Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
EURALIUS IV, për “Konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”
English

EURALIUS IV, për “Konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”

Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetari i Lartë i Drejtësisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani mori pjesë sot në Konferencën e hapjes së projektit EURALIUS IV të financuar nga BE-ja me temë: “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Në veprimtarinë e zhvilluar në mjediset e Hotel Tirana International ishin të pranishëm Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin; Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori; Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla; Zëvendëskryeministri Niko Peleshi; Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço; Zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi; Zëvendësministri gjerman i Drejtësisë, Christian Lange; Shefi i Misionit EURALIUS, Rainer Deville, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, juristë, gjyqtarë dhe ekspertë ligjorë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për ftesën nga zoti Deville për të marrë pjesë në çeljen e projektit të katërt për Konsolidimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri, të njohur si EURALIUS IV, një konsorcium i përbërë nga Trupi i Mandatuar i Ministrisë Federale Gjermane të Drejtësisë – IRZ, që është njëkohësisht dhe drejtues i projektit, nga Qendra e Kompetencës Ndërkombëtare Ligjore Holandeze, dhe Agjencia Austriake për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, si partnere të këtij konsorciumi.

Kreu i shtetit vuri në dukje se “Bashkimi Evropian e ka nisur herët ndihmën për Shqipërinë në fushën e gjyqësorit, e cila deri më sot e kalon shifrën e 150 milion eurove, që prej taksapaguesve evropianë u janë alokuar reformave për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Vetëm nëpërmjet misionit pararendës, Euralius III, u dedikuan jo pak por 2.3 milion euro, të shpërndara në 3 vite; pa përmendur këtu numrin e shumtë të ekspertëve evropianë të cilët i kanë dedikuar ndërtimit nga e para të sistemit gjyqësor shqiptar orë të panumërta pune dhe devotshmërie. Ndaj e gjej me vend, të përcjell më së pari mirënjohjen dhe vlerësimin tim maksimal për gjithë ndihmën e dhënë ndër vite, përfshirë punën e të tre Misioneve EURALIUS pararendëse, të cilët kanë punuar me dedikim të udhëhequr nga profesionalizmi, me vendosmëri të udhëhequr nga parimet, me largpamësi të udhëhequr nga standardet evropiane.

Po kështu jam besimplotë se misioni aktual Euralius IV do të ofrojë ekspertizën më të mirë të mundshme për reformën në gjyqësor, dhe do t’i shërbejë më së miri domosdoshmërisë sonë për forcimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor, në përputhje me akinë dhe praktikat më të mira evropiane. Si President i Republikës, dhe njëkohësisht si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të jem në mbështetje të plotë të realizimit me sukses të objektivave të këtij Misioni, me besimin se duke punuar të gjithë së bashku, aktorë të brendshëm e partnerë, do të përparojmë me ritmin e duhur me kahje drejt standardeve evropiane.

Duke mos e konsideruar progresin e reformës në drejtësi si një proces automatik që ndodh vetvetiu, por, si rezultat i hapave konkretë e koherentë, si President i Republikës, thirra më 6 tetor një takim gjithëpërfshirës për të diskutuar konkretisht mbi reformën në drejtësi, një prioritet i padiskutueshëm për vendin e shoqërinë tonë. Të gjithë aktorët vendas pjesëmarrës në këtë takim, të bashkëorganizuar me Ministrinë e Drejtësisë, prezantoheshim me një përgjegjësi të dyfishtë: si llogaridhënës përpara qytetarëve shqiptarë që presin që drejtësia të funksionojë, por edhe si zëra autoritarë të një vendi tashmë kandidat për në Bashkimin Evropian. Besoj se mesazhi politik gjatë konferencës doli qartë dhe fortë: Jo korrupsionit në gjyqësor; Jo kapjes së gjyqësorit; Po reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në gjyqësor.

Por ky ishte vetëm hapi i parë i një procesi që duhet të dalë nga cikli vicioz ku duket se po mbërthehet. Realizimi i reformës në drejtësi duhet të jetë larg të qenit një shumësi qëndrimesh fragmentare, pra një pseudoreformë për hir të reformës, por të transformojë vullnetet e shprehura qartë në takimin e 6 tetorit në një sinergji pune serioze e konkrete të të gjithë aktorëve. Me keqardhje po konstatoj se procesi është ende në ngërç, dhe se takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë. Nuk avancohet reforma në drejtësi duke përsëritur të njëjtat teza e qëndrime të përgjithshme, të gjithë në sulm ndaj sistemit. Nuk avancohet reforma me debate të personalizuara dhe pa alternativë, dhe as duke pretenduar pronësinë ekskluzive shqiptare të procesit pa demonstruar meritë e profesionalizëm objektiv. Nuk avancohet reforma pa një agjendë pune e prioritizim të çështjeve.

Ndaj gjej rastin që edhe një herë përmes këtij takimi, të bëj thirrje publike ndaj të gjithë aktorëve vendas të nisin sa më parë e seriozisht punën për:
1. përcaktimin e prioriteteve;
2. hartimin e objektivave për secilin prioritet;
3. zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore, miratuese e zbatuese, me afate të qarta kohore dhe buxhete përkatëse;
4. Bashkëpunimin e bashkërendimin me EURALIUS – udhëheqëse në këtë proces, OPDAT, OSBE, me shoqërinë civile dhe akademinë, dhe certifikimin e padiskutueshëm me Komisionin e Venecias;

Vetëm me takime ngushtësisht tematike e gjerësisht përfshirëse mund të arrihet një produkt cilësor në këtë proces jetik të reformës në drejtësi. Aty ku ka vullnet gjendet një rrugëdalje, dhe tashmë që vullnetet janë shprehur verbalisht e publikisht, është koha, gjithaq e vonuar, t’i përvishemi punës dhe jo konferencave.

Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se institucionet e drejtësisë duhet të rrinë vendnumëro, dhe të vazhdojnë statuskuonë në pritje të shkopit magjik. Mbështetja ndaj parimeve dhe vetëm parimeve dhe dhënia e drejtësisë dhe vetëm drejtësisë janë aksioma të pandryshueshme. Përtej ndryshimeve sistemike, institucionet gjyqësore, ajo trupë e shëndoshë gjyqësore që ende ekziston duhet të vazhdojë të qëndrojë e angazhuar me bindjen se shembulli i tyre do të mbizotërojë.”

“Unë shpreh bindjen, duke ofruar dhe mbështetjen e plotë, se EURALIUS IV do të bëhet një katalizator i fuqishëm dhe efikas i përpjekjeve serioze për reformimin e sistemit gjyqësor shqiptar, dhe se së bashku do të arrijmë ambicien që bashkëndajmë në këtë mision të vështirë por jo të pamundur të drejtësisë në Shqipëri.” – përfundoi fjalën e tij Kreut i Shtetit shqiptar duke i dëshiruar sukses Doktor Deville dhe skuadrës së tij, duke i siguruar edhe një herë për mbështetje të plotë në këtë qëllim të përbashkët si dhe duke i uroj punë të mbarë.

KOMENTE