English

Ramën do ta presim si Kryeministrin tonë

Dhe 2 ditë larg jemi nga vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, ndërsa shtypi serb shton dozat kritike.
E përditshmja serbe “Kurir” duke iu referuar një interviste të kreut të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa për Ora News, nis sot një shkrim me titull “Skandal/Ragmi Mustafa provokon sërish: Do ta presim Ramën si Kryeministër të dytë”.
Ragmi Mustafa, kryetari i komunës së Preshevës, tha se banorët e rajonit të Preshevës do të mirëpresin kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në shesh si Kryeministrin e tyre të dytë, shkruan Kurir duke cituar deklaratën e Mustafës për Ora News.
“Vizita e kryeministrit Rama në Preshevë do të jetë e hapur dhe do të jetë e drejtpërdrejtë me popullin sepse krerët e vendit janë takuar me qindra herë, por populli është i interesuar që të prekë kryeministrin dhe të presë mesazhet që do t’i japë në sheshin kryesor para qytetarëve që do të dalin me një entuziazëm të madh, madhështor duke e konsideruar Edi Ramën si kryeministër të tyre”.
Ragmi Mustafa tha se Beogradi zyrtar po bën përpjekje që të pengojë vizitën e kryeministrit shqiptar në Preshevë, duke e treguar qartë urrejtjen edhe në incidentin në stadium, thekson më tej Kurir.
Por Mustafa nuk është i vetmi nga lidërët shqiptarë që shihet si provokator për Serbinë. Kurir shkruan se edhe lideri i LPD-së Jonuz Musliu, kyretar i Kuvendit të Bujanocit ka deklaruar vazhdimisht se qeveria e Serbisë duhet të njohë statusin e anëtarëve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Kurir kujton se Mysliu kishte deklaruar më herët se qeveria e Serbisë duhet të njohë referendumin e vitit 1992, e cila i jep të drejtë komunave në jug të Serbisë të bashkohen me Kosovën, kërkesë të cilën e ka përsëritur edhe kohët e fundit.

“Kjo do të ishte një zgjedhje e kënaqshme” ka deklaruar ai.
Milovan Drecun, kryetar i Komisionit parlamentar për Kosovën dhe Metohinë në Kuvendin e Serbisë, deklaron për Kurir se deklaratat ekstreme të politikanëve shqiptarë janë të qëllimshme për të destabilizuar situatën në një mjedis që ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj gjërave të tilla.

Edhe analisti politik, Dragomir Andjelkovic, thotë se ai nuk është i befasuar nga deklaratat ndezëse të politikanëve shqiptarë.
“Projekti i Shqipërisë së Madhe është diçka që është realitet dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se shumica në Kosovë e mbështet. Megjithatë, pyetja që shtrohet është se çfarë jemi në gjendje si vend të bëjmë për këtë rast” thotë Angjelkoviç.

KOMENTE