Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama përshëndet Asamblenë Botërore të Rinisë
English

Rama përshëndet Asamblenë Botërore të Rinisë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e XVI të Asamblesë Botërore të Rinisë:

Përshëndetje!

Është kënaqësi e posaçme që mbledhja e radhës e kësaj Asambleje Botërore të Rinisë organizohet këtu në Tiranë, në Shqipëri dhe në një ditë të shënuar siç është 8 dhjetori. Një ditë simbol i fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të bërë histori.

Historia botërore njeh shumë lëvizje rinore që, duke lëkundur themelet e sistemeve që konsideroheshin si të pandryshueshëm dhe të pathyeshëm, i kanë hapur aty ku deri një sekondë më parë dukej sikur s’kishte rrugë, rrugën shpresave, ëndrrave dhe mundësive të reja. E tillë ishte edhe Lëvizja e Dhjetorit 1990, këtu në Shqipëri, që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe në demokraci, kur liria dhe demokracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin asgjë tjetër, përveçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti, pa zë dhe brenda vetvetes.

Ne jemi sot, në një kohë të re. 24 vjet më parë, askush nuk mund ta parafytyronte se Shqipëria, vendi ku të vetmit të huaj që mund të hynin ishin marksistë-leninistë që merrnin më parë miratimin nga Komiteti Qendror i Partisë, të bëhej vendi ku një ditë mund të zhvillohej edhe një Asamble e radhës e këtij Forumi kaq të rëndësishëm Botëror të Rinisë.

Rënia e perdes së hekurt, edhe për Shqipërinë, siç do të thoshte Vaslav Haveli, kapi në surprizë si Lindjen, ashtu edhe Perëndimin. Në fakt ishte efekti surprizë i një shembjeje të paimagjinueshme, që çliroi një herë e përgjithmonë shpresën për sistemet politike njerëzore që ndërtohen nga njerëzit, për njerëzit dhe me njerëzit dhe janë mjete dhe jo pengesa në rrugën e realizimit të ëndrrave dhe të shpresave përmes ndjekjes së aspiratave të gjithsecilit. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse qartazi, gjithnjë, ajo çfarë vjen më pas reflekton aspiratat e këtyre lëvizjeve që shembin diktatura dhe sisteme shtypëse, por, nga ana tjetër, jo gjithmonë dhe jo gjithkush e sheh hapësirën për të realizuar ëndrrat dhe shpresat e tij.

Ky është një mësim i gjithë këtij tranzicioni shqiptar dhe jo vetëm. Mjafton të shikojmë pranverat arabe, që u shfaqën në skenën globale si një fuqi transformimi dhe ku pjesëmarrja e të rinjve ishte e jashtëzakonshme, por që më shumë se një rast, sot nuk duken si pararendëset e përmbushjes së atyre ëndrrave dhe atyre shpresave që i sollën ato në jetë. Përvetësimi dhe transformimi pastaj, i forcës shtytëse për këto ndryshime të mëdha nga protagonistë, që janë shfaqur në histori si të zot për të përvetësuar dhe transformuar diçka të nisur e të zhvilluar fillimisht krejt ndryshe, ka qenë pasojë në më shumë se një rast i këtyre momenteve të paharrueshme në histori. Besoj që, ajo çka vlen të thuhet gjithmonë, jo në momentet revolucionare, por në momentet kur jemi midis apo pas një momenti revolucionar është se përmbajtjen dhe cilësinë e përmbajtjes së një procesi historik, së një procesi politik, së një procesi qeverisës në një vend e përcakton cilësia e pjesëmarrjes së përditshme e njerëzve të zakonshëm të atij vendi në këtë proces.

Për këtë arsye besoj, politika që sot në të katër anët e botës shihet padrejtësisht si një fuqi e diskretituar, në fakt është një fuqi e pazëvendësueshme, për t’i dhënë jetë aspiratave të njerëzve, për t’i dhënë jetë ëndrrave dhe shpresave të njerëzve, sepse është vetmja forcë që u jep mundësi njerëzve të bëjnë sëbashku atë që të vetëm nuk e bëjnë dot, është e vetmja forcë që u jep njerëzve mundësinë të gjenden në një hapësirë të përbashkët për t’i dhënë zë një ideje, për t’i dhënë zë një shqetësimi, për t’i dhënë zë një revolte të tyre. Është e vetmja forcë që u jep mundësi njerëzve, që sëbashku të bëhen pjesë e një përpjekjeje që ndryshon qeverinë dhe qeverisjen.

