English

Hungaria do të mbështesë Shqipërinë në Integrimin europian

Ministri i Punëve te Jashtme Ditmir Bushati priti sot në MPJ Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Peter Szijjarto, i cili zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi të dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh, si dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi fushat e bashkëpunimit dypalësh duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, me qëllim thithjen e investimeve hungareze në tregun shqiptar.

Në takim u diskutua gjithashtu mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim pas marrjes e statusit të vendit kandidat. Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e Hungarisë në proceset integruese të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për marrjen statusit të vendit kandidat. Më tej, Ministri Bushati, u ndal në hapat konkrete që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për të bërë progres në procesin e reformave në Shqipëri e për të vijuar me vendosmëri në rrugën e integrimit.

Ministri i Jashtëm hungarez Szijjártó vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe siguroi homologun shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, Ministri hungarez Szijjarto vlerësoi reformat e ndërmarra në rrugën e konsolidimit të shtetit ligjor, të cilat do të ndikojnë pozitivisht për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt proceseve integruese.

Në përfundim të takimit u nënshkrua marrëveshja për mbrojtjen shoqërore mes Republikës se Shqipërisë dhe Hungarisë.

Në përfundim të takimit, dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

KOMENTE