të Jashtëm të Senatit Italian, të nderuarit Pier Ferdinando Casini, për praninë e tij këtu. E, padyshim, njeriut me të cilin fati ynë europian na lidhi në ditët më të vështira të tranzicionit demokratik, atëherë kur Kryeministri Romano Prodi, siç e përmendi edhe në fjalën e tij, erdhi në mort bashkë me një mision, të pagëzuar “Alba”, “Agimi” dhe prej atëherë mbeti gjithmonë nxitës që “agimi” të bëhej “diell” i fortë mbi Shqipërinë. Dhe të gjithë të tjerëve që kanë ardhur nga Italia, për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Por, më lejoni t’ju rrëfej se do të kisha pasur shumë dëshirë, që bashkë me të gjithë këtu, me të cilët, fatmirësisht dhe fatkeqësisht, jemi komplet dakord, të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të të tremburve nga Europa e frikës. S’e kam fjalën thjesht për ata që janë italianë dhe që lavdi Zotit, por edhe falë vendosmërisë europianiste të politikanëve dhe qytetarëve italianë, pjesës më të madhe, nën lidershipin e mikut tonë dhe zëdhënësit të Europës së shpresës, Matteo Renzi, u zmbrapsën nga mesazhi i shpresës në zgjedhjet e fundit parlamentare. E kam fjalën për të gjithë ata që e kanë humbur sensin e madhështisë dhe të fuqisë frymëzuese që ka projekti i Europës së Bashkuar, i cili, këtu në Shqipëri dhe në Ballkan, ka përcaktuar jo vetëm sensin e përbashkët të drejtimit strategjik mes individësh, partish, forcash shoqërore, shtetesh që arrijnë të ndahen për çdo gjë. Aq sa një balonë elektronike, njëri rrezikon ta qëllojë si aeroplan luftarak që i kërcënon sigurinë territoriale, duke u hedhur në luftë me tjetrin; tjetri mund ta pagëzojë si ‘shpend mitik’ që lajmëron mrekullinë e 8-të të botës dhe të dy janë gati të hyjnë në një luftë për një të vërtetë që, në fakt, s’është as njëra dhe as tjetra.

Por përveç sensit të drejtimit strategjik, projekti i Europës së shpresës ka bërë realitet ballkanik, mrekullinë e një paqeje rajonale, që deri fare pak vite më parë as dhe më optimistët nuk e parashihnin aq të afërt, sa koha e jetës së tyre. Pikërisht në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu pikërisht këtu rreth nesh, në Ballkan, ku 100 vjet rresht patëm luftëra, konflikte nga më të përgjakshmet, mëri të pafundme dhe ndasi të pambarimta, ky rajon po jeton vitin e parë që ka filluar pa asnjë kufi në konflikt. Për herë të parë, të gjithë liderët e rajonit janë ulur në një tryezë, në Berlin, jo për të vazhduar të grinden për kufijtë që na ndajnë, por për të bashkuar forcat dhe energjitë, për të shkëmbyer idetë; diskutuan mbi parime të përbashkëta që mund ta kthejnë këtë paqe, në një paqe për të cilën ia vlen të jetosh, siç thoshte Presidenti Kenedi. Këtë paqe ia vlen ta jetojmë pikërisht për atë ç’ka na shtyu fort, me vite të tera, mes sakrificash herë – herë të skajshme, për ne si shqiptarë dhe kompromisesh të hidhura që ta arrinim. Për Europën e shpresës dhe rajonin dhe vendin e secilit prej nesh, si pjesë e bashkuar e Europës së shpresës. Pa Europën e shpresës si aspiratë e përbashkët, lumenjtë e pafundmë të gjakut, të derdhur prej armiqësisë në Ballkan, nuk do të kishin sjellë dot, sot, vitin e parë të paqes mes gjithë atyre, që deri dje jetonin të ndarë nga gjaku i nxjerrë prej trupit të tjetrit.

