English

Taulant Balla takime në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit

Nenkryetari i Grupit Parlamentar te Partise Socialiste zoti Taulant Balla takime në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit.
Në qendër të diskutimeve lufta kunder korrupsionit, reforma në drejtësi dhe nevoja e rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla do të zhvillojë në datat 17-19 nëntor një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Organizata e Shteteve Amerikane (OAS).

Gjatë qëndrimit të tij në Washington, z. Balla u prit në një takim në Kongresin Amerikan nga kongresmeni Eliot Engel. Po kështu, nënkryetari i Grupit të PS-së zhvilloi takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u prit nga Drejtori për Europën, z. Tom Yazdgerdi dhe nga përfaqësuesi i njësisë për Shqipërinë në DASH, z. Benjamin Rinaker. Një takim z. Balla zhvilloi edhe në Departamentin e Energjisë, me Zëvendësndihmës Sekretaren, znj. Paula Gant.

Ndërkaq në Departamentin amerikan të Tregtisë, deputeti socialist zhvilloi një takim me Zëvendësndihmës Sekretarin për Europën dhe Euroazinë, z. Jay Burgess.
Në takimet në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit, z. Balla informoi zyrtarët e lartë amerikanë në lidhje me hapat dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria e Kryeministrit Edi Rama në drejtim të forcim të shtetit të së drejtës. Duke u ndalur në reformën në drejtësi, z. Balla nënvijëzoi domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme, si një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit me z. Engel, deputeti socialist theksoi se: “Nuk mund të kemi një demokraci funksionale pa një sistem drejtësie efektiv. Mosndëshkimi i korrupsionit në Shqipëri është përgjegjësi e Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. Një reformë e plotë në këtë sistem, do të ishte masa e nevojshme për të luftuar këtë fenomen shkatërrues për shoqërinë shqiptare.” Po kështu, në diskutimet në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit u përshëndet vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, si një hap përpara në drejtim të forcimit të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit.
Gjatë takimeve në Departamentin e Energjisë dhe në Departamentin e Tregtisë u diskutua për tërheqjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Z. Balla u shpreh se: “Megjithëse marrdhëniet nëpërmjet SHBA dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera, ndonëse simpatisë të veccantë që populli shqiptarë ka kundrejt popullit amerikan, niveli i shkëmbimeve ekonomike dhe prezenca e kompanive amerikane në Shqipëri mbetet ende në nivele të ulta. Kjo prezencë, nuk reflekton marrdhëniet shumë të mira mes dy popujve dhe shteteve tona.” Nisur nga kjo situatë, z. Balla kërkoi nxitjen e kompanive amerikane për të investuar në Shqipëri, në sektorë kyc të zhvillimit të vendit, si energjia, minierat dhe industria.
Në konferencën globale për zhvillim ‘Expo 2014’ të mbajtur në Washington, z. Balla mbajti një fjalë mbi luftën kundër korrupsionit dhe impaktit negative që ka ky fenomen mbi shoqëritë e vendeve të Ballkanit. Gjatë vizitës së tij, z. Balla zhvilloi dhe një intervistë në ‘Zërin e Amerikës’, ku theksoi distancimin e mazhorancës nga element të caktuar, të cilët përmes mbajtjes në duar të fotografisë të diktatorit Hoxha, po prishin imazhin e përkujtimit të 70-vjetorit të Clirimit të vendit.

KOMENTE