English

Shpërblimet e Vitit të Ri. Skema e shpërndarjes

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Përshëndetje të gjithëve!

Një vendim shumë i rëndësishëm i qeverisë, përsa i përket shpërblimeve të Vitit të Ri;

Qeveria e ka parë të arsyeshme të ketë një qasje të re dhe t’i japi fund traditës së lëmoshave dhe mungesës së stimujve për më të mirët.

Ne besojmë që ashtu sikundër meritojnë vëmendje njerëzit në nevojë, ashtu meritojnë mirënjohje edhe njerëz të spikatur të kësaj shoqërie që gjatë këtij viti i kanë dhënë shoqërisë një kontribut të posaçëm. Për këtë arsye, bazuar mbi këtë filozofi të re në dhënien e shpërblimeve, nga njëra anë, ne kemi vendosur të shpërblejmë për Vitin e Ri personat me aftësi të kufizuar, familjet në ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë. Të gjithë bashkë këta janë grupi social më vulnerabël dhe që në ndërkohë kemi vendosur ta mbështesim edhe për të përballuar heqjen e fashës 300 kilovat, shtuar këtu, edhe pensionistët në tërësi, por me një nivel tjetër shpërblimi.

Për grupin e parë, për pensionistët kryefamiljarë, të vetmuar ose në çift, për familjet në ndihmë ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuar, do të jepet një shpërblim prej 30 mijë lekësh ose 30 dollarësh. Ndërsa për pensionistët e tjerë shpërblimi do të jetë 20 mijë lekë ose 20 dollarë.

Po ashtu do të ketë një shpërblim të posaçëm për veteranët e luftës dhe të përndjekurit e regjimit komunist mbi moshën 65 vjeç. Të dyja këto kategori do të marrin një shpërblim prej 50 mijë lekësh ose 50 dollarësh.

Do të shpërblejmë për Vitin e Ri të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe të gjitha familjet e ushtarakëve me misione jashtë Shqipërisë dhe për të dyja këto kategori shpërblimi do të jetë 100 mijë lekë ose 100 dollarë.

Po ashtu, do të shpërblejmë të gjithë trupën mësimore të 10-të shkollave të rankuara të parat në klasifikimin e Maturës Shtetërore, me 400 mijë lekë ose 400 dollarë për çdo mësues.

Do të shpërblejmë të gjithë nxënësit e shkëlqyer të Republikës së Shqipërisë, që nga pjesa e dytë e ciklit 9-vjeçar dhe për gjithë ciklin e mesëm, me 50 mijë lekë ose 50 dollarë.

Do të shpërblejmë, po ashtu, studentët e ekselencës me 50 mijë lekë ose 50 dollarë.

Do të shpërblejmë 3 shërbimet më të mira shëndetësore të Republikës së Shqipërisë, pra, trupën e 3 shërbimeve më të mira shëndetësore në Republikën e Shqipërisë me 400 mijë lekë për secilin ose 400 dollarë.

Do të shpërblejmë njësinë më të mirë policore, që është Njësia e Policore e Qarkullimit të Tiranës me 400 mijë lekë për individ ose 400 dollarë.

Do të japim një shpërblim edhe për një njësi modeste në numër, por që ka dhënë një kontribut të posaçëm në shpëtimin e njërës prej pasurive më të rëndësishme natyrore të këtij vendi, që është Parku Kombëtar i Divjakës, me 400 mijë lekë ose 400 dollarë për person.

Kjo është lista e përgjithshme e shpërblimeve të Vitit të Ri, e cila, siç e shihni, adreson qoftë nevojën për t’i qenë pranë dhe për t’ua bërë të gëzueshëm Vitin e Ri të gjithë atyre që janë në vështirësi, me shuma që e tejkalojnë gjelin e detit dhe filozofinë e “gjelit të detit”, dhe që janë një shpërblim dinjitoz. Por në të njëjtën kohë duam t’u shprehim të gjithë mirënjohjen dhe respektin atyre që në sistemin arsimor, në sistemin shëndetësor, në sistemin e sigurisë kanë dhënë një kontribut të posaçëm gjatë këtij viti, sëbashku me heronjtë e shkëlqyer të kësaj kohe të Shqipërisë që jetojmë, nxënësit me 10-ta dhe studentët e ekselencës.

