English

Enver Hoxhaj merr pjesë në takimin e Koalicionit Kundër ISIL

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në takimin e Koalicionit Kundër ISIL të organizuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, të zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në takimin e aleancës më të madhe globale kundër ISIL, ku marrin pjesë mbi 60 shtete dhe organizata përfshirë edhe Kosovën, është folur për nevojën e bashkëpunimit sa më të madh të anëtarëve të këtij koalicioni në luftën kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe ndalimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj në konfliktet në Irak dhe Siri

Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka theksuar veprimet dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës veçmas në kalimin e ligjit që ndalon qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në luftërat e huaja dhe që institucionet e sigurisë kanë marrë masa parandaluese duke arrestuar disa individë dhe janë përgjigjur në mënyrë të duhur ndaj atyre që mund të jenë kthyer.

Sipas Hoxhajt, përballja me ekstremizmin është më shumë se çështje e rendit dhe ligjit, dhe se ky fenomen është i importuar në Ballkan dhe nuk ka të bëjë më karakterin e shoqërisë së Kosovës.

“Përballja me ekstremizëm nuk është vetëm çështje e rendit dhe ligjit. Përtej Kosovës ne duhet të kuptojmë pasqyrën më të gjerë politike dhe sociale duke kuptuar se çka motivon njerëzit që marrin pjesë në këtë ideologji të dhunshme. Ky lloj ekstremizmi nuk ka qenë asnjëherë autokton në Kosovë dhe nuk do të jetë asnjëherë pjesë e shoqërisë sonë. Andaj, luftëtarët e huaj të ndikuar nga këto ideologji të dhunshme në rastin e Ballkanit Perëndimor janë imponuar si mjet i strukturave të ndryshme në rajone të caktuara. Në këtë kontekst, ne duhet të jemi të hapur ndaj njëri tjetrit në mënyrë që ta shqyrtojmë me seriozitet çdo influencë të islamit radikal në Ballkan. Ne duhet të punojmë së bashku që të adresojmë shkaqet e ekstremizmit”, ka thënë Hoxhaj, në fjalimin e tij.

Në fund të fjalimit, Hoxhaj ka thënë se Kosova do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetet e saj për t’u angazhuar plotësisht si një anëtare e përgjegjshme e këtij koalicioni, i cili do të ketë sukses në luftën ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit dhe nuk do të ketë alternativë ndaj paqes dhe sigurisë.

Në margjina të Konferencës, Hoxhaj ka takuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, të cilit i ka shprehur dedikimin e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Në fund të takimit të Koalicionit, ku ishin të pranishëm mbi 50 ministra të shteteve, është miratuar me unanimitet deklarata e përbashkët e cila bën thirrje për përkrahjen e operacioneve ushtarake, ndërtimin e kapaciteteve dhe trajnimin, ndalimin e fondeve dhe qasjen në financa të ISIL, ndalimin e lëvizjes së luftëtarëve të huaj terroristë dhe adresimin e ndihmës dhe krizës humanitare.

KOMENTE