Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dr. Polikron Çelo: Si të ruajmë fëmijët nga virozat e stinës
English

Dr. Polikron Çelo: Si të ruajmë fëmijët nga virozat e stinës

Paqëndrueshmëria e motit dhe rënia e temperaturave ndikon në shëndetin tonë, por sidomos te fëmijët. Ata janë më të predispozuar për t’u prekur nga virozat e stinës. Mjeku pediatër Polikron Çelo në një intervistë për “Shekulli”-n tregon kujdesin që kërkojnë fëmijët e prekur nga gripi. Mosha më delikate janë ata para moshës dy vjeç, te të cilët është shumë i vështirë identifikimi i simptomave. Simptomat ndryshojnë nga një fëmijë në një tjetër, por më kryesoret janë: teshtima, kolla dhe temperatura. Në rast se nuk ka ndërlikime, simptomat e gripit mund të largohen brenda javës, në rast se tregohemi të vëmendshëm me regjimin dhe me ushqimin. Sipas mjekut mënyra më e mirë për të parandaluar gripin është ruajtja e një higjiene të mirë personale dhe shmangia e vendeve shumë të populluara. Për fëmijët me imunitet të dobët ose që vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër vaksina kundër gripit është e domosdoshme.

Si shfaqet virozat në shëndetin e fëmijëve?

Shenjat ndryshojnë nga një rast në tjetrin, po te fëmijët shumë prej tyre varen prej moshës. Nga kontakti me një të sëmurë, deri në shfaqjen e shenjave të para, kalon një periudhë e heshtur mjaft e shkurtër, disa orë deri në 1-2 ditë. Shenjat kryesore te fëmijët e rritur janë: rrufë, teshtitje, kollë, skuqje sysh e hundësh, temperaturë deri në 39-40 gradë shpesh e shoqëruar me rrëqethje e të dridhura, dhimbje “goje” e veshësh, dhimbje koke, muskujsh, kockash e kyçesh dhe jo rrallë herë dhimbje barku, të vjella e diare. Fëmijët e prekur nga virozat gripale kanë gjendje të përgjithshme jo të mirë dhe mungesë oreksi.

Cilat janë të veçanta për fëmijët e muajve të parë, që preken nga gripi?

Në këto mosha mungojnë shumë nga ato shenja që vërehen te të rriturit. Prandaj prindërit duhet të tregohen më të vëmendshëm. Te këta fëmijë shfaqen disa shenja të përgjithshme si humbja e gjallërisë së mëparshme, grindjet (në dukje pa shkak), të qarat, mungesa e oreksit, prishja e humorit dhe e gjumit etj. Në latantët (moshat deri 2 vjeç) përveç shenjave të mësipërme shpesh në plan të parë dalin çrregullimet e aparatit tretës (të vjella dhe diare), dhimbje barku me ose pa temperaturë.

Cila është ecuria e kësaj gjendjeje?

Shenjat arrijnë pikun gjatë 2-3 ditëve të para, mandej fillojnë të zbuten. Nëse nuk ka ndërlikime, sëmundja ka ecuri të shkurtër, mesatarisht 6-7 ditë. Kolla dhe mungesa e oreksit mund të vazhdojnë dhe për pak ditë. Mirëpo, kjo konsiderohet diçka normale. Nëse nuk do të kishte ndërlikime, atëherë gripi nuk do të përbënte probleme.

Cilat janë ndërlikimet më të zakonshme?

Mahisjet e veshit, mahisjet e rrugëve të frymëmarrjes, mahisjet e sinuseve, humbja e lëngjeve me vjellja e diare janë ndërlikimet më të zakonshme që shfaqen te fëmijët e prekur nga virozat e stinës.

Mund të parandalohet gripi?

Megjithëse është e vështirë, mundohuni të shmangni (aq sa mundet) kontaktet me të sëmurë me viroza duke evituar vizitat e panevojshme ose në mjediset me grumbullime. Fëmijët duhet të lajnë shpesh duart dhe t’i venë para gojës kur teshtin ose kolliten. Rëndësi ka vaksina kundër gripit. Koha më e përshtatshme për bërjen e saj është pragu i fillimit të virozave, zakonisht fillimi tetorit ose gjatë nëntorit. Vaksina nuk bën pjesë në të detyrueshmet, po këshillohet sidomos në fëmijë me sëmundje të përsëritura të rrugëve të frymëmarrjes (përfshi asmën) dhe në një sërë sëmundje të tjera (diabet, sëmundje veshkash, zëmre etj); ndërsa në fëmijët e shëndetshëm, nuk përbën domosdoshmëri.