Duke e mbyllur, me mirënjohjen dhe respektin më të thellë për veteranët e luftës dhe të gjithë të përndjekurit e regjimit komunist, mbi moshën 65 vjeç. Të dyja këto kategori ne i çmojmë dhe i mbështesim në mënyrë plotësisht simetrike, si dy pjesë apo dy anë të së njëjtës medalje, të një Shqipërie që u çlirua nga idealistët dhe u përdhunua nga tradhtarët e idealeve.

Faleminderit!



***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama për Projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”:

Me shumë respekt për gjithë profesionistët e të drejtës, dua të nënvizoj qartësisht arsyet pse Qeveria e kërkon dhe e kërkon sot, këtë ndërhyrje në Kod dhe arsyeja pse besoj edhe amendamenti përmban.

Të njëjtin diskutim kemi bërë kur kemi ndërhyrë në Kod për energjinë, të njëjtën oponencë dashamirëse, profesionale, juridike kemi hasur nga njerëzit e fushës. Rezultatet i keni përpara syve. Dhe jo vetëm rezultatet i keni përpara syve, por mund t’ju them që, qoftë për vendosjen e qartë në Kodin Penal se vjedhja e energjisë nuk parashikon më asnjë lloj dënimi tjetër përveç ndalimit dhe ndëshkimit me burg, por edhe një tjetër ndërhyrje që ne kemi bërë lidhur me kalimin e Inspektoratit të Ndërtimit nën autoritetin e Ministrisë së Brendshme, janë dy masa që sot po merren dhe do të adoptohen edhe në legjislacione të tjera në vende të rajonit që nuk kanë absolutisht të njëjtën problematikë kaq të tmerrshme sa ç’e kemi ne, qoftë me energjinë, qoftë me shkatërrimin e territorit, por që sidoqoftë e kanë hasur dhe e hasin këtë problem dhe nuk kanë arritur ta zgjidhin as me gjoba, as me këshillime dhe as me masa të tjera të ndërmjetme.

Të njëjtën çështje konceptuale kemi hasur edhe kur është kërkuar rëndimi i gjobave për shkeljet në qarkullim. Të njëjtin debat kemi bërë edhe për shkeljen e semaforit. Ndërkohë mjafton të shikoni tendencën e përgjithshme në vendet që kanë një problem të madh me ligjshmërinë, për të kuptuar se ata që kanë avancuar në drejtimin e duhur, kanë avancuar duke i rënduar sanksionet shumë më tepër sesa ç’i kemi rënduar ne. Vetëm përpara pak ditësh, në Parlamentin e një vendi fqinj është miratuar gjoba me 800 euro për përdorimin e fishekzjarrëve. Dhe dihet pse. Të gjithë ne e kuptojmë se ku e kanë pasur hallin, edhe pse në shpërdorimin e fishekzjarrëve, besoj që ata nuk na e kalojnë neve.

Ndërsa, sa i përket pastaj, krahasimit me vendet e Bashkimit Europian, është krahasim tërësisht i pamundur. Në qytetet tona, po të bëjmë një dallim mes volumeve të ndërtimit me leje dhe volumit të ndërtimit pa leje në ndërtimet me leje është një rezultat katastrofik. Janë miliona metra katrorë të ndërtuara në qytetet e Shqipërisë, nga Tirana dhe në çdo qytet tjetër ku ndërtohet jashtë lejes. Në Bashkimin Europian, projektuesi mban drejtpërdrejtë përgjegjësi në rast se e drejta e tij e autorit mbi lejen shkelet nga ndërtuesi. Dhe pa certifikimin e projektuesit nuk mund të bëhet asgjë. Ndërkohë që projektuesi ka detyrimin të vërë në alarm, autoritetet përkatëse, sipas rastit, sepse kanë autoritete të ndryshme në vende të ndryshme, në momentin kur investitori bën shkeljen më të vogël të lejes.