Pa Europën e shpresës si projekt i përbashkët, as ngatërresa që nisi të mërkurën, në stadiumin e Beogradit, si çartje huliganësh dhe që vazhdoi si përçartje politikanësh, nuk do të kishte përfunduar dot, me një bisedë mes dy kryeministrave për të rivendosur datën e një takimi të munguar 68-të vjet.

Pa Europën e shpresë, sot e përditë, ky rajon mund të flasë përsëri, tamam siç e ka namin e hershëm, si ‘fuçi baruti’, në daç prej një topi futbolli, në dac prej plagëve të shumta që ziejnë në trupin e tij të rraskapitur nga luftërat, izolimi, nëpërkëmbja. Nuk duhet ndonjë imagjinatë e rrallë për ta parafytyruar se ç’pasoja do të kishte për Europën e sotme të frikës, një Ballkan që nuk do ta shihte dot, qoftë edhe për pak kohë, Europën e shpresës në fundin e rrugës së përpjekjeve të tij për integrim në Bashkimin Europian. Një Ballkan që do të ndjehej i tepërt, i papunësuar dhe i papunësueshëm, i pa të ardhme, në mes të një Europë të trembur nga vetvetja dhe të mbyllur atje. Një Ballkan i ndodhur mes lindjes dhe perëndimit, teksa rreket të bëhet pjesë e Europës së Bashkuar, duke e kthyer diversitetin e vetë të jashtëzakonshëm, në forcë dhe që ndeshet nga njëra anë, me formën e përsosur të agonisë, vendimmarrjes së BE-së lidhur me zgjerimin dhe në anën tjetër, me format agresive të epidemisë së terrorizmit islamik, apo të shqyerjes së vendeve sovrane, mu ngjitur me kufijtë gjeografikë të shteteve të NATO-s.

Pas pak më pak se 1 muaji, më në fund, do të bëhet realitet dhe një ëndërr tjetër, shumë e vjetër e shqiptarëve. Më në fund, Shqipëria do të luajë futboll me Italinë. Me siguri, shumë shqiptarë do të shkojnë në stadium me flamujt e tyre, madje po të duan, edhe me drone-t e tyre, që tanimë kanë filluar të shiten në supermarkatot e Gjermanisë me emrin “Albaniche Drone”. Kushtojnë, më duket, nga 5 euro.

Askush nuk e dinte autorin e dronit, por vëllait tim i ra fatkeqësia të hyjë, pa bërë asgjë, në listën e gjatë të heronjve të rremë ballkanikë. Sa shumë heronj të tillë ka prodhuar Ballkani, që s’kanë bërë asgjë për të qenë heronj! Por ç’ka unë di me siguri, është se kush ndër ne, shqiptarët e kam fjalën, politikanë, analistë apo atdhetar i keqkuptuar me vetveten, donte të vazhdonte vazhdimin fatkeq të pasndeshjes së politikanëve, analistëve apo gazetarëve serbë, duke bërë thirrje partiake, duke dhënë opinione publike, ose shkruar lutje të sinqerta në rrjetet sociale për anulimin e vizitës time në Beograd, gabon katërcipërisht. Anulimi i kësaj vizite në Serbi nuk do të ishte përgjigja e merituar për gjithçka pa të drejtë i’u bë Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin serb, por do të ishte ulja e pamerituar e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në nivelin e një luftë deklarative shterpë, me pasojë, as më shumë dhe as më pak, por abortin e procesit historik që nisi në Berlin; Cenimin me duart tona, jo më serbe, të shembujve frymëzues të Shqipërisë dhe rolit paqësues dhe emancipues që shqiptarët kanë marrë në rajon; Rënie e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon në një shkallë prej ku jo Serbia, por Shqipëria do të ishte humbësja më e madhe, si investitorja më e madhe dhe nga ana tjetër, kontributorja më e madhe për të ushqyer Europën e frikës, duke i dhënë Europës së frikës argumentin se këta jo vetëm janë në gjendje t’i turren tjetrit për një ndeshje futbolli, por janë në gjendje që pas ndeshjes të shkojnë mbrapsht, deri në Luftën e Ftohtë. Pra, nuk na duhen dhe mirë e keni, që keni frikë nga këta.