Cilat janë rrugët e transmetimit të virozave?

Shkaktari (virusi) kalon nga i sëmuri në të shëndoshët nëpërmjet spërklave të pështymës (gjatë teshtitjeve, kollës apo duke folur) ose me anë të duarve (të sëmurët kur teshtitjen ose kolliten, zakonisht vendosin dorën para hundës e gojës. Duke u dhënë duart të tjerëve, virusi kalon në duart e të shëndoshëve e mandej në rrugët e tyre të frymëmarrjes. Këto dukuri bëjnë që virozat të përhapet me shpejtësi, sidomos në mjediset ku ka grumbullime njerëzish si: çerdhe, kopshte, shkolla, vende publike etj. Njihen shumë tipa virusesh si shkaktarë të “rrufës” ose “gripit”. Qendrat studimore parashikojnë tipin që do të qarkullojë më shumë dhe mbi këtë përgatiten vaksina kundër gripit, të veçanta për çdo vit.

Këshilla për të trajtuar gripin në kushte shtëpie

Në rastet e një gripi pa ndërlikime fëmijët mund të trajtohem me anë të regjimit, ushqimit dhe çajeve të përgatitura në shtëpi. Asnjëherë nuk duhen të përdoren antibiotikë pa rekomandimin e mjekut
Klinika e virozave të stinës nuk është shumë e ndërlikuar, prandaj shpesh fëmijët trajtohen në shtëpi. Këshilla e parë që jep mjeku pediatër Polikron Çelo për të gjithë prindërit është që të mos përdorin asnjëherë antibiotikë pa rekomandimin e mjekut. Gjithë vëmendja duhet përqendruar për të zbutur shenjat e sëmundjes. Për uljen e temperaturës duhet vepruar si për çdo rast tjetër. Fillimisht matet temperatura e në varësi të saj mund të përdoren kompresa ose banjo. Nuk duhet dhënë aspirina, pasi mund të shkaktojë një gjendje me rrezik, sindromin Rhey. Sipas mjekut i rëndësishëm për fëmijët me grip është edhe regjimi. Fëmijët duhet të qëndrojnë në shtëpi, në mjedise të ngrohta (jo të nxehta), me ajër pak të lagësht (jo të thatë). Mjeku tregon se, ushqyerja është një tjetër aspekt që ndikon në ecurinë e gripit. Mungesa e oreksit është dukuri e zakonshme, prandaj në përgatitjen e ushqimit, të merret dhe mendimi i të sëmurit (i fëmijës). Mjeku këshillon që të mos mungojnë supat me perime, gjellët me lugë, qumështi, frutat ose lëngjet e tyre. Ka mendime (të pavërtetuara shkencërisht) se supat me lëngun e pulës, e lakrës, qepa, hudhra e limoni ndikojnë për “zbutjen e shenjave të gripit”. Mjeku pediatër sqaron që ushqyerja të mos konsiderohet si pjesë përbërëse e mjekimit të gripit dhe të mos i jepet me detyrim fëmijës. Për qetësimin e kollës më mirë se shurupet që blihen në farmaci, mjeku këshillon mjekimet alternative që bëheshin zakonisht nga gjyshet, si për shembull: avull çaj kamomili, qumësht me sodë etj. “Lagështoni ajrin e mjedisit, jepuni më tepër lëngje (ujë, lëngje frutash të holluara e çdo lëng tjetër që u pëlqen). Nëse lind nevoja për ndonjë shurup, mos u nisni nga emri, kërkojeni sipas tipit të kollës, pra shurup për kollë të thatë ose të njomë. Në rast diareje (shoqëruar ose jo me të vjella) nuk ka nevojë për medikamente, mjafton të plotësohen lëngjet e humbura. Nëse fëmija ka dhimbje veshi, deri sa të lidheni me mjekun, qetësoheni me paracetamol. Antibiotikët nuk veprojnë mbi virusin, prandaj nuk duhen dhënë në gripin pa ndërlikime. Por, nëse shfaqet ndonjë ndërlikim, dhënia e tyre bëhet e domosdoshme, këtë duhet ta vendosë vetëm mjeku”, u shpreh ai.