Thënë të gjitha këto, unë besoj se ne nuk jemi sot, në kushtet kur mund të bëjmë një diskutim konceptual dhe as kur mund të flasim sikur jashtë sallës së këtij Parlamenti zhvillohet një jetë normale në të dyja këto drejtimet.

Për energjinë besoj s’kemi më çfarë diskutojmë, siç ju thashë rezultatet e këtyre javëve janë ulëritëse përsa shumë kohë kemi humbur dhe përsa shumë para kemi humbur duke ndërhyrë, nuk e di sesa herë, në legjislacion dhe dukje bërë rritje të papërfillshme gjobash.

Përsa i përket, e përsëris, ndërtimeve pa leje dhe vazhdimit pa leje të një ndërtimi me leje është koha që ne të marrim një vendim të qartë dhe të prerë, në mënyrë që t’i hapim rrugë, menjëherë, edhe procesit të ndërtimit me leje. Nëse do të bëjmë këtë, atëherë do të ndajmë qartësisht epokën e derisotme, kur, ju siguroj, lejet e dhëna në Republikën e Shqipërisë dhe të zbatuara pikë për pikë sipas vullnetit të autoritetit që ka lëshuar lejen nuk janë më shumë se gishtat e dy duarve. Si në të gjitha fushat e tjera, edhe në këtë fushë, Shqipëria ka dështuar në mënyrë spektakolare në implementim, në zbatim të legjislacionit dhe në zbatim të kushteve të parashikuara nga dokumentacioni ligjor. Nuk ka më shumë se gishtat e dy duarve, leje ndërtimi në Republikën e Shqipërisë të zbatuara pikë për pikë, siç i ka dhënë autoriteti që lëshon lejen. Ndërkohë që nuk ka në vendet e Bashkimit Europian, përjashto ndonjë vend rreth e rrotull nesh, që ka vuajtur gjatë nga abuzivizmi në këtë sektor, leje ndërtimi që të zbatohen duke shkelur kushtet e lejes dhe sanksionet për shkelje jo me kate, siç bëhen në Shqipëri, por për shkelje që në Shqipëri as janë llogaritur ndonjëherë, që kanë të bëjnë me sistemet e sigurisë, për shembull, jo vetëm shkojnë në burg shumë vetë, por nuk ka asnjë shans që ndërtesa të vihet në funksion.

Ne jemi shumë larg asaj bote, por ndërkohë kemi sot domosdoshmërinë që të ndalim hemorragjinë e tmerrshme në të cilën është përmbytur Shqipëria, vite të tera. Ka një frenim të konsiderueshëm, kjo është e vërtetë, por nga ana tjetër është e padiskutueshme që, në qoftë se ne nuk sanksionojmë me ndëshkime të qarta, shkeljet në ndërtimet me leje, në momentin e parë që do të rifillojë normalisht dhënia e lejeve, fenomeni vetëm do të vazhdojë. Është spektakolar bumi i shkeljeve në ndërtimet me leje, pas një vendimi të marrë nga ky Parlament, po në një nga legjislaturat e kaluara, kur në vend që të sanksionoheshin, ashtu siç u kërkua atëherë nga Shoqata e Bashkive, ndërtuesit të cilët shkelnin lejen, u bënë disa gjoba qesharake që ishin shumë më pak sesa kostoja e metrit katror dhe që ishin në fakt incentivi më i tmerrshëm për të rritur numrin e shkeljeve dhe për të rritur volumin e ndërtimeve pa leje. Në qoftë se dikush do të merrte dhe të studionte dhe pastaj, mbi bazën e atij studimi të ndërtonte duke u nisur nga lejet e dhëna nga bashkia e Tiranës, një Tiranë virtuale në kompjuter dhe pastaj ta krahasonim me Tiranën reale, janë miliona metra katror të tepërta, të ndërtuara duke marrë si sebep lejen e ndërtimit dhe pastaj ose të legalizuara me një çmim qesharak, 4 mijë lekë për metër katror u vu atëherë, ose të palegalizueshme për shkak se shkelin të gjithë të drejtat e pronarëve rreth e rrotull.