Kam dëgjuar disa ndër kundërshtarët e kësaj vizite në Beograd, të thonë se mosanullimin e vizitës, Qeverisë sonë ia ka imponuar Brukseli. Brukseli ka imponuar shumë gjëra në Shqipëri, por këtë jo! Nuk është aspak e vërtetë. Ashtu siç nuk ka imponuar Brukseli, as thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Ashtu siç nuk na ka imponuar Brukseli, as nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Apo ashtu siç e dimë shumë mire, që nuk na e imponoi Brukseli dhe që mezi na e dha, statusin e vendit kandidat. Siç nuk na e imponoi Brukseli aspiratën, projektin, rrugën e Europës së shpresës, nuk na imponon Brukseli, të jemi europianë dhe të sillemi si europianë, edhe kur të tjerët, - këtu nuk kam parasysh vetëm serbë në këtë rast, që po e po, - sillen si jo europianë me ne. Madje, çfarë europianësh mund të jemi ne, nëse rrugën e integrimit europian e shohim si një detyrë që na e kanë dhënë të tjerët, jo si një detyrim që e kemi ndaj të parëve tanë, ndaj vetes sonë, ndaj fëmijëve tanë; Çfarë europianësh mund të jemi ne, nëse sillemi si të tillë vetëm kur të tjerët sillen me ne si europianë dhe jo kurdoherë që vlerat dhe parimet tona europiane duhen të përcaktojnë sjelljen dhe natyrën e vendimeve tona; Çfarë europianësh mund të jemi ne, nëse qenia jonë europiane ndryshon lëkurë dhe qenia jonë politike ndryshon vizion dhe strategji, për shkak të një ndeshjeje futbolli, të një prurje huliganesh apo një klase politike matanë, që ka humbur mendjen nën trysninë e korit të huliganëve. Askush s’më ka marrë mua në telefon të më thotë “mos e anulo takimi me Kryeministrin serb”. Po, pse e them ketë? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse unë e marr si komplimentin më të madh për imazhin e ri që ne po i japim Shqipërisë dhe për besimin që kemi krijuar tek ky imazh europian, pas cenimit të rëndë që politika i bëri figurës së vendit tone, me ca klithma nacionaliste, që ishin “vajmedet”.

Ne nuk na bën europianë ose jo europianë, askush tjetër, përveç vetvetes. Shqipëria europiane nuk është një fije bari në një fushe futbolli, që shkulet me një goditje, por një trung që rrënjët e veta i ka thellë në historinë e saj. Ndërsa degët e veta më të reja i ka në çdo mendje dhe në çdo zemër shqiptare, kudo ku jeton, që rriten në Europën e shpresës, në Europën e dijes, në Europën e kulturës, në Europën e paqes dhe të prosperitetit, e cila vjen nga bashkëjetesa dhe nga bashkëpunimi në paqe.

Shqipëria europiane nuk është vendi ku duhet të bëjmë garë dhe të shtyhemi me njëri – tjetrin kush ia kërcet më fortë komshiut, kur komshiut i ka ikur truri.

Shqipëria europiane është vendi ku Papa i Romës zbriti në stacionin e tij të parë në Europë dhe u prit nga europianë, myslimanë e të krishterë, që mbushën bulevardin pa u zbardhur akoma dita.

Sigurisht, që Shqipëria europiane nuk mund të jetë kurrë, vendi ku Europa e bashkuar është një gjethe fiku për të fshehur burrninë luftarake që ngre krye, sa herë kryet marrin flakë.