Mirëpo gripi jo gjithmonë kalohet lehtë. Disa nga shenjat që duhet të ngjallin gjithmonë dyshime për ndonjë ndërlikim janë: përgjumësia, refuzimi i marrjes së gjirit ose biberonit, mavijosja që thellohet herë pas herë (në vend të kollës) në një fëmijë të moshës së gjirit. Këto janë shenja tepër shqetësuese për mahisje të rënda të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes prandaj pa humbur kohë lidhuni me mjekun. Shpeshtësia e madhe e frymëmarrjes, shoqëruar me kollë ngacmuese, rënkime, mavijosje të buzëve, zgjerim të vrimave të hundës, thellim të hapësirave midis brinjëve janë shenja tipike të mahisjeve të rënda të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes (Bronkiolite, Bronkite, Pnmeumoni). Qarjet me britma, të cilat bëhem më të forta kur ushtrohet pak presion mbi tragusin e veshit ose kur fëmijët më të rritur ankohen për dhimbje veshi të cilat shtohen në prekje janë të dhëna për mahisje veshi. Kolla disi e veçantë si e lehura e qenit është e dhënë për laringit. Kolla e thatë, kumbuese si e ngjirur, flet për Takeit ose laringotrakeit.

Disa alternativa për t’u mbrojtur nga gripi

Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi është t‘i kushtojmë më shumë kujdes pastrimit të objekteve dhe higjienës personale. Larja e rregullt e duarve me ujë të rrjedhshëm e sapun ndihmon që viruset të mos kalojnë nëpër trup. Shpesh kur teshtinë njerëzit mbrohen me duar prandaj larja e tyre bën që virusi të mos transmetohet.
Për të mbajtur larg sëmundjet e stinës duhet të konsumoni të paktën pesë racione zarzavate të stinës dhe fruta të freskëta, veçanërisht agrumet (portokall, mandarina, limonë, portokall të kuq) dhe kivit, sepse janë të pasur me vitaminë C. Kjo vitaminë ndihmon në forcimin e imunitetit. Edhe aktiviteti sportiv konstant dhe shëtitjet në ajër të pastër ndikojnë shumë pozitivisht në shëndetin e tonë dhe të fëmijëve. Por, kujdes! Në këtë mot të freskët para se të dilni, duhet të vini gjithmonë një shall të trashë për të mbrojtur fytin, gojën dhe hundët. Shalli do t’iu mbrojë që ajri i ftohtë të mos hyjë direkt në organizëm.

Në rast se jeni ftohur, antibiotikët nuk ju bëjnë efekt, kështu që nuk duhet t‘i pini. Por, nëse simptomat tregojnë se po ju zë gripi atëherë konsumoni cacje bimorë dhe qëndroni në një dhome me temperaturë normale dhe me pak lagështi në ajër. Shpesh sëmundjet “e lehta” si gripi nënvleftësohen, por për fat të keq çdo vit arrijnë të shtrijnë në shtrat miliona njerëz. Këto janë sëmundjet e të ftohurit, patologji që me ndihmën e ndryshimit të temperaturave prekin rrugët e frymëmarrjes superiore, veçanërisht hundën dhe gojën. Sëmundjet e të ftohtit shfaqen me grip, rrufë dhe infeksione respiratore, zakonisht me origjinë virale dhe karakterizohen nga një ngjitshmëri e lartë: transmetohen kryesisht në ambiente të mbyllura dhe të populluara me njerëz, përmes pështymës dhe sekrecioneve. Kur thithim ajër të ftohtë, rrugët e frymëmarrjes bllokohen dhe viruset gjejnë kushte të favorshme për t‘u shumuar dhe për të sulmuar qelizat e mukozës së hundës. Më të ekspozuar ndaj rrezikut janë fëmijët dhe personat që kanë rezistencë të dobët fizike. Edhe bajame e skuqura janë një problem shumë i zakonshëm te fëmijët. Simptomat e para të bajameve të skuqura janë vështirësi gjatë gëlltitjes, temperaturë, dhembje koke, humbje e zërit.

KOMENTE