Kështu që unë e mirëkuptoj plotësisht shqetësimin, por është një shqetësim që nuk vjen në kohën e duhur dhe nuk ka lidhje fare me Shqipërinë që ne sot duhet të fusim në rrugën e duhur. E po nuk e futëm në rrugën e duhur në këto dy drejtime, me energjinë dhe me territorin, kemi një situatë pasigurie totale, qoftë për të drejtat e pronës, qoftë për të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve, qoftë për ambiciet e investitorëve dhe kështu me radhë. E për më tepër pastaj, besoj se sanksionet e propozuara janë sanksione, në këndvështrimin tim, minimale, sepse bëhet fjalë për njerëz që jo në gjak të nxehtë, por në grup, me muaj të tërë, edhe me vite, për qëllime fitimi abuzojnë në mënyrë skandaloze me një të drejtë të marrë, duke shkelur të drejtat e të tjerëve. Mjafton që të mos i shkelin të drejtat e të tjerëve dhe këto sanksione qëndrojnë aty dhe nuk përdoren për askënd.

Në dy apo tre javët e para të futjes në fuqi të sanksioneve për vjedhjen e energjisë elektrike pati një numër të lartë arrestimesh. Ky numër sot është minimal, ndërkohë që numri i marrëveshjeve që njerëzit lidhin me OSHEE, me vullnetin e tyre, për të mos qenë më jashtë sistemit, ka arritur në një mesatare dymijë në ditë. Ndërkohë që deri para 6-7 muajsh, dymijë marrëveshje në muaj quheshin objektiv i ekzagjeruar dhe i paarritshëm. Janë dymijë marrëveshje në ditë dhe pjesa dërrmuese e këtyre marrëveshjeve që po shkon duke u shtuar janë marrëveshje që bëhen me vullnetin për të paguar drejtpërdrejtë principalin. Në qoftë se dikush këtu mendon se kjo nuk ka lidhje me sanksionet, është në të drejtën e tij, por unë kam mendim tjetër. Unë besoj që përveç gjithë masave të tjera, të marra në bazën e këtij ndërveprimi të fortë dhe gjithmonë e më konstruktiv, është vullneti i Parlamentit, i shprehur në ashpërsimin e sanksioneve dhe në heqjen nga sanksionet për vjedhje energjie, të gjobës. Ky është fakt.

Ju siguroj që të njëjtin efekt do të marrim menjëherë sapo të sanksionojmë pa masa të ndërmjetme, që bëhen shkak për korrupsion dhe për pazare me gjykatësit, edhe ndërtimet pa leje dhe shkeljet e ndërtimeve me leje. Ky sanksion na jep mundësinë që menjëherë, duke filluar nga janari, ne të rishikojmë vendimin që morëm për të ngrirë aktivitetin e njësive vendore lidhur me dhënien e lejeve, sepse nuk ka më shans, në këndvështrimin tim, koha do ta provojë, që mbi lejet e dhëna të ketë abuzime, si ato që kanë vazhduar dhe që vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën, edhe pse shumë të reduktuara.