Fatmirësisht, ne jetojmë sot, në një situatë krejt tjetër nga ajo e para çerekshekulli dhe pavarësisht shumëçkaje që është ende larg asaj çka ne ëndërruam çerekshekulli më parë, ne sot jemi fatlumë, sepse kemi mundësinë që gjërat t’i ndryshojmë përmes votës. Kemi mundësinë që duke shkuar drejt votës të krijojmë hapësira, të ngremë ura dhe të ndërtojmë procese komunikimi të pazëvendësueshme përmes politikës.

Unë kam dëgjuar dhe dëgjoj shpesh të rinj që thonë s’dua të merrem me politikë, s’dua t’ia dëgjoj politikës as emrin dhe politika është diçka e ulët dhe e pistë që nuk bën për mua. Në fakt, është një iluzion i madh të mendosh se po s’u more ti me politikën, politika nuk do merret me ty. Sepse, faktikisht, ne jemi në mënyrë të përditshme objekt dhe subjekt i politikës. Sa më pak të merremi ne, njerëzit, me politikën, aq më shumë rrezikojmë të jemi viktima të vendimeve të gabuara të saj. Sa më shumë njerëzit e zakonshëm të merren me politikë, aq më shumë politika bëhet fuqia e tyre për ndryshim. Të merresh me politikë nuk do të thotë të bëhesh politikan, nuk do të thotë të braktisësh gjërat me të cilat ti merresh çdo ditë, pasionet e tua apo ambiciet e tua, për të bërë një karrierë në profesionin tënd, por do të thotë thjesht dhe vetëm që t’i japësh vetes mundësinë që bashkë me të tjerë të krijosh më shumë hapësirë dhe më shumë kushte të favorshme për të bërë gjënë që ti do përmes profesionit tënd.

Një student, nuk e ndryshon dot vetë gjendjen në universitetin e tij, por të gjithë studentët së bashku mund të ndryshojnë gjendjen në universitetet e tyre nëse e ndjejnë nevojën për ta bërë këtë ndryshim. Studentët e një universiteti të vetëm nuk mund ta ndryshojnë dot një sistem universitar që kërkon ndryshim, por të gjithë studentët së bashku mund të bëhen zëri dhe fuqia e këtij ndryshimi. Kjo mund të ndodhë përmes politikës.

E pra, unë dua që t’ju them se ndihem shumë i lumtur sa herë që më jepet mundësia që të gjendem mes vajzash dhe djemsh që jo vetëm nuk e shikojnë politikën si diçka me të cilën nuk duan të kenë të bëjnë, por që e kuptojnë se përmes politikës mund të bëjnë gjëra që duken të pamundura. Ashtu sikundër politika ka bërë shumë dëme për njerëzit, nuk duhet të harrojmë asnjëherë se falë politikës kanë lindur edhe projektet më të admirueshme që njerëzimi ka vënë në jetë.

Një nga këto projekte të admirueshme është Europa e Bashkuar. Ky është një projekt politik i njerëzve të politikës që me largpamësi dhe me kurajë çuan përpara një ide, të cilës në momentin e parë dukej se nuk do i vinte kurrë koha. Sot Shqipëria është në përpjekjen për t’u bërë pjesë e BE, sëbashku me vende të tjera të këtij rajoni që falë politikës, sot, kanë kapërcyer një shekull luftërash, konfliktesh, vëllavrasjesh dhe po kapërcen me shpejtësi lumenj të tërë gjaku, ashtu siç i kapërcyen më parë Franca dhe Gjermania, që sot janë dy gurët e rëndë të themelit të Europës së Bashkuar, por përpara se ideja e Europës së Bashkuar të merrte jetë, ishin dy armiqtë e mëdhenj të njëri tjetrit, në këtë kontinent.

Duke ju uruar çdo të mirë e duke ju shprehur gjithë respektin për angazhimin tuaj, dëshiroj ta mbyll me një fjalë të mençur të Presidentit Regan i cili thoshte: “Një qytetar i mirë është më shumë se një njeri i mirë”. Pra, nuk mjafton të jesh një njeri i mirë për të qenë një qytetar i mirë, sepse një njeri i mirë është ai që nuk i bën dëm komunitetit ku jeton, por një qytetar i mirë është ai që bashkë me të tjerët bën gjëra të reja dhe sjell ndryshime të mira për komunitetin ku jeton.

Kjo Asamble është një asamble qytetarësh të mirë dhe sa më shumë qytetarë të mirë të kemi aq më shumë jemi të sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë. Sepse shumë qytetarët të mirë janë garanci që mund të bëjmë shumë ndryshime për mirë dhe shumë qytetarë të mirë janë po ashtu garanci që qeveritë e politika nuk mbeten të pavëzhguara, nuk mbeten të pakritikuara dhe nuk mbeten të papërfshira në fatet e komunitetit tonë.

Urime dhe suksese!

KOMENTE