Sigurisht, që nuk e kam harruar që këtu kemi ardhur për partneritetin strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë. Dhe ju siguroj se nuk e quaj të shteruar fjalën time për këtë miqësi të shkëlqyer dhe për këtë partneritet që ambasadori Gaiani mori gabimisht leje, por që në italisht i thonë “imprescindibile”. Me aq sa pashë, thjesht për ndeshjen shumë miqësore që do të bëjmë me Italinë me 18 nëntor.

Italia ka qenë dhe është padyshim, partneri më i afërt dhe më i natyrshëm në rrugëtimin tonë drejt Europës si një destinacion brenda nesh, për vetë historinë dhe detin që ndajmë më njeri – tjetrin.

Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, në thuajse gjysmën e peshës në eksporte dhe rreth 35 % të peshës në importe, me diferencë të ndejshme nga të tjerët. Por, për sa të afërt jemi në të vërtetë, në të vërtetë, volumet nominale që qëndrojnë pas këtyre përqindjeve janë ende shumë pak. Shumë pak! Në Shqipëri operojnë rreth 1460 sipërmarrje italiane, me kapital italian ose kapital të përbashkët, me aktivitete në sektorë të ndryshëm. Këtë numër, unë se sjell këtu për të thënë sa shumë jemi, 1460, por për të thënë se sa shumë vend ka për shumë më shumë. Se pavarësisht se 1460 sipërmarrje italiane janë më shumë, dukshëm, sesa sipërmarrje vendesh të tjera, për atë që në të vërtetë ne jemi për Italinë dhe që Italia është për ne, janë shumë pak. Potenciali i pashfrytëzuar i bashkëpunimit mes dy vendeve tona është jashtëzakonisht më i madh.

E, unë besoj se ka 3 aspekte kryesore që e nënvizojnë këtë potencial dhe që duhen parë dhe duhen ndërthurur me njëra- tjetrën, nëse duam ta zhvillojmë këtë potencial.

I pari, sigurisht është zgjerimi i lidhjeve, i marrëdhënieve ekonomike, kulturore dhe ndërqeveritare;

I dyti, është zhvillimi i bashkëpunimeve inovative;

I treti, është bashkëpunimi me intensiv për integrimin e Ballkanit me vetveten dhe me Europën e bashkuar.

Këtu dua të vë një theks të fortë, pasi unë besoj që Italia ka një rol shumë më aktiv për të luajtur në këtë drejtim, duke pasur parasysh që jo vetëm kontributet që Italia ka dhënë për vendet, po t’i marrim veç e veç, por duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet shumë të afërta që vendet veç e veç kanë me Italinë. Për të bërë një thyerje të lehtë, meqenëse këtu kemi dy miq shumë të shquar, përpara rreth 1 viti takova Gianni Amelion këtu në Tiranë, ishte hera e dytë që e takoja në Tiranë. Kemi një marrëdhënie miqësore. Herën e parë e kam takuar në ’91-‘92, mos gabohem, kur erdhi për të bërë “L’America”-n, filmin e shqiptarëve që iknin në Itali. Vjet kishte ardhur për të bërë, nuk e di titullin, filmin e italianëve që vijnë për të gjetur punë në Shqipëri. Nuk e kam parë filmin, por filmi ka një të vërtetë brenda. Jo se Shqipëria është bërë vendi ku italianët mund të vijnë të gjithë dhe të gjejnë punë, por, me siguri, Shqipëria është bërë vendi ku sipërmarrjet italiane mund të gjejnë gjithçka që e kërkojnë sot dhe nuk e gjejnë në Itali.