Ndërkohë, edhe një gjë të fundit, duke u sjellë në mënyrë akademike me këtë kancer që e ka ngrënë nga të katër anët Shqipërinë, ne nuk kemi bërë asgjë tjetër, veçse kemi rritur në mënyrë eksponenciale, faturën e njerëzve të ndershëm në raport me shtetin dhe me ligjin dhe kemi rritur në mënyrë eksponenciale, vetë faturën që ka shteti në kurriz në raport me sa mijëra e dhjetëra mijëra e qindra mijëra njerëz, janë sot ose të dhunuar dhe të privuar nga e drejta mbi pronën e tyre, ose të dhunuar apo të privuar nga e drejta e një bashkëjetese normale në komunitetin e tyre për shkak të kësaj sëmundjeje që i ka bërë hipertrofike, ngrehinat e ngritura mbi lejet e dhëna.

Kështu që, unë do të kërkoja mirëkuptimin e të gjithëve, për ta kaluar këtë amendament dhe për t’i dhënë mundësi nga njëra anë, gjithë njerëzve që duan të ndërtojnë brenda rregullave që të mos jenë të penguar, siç kanë qenë penguar me vetëdije nga ana jonë në këtë fazë, për të frenuar ndërtimet pa leje dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë dhe pa ekuivok, gjithë industrisë së ndërtimit që është zemra e këtij shkatërrimi kolosal që i është bërë vendit. Kështu nuk do kemi më as problematikën që është reale, të njerëzve që ndeshen me ligjin edhe për ndërhyrje minimaliste, por që vijnë si pasojë e nevojës për t’i dhënë në radhë të parë, frenim hemorragjisë së vazhdueshme në territor.

Jam i bindur se këto sanksione duhet të përdoren minimalisht ose hiç fare, sepse mjafton qenia e tyre në Kodin Penal për t’i dhënë fund kësaj historie. E të mos harrojmë që në Kodin Penal, sot ekziston ndëshkimi me heqje lirie për ndërtimet pa leje dhe ekziston prej kohësh, por nuk është përdorur asnjëherë, për shkak se i është lënë një spektër i jashtëzakonshëm abuzivizmi gjykatave të korruptuara dhe për shkak se i është dhënë një mundësi e jashtëzakonshme përfitimi dhe korruptimi, të gjithë atyre që për këto dëme në një vend tjetër të BE-së apo të rajonit, jo vetëm që do ishin ndëshkuar me heqje lirie, por do kishin humbur përgjithmonë të drejtën e ushtrimit të atij aktiviteti. Nëse një projektues në BE bëhet palë në shkeljen e një lejeje ndërtimi, humbet për gjithë jetën të drejtën që të ushtrojë profesionin e tij.

Faleminderit.

***

Ndërhyrja e kryeministrit pas deputetit Spartak Brahos:

Kryeministri Rama: Unë jam 100 % dakord. Unë mbrojta qëllimin, nuk mbrojta formulimin. E kjo besoj është edhe mënyra se si duhet të veprojë qeveria me Komisionin e Ligjeve. Komisioni i Ligjeve është aty për të mbrojtur deri në fund pikëpamjet e veta dhe për të mbrojtur deri në fund siç duhet çdo dispozitë, pa deformuar qëllimin për të cilin qeveria paraqet një projekt apo një dispozitë. Kështu që 5 minuta, 10 minuta, 15minuta absolutisht dakord, thjesht dhe vetëm që të mbrohet ky qëllim. Pastaj formulimi është i tëri kompetencë e juaja.



***

Ndërhyrja e kryeministrit pas deputetit Ben Blushi:

Së pari, ju faleminderit për vërejtjen. Nuk është origjinale, pasi ka kohë që e bën me zë të lartë dhe me zhurmë të madhe opozita, për përdorimin më tepër se ç’duhet të fjalës burg, por unë dua ti vë çdo gjëje fjalën që ka.