E besoj që edhe në këtë aspekt meriton joformalisht një falënderim të megjithëzemërt, ambasadori Gaiani, i cili i ka dhënë një shtytje të madhe marrëdhënieve mes dy vende, pa u kushtëzuar nga tronditjet politike, këtu apo atje dhe nga ndoshta, në momente të caktuara, ç ‘fokusimi, sidomos atje më shumë se këtu, për këto marrëdhënie. Krijimi i Grupit të Miqësisë mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Italisë, por edhe grupi i parlamentarëve që është ngritur për të promovuar dhe për të mbështetur investimet italiane në Shqipëri, besoj që janë një shenjë inkurajuese. Sigurisht që Masimo Gaiani e ka punën më të lodhshme se të gjithë kolegët e tij, sepse këtu të gjithë kuptojnë italisht dhe 60 % e flet italishten. Ndërkohë që ambasadorët e vendeve më të trembura nga Evropa e kanë të vështirë t’ua shpjegojnë në gjuhën e tyre shqiptarëve, se pse e kanë frikë zgjerimin.

Por, përtej kësaj, besoj edhe për një arsye tjetër është shumë e rëndësishme Italia, sot. Sepse Italia është përfaqësuesi më i afërt dhe më rrezatues i Europës së shpresës dhe i një Italie që sot rrezaton shpresë edhe tek ne, përveçse ndjehet e mbushur me shpresë brenda vetes, falë Qeverisë se re. Ndjehemi shumë afër me Qeverinë e re, jo për shkak se ngjajmë dy kryeminsitra, por se kemi dy ministra mbrojtje gra dhe e kemi kuptuar më në fund se kush është mbrojtja më e mirë. Besoj që kontributi i rëndësishëm që Italia ka për të dhënë, lidhet ngushtësisht me kontributin që secili prej nesh në Ballkan ka për të dhënë, në mënyrë që ekonomitë e vogla dhe të ndara të rajonit të hapen dhe për sipërmarrësit e mëdhenj, rajoni të bëhet tërheqës jo thjeshtë përmes një vendi, por përmes Shqipërisë si një pikë nisjeje, për t’u shtrirë në të gjithë rajonin si një ekonomi e integruar.

Dhe këtu dua ta mbyll duke shfrytëzuar rastin që ta përsëris, se nuk është hera e parë që e bëj, por edhe në prani të Presidentit të Komisionit të Jashtëm të Senatit dhe sigurisht, edhe në prani të Profesor Prodit që, pavarësisht se nuk është në detyrë, besoj që pushtetin e ka më të madh sesa pushteti i detyrës, që Italia nuk mund të qëndrojë jashtë procesit të nisur në Berlin. E nëse ne presim që 1 vit nga Konferenca e Berlinit të kemi Konferencën e Vjenës, apo nuk e di se në cilin qytet do të organizohet në Austri, procesi i ndërmjetëm të mos jetë një proces pa përmbajtje dhe pa bashkudhëtaren. E kush më shumë dhe më mirë se Italia, edhe në kuadrin e dorëzimit të Presidencës të Bashkimit Europian, mund të jetë dëshmitare e këtij procesi, por edhe bashkudhëtare në këtë proces, për vetë faktin se në të gjitha shtyllat e identifikuara në fillim të procesit, në funksion të integrimit dhe të bashkëpunimit rajonal, Italia ka interesa strategjike në Shqipëri dhe në rajon. Duke filluar nga energjia, duke vazhduar tek infrastrukturat, duke shkuar më tutje tek turizmi dhe tek zhvillimi i sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

Në fund, unë besoj se një mesazh, Italia, në radhë të parë, por edhe ata të Europës së shpresës mund të na ndihmojnë t’ua çojmë atyre të Europës së frikës, që: Sot, Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë, për shqiptarët, se s’është e njëjta gjë dhe për Ballkanin, po aq, s’po them më shumë, se nuk janë nga veriu i Ballkanit, sa ç’ka nevojë Ballkani, Shqipëria dhe shqiptarët për Bashkimin Europian. Nëse nuk kuptohet kjo sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Dhe historia e Europës ka treguar se kur ka triumfuar shpresa, ka triumfuar e ardhmja. Kur ka triumfuar frika, kanë triumfuar çudira që europianët e mirë, të edukuar, por me pëlqim për t’u izoluar nga të tjerët, as në ëndrrën më të keqe nuk e kanë parë.

Faleminderit shumë!

KOMENTE