Këtu nuk bëhet fjalë për të futur në burg që ditën e parë dikë që ndërton pa leje. Këtu bëhet fjala për t’i dhënë fund një historie që vazhdon, jo prej një dite por prej 25 vjetësh. Është një çerek shekulli i humbur që praktikisht i ka hequr Shqipërisë të drejtën dhe mundësinë, bashkë 50 të tjera, edhe ato të humbura, bashke me ato 50 përpara edhe ato të humbura, që të ketë shekull të XX. Kështu që unë s’kam asnjë kompleks të përdor fjalën burg kur bëhet fjalë për tu kthyer lirinë dhe të drejtën atyre që pikërisht sepse kanë zbatuar ligjin, pikërisht sepse nuk kanë guxuar të vënë një tullë as në tokën e tyre pa leje, pasi nuk kanë pasur mundësinë ta marrin lejen në çerek shekulli, sot kanë humbur tokën e tyre, sot kanë humbur mundësinë që të jetojnë normalisht në familjet e tyre në komunitetet ku jetojnë dhe sot kanë humbur mundësinë që të ndjehen mirë sepse janë qytetarë që respektojnë ligjin.

E përballë këtij kanceri, unë vete nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër, përveçse një terapie intensive dhe radikale. E përsëris, këtu nuk ka asnjë shpikje. Ky është Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë dhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i vitit 2011, -pra jo pas 23 qershorit, -ka një nen që thotë “ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër e kryer në tokën publike apo shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet”. Sa ndërtime janë bërë që nga viti 2011, deri para pak kohësh kur ndodhi një frenim i konsiderueshëm, qoftë në tokën e vet, qoftë në tokën e të tjerëve apo në tokën shtetërore dhe s’ka një rast të vetëm ku ky Kod Penal i Republikës së Shqipërisë të jetë zbatuar, duke shprehur gjykata vullnetin e këtij Kuvendi?

E njëjta situatë, ekzaktësisht e njëjta ishte me energjinë, me gjobë ose me masa të tjera.

Shikojeni vete atë që po ndodh sot, siç të gjithë e dimë atë që ka ndodhur deri dje. Asnjë i dënuar për vjedhjen e energjisë elektrike dhe borxhi i ngarkuar mbi të gjithë ata që e kanë paguar rregullisht energjinë elektrike 1,1 miliard dollar i akumuluar në 20 vite. Kështuqë këtu nuk bëhet fjalë për t’u kapur pas fjalës, as për t’u tërhequr nga marrja e një hapi të domosdoshëm, duke u nisur nga rasti i një, dy, 12 apo 42 njerëzve që j’u ka rënë çatia apo ju ka rënë muri, e për shkak se j’u ka rënë çatia dhe j’u ka rënë muri janë përballur me forcën frenuese, ndërkohë që nuk ka asnjë, absolutisht asnjë dhe kjo është e ditur për shkak se unë jam marrë vete personalisht sa herë ka pasur ankesë për raste të tilla që një individ i tillë të ketë përfunduar në burg, sepse nuk është e arsyeshme. Por duhet të dallojmë shumë qartë edhe një here tjetër atë që kemi trashëguar, me atë që duam të lëmë pas ne në këtë proces qeverisës dhe me atë që duam tu japim njerëzve. E pikërisht për atë që duam tu japim njerëzve, ne s’kemi asnjë arsye pse të kompleksohemi përballë nevojës për të marrë masa që në vende të ngjashme me ne kanë dhënë rezultate që ne duam të kenë edhe këtu, ndërkohë që sëmundjet tek ne janë shumë më të rënda se sa në ato vende.

Po j’ua përsëris që janë dy vende të rajonit që kanë çuar ekspertë për t’u konsultuar me ne, duke u munduar të shikojnë dhe rezultatet qoftë për aksionin apo operacionin me energjinë elektrike si pasojë e rëndimit të saksioneve, qoftë me kalimin e inspektoriatit të ndërtimit nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme, të dyja masa që ndoshta në një vend tjetër do të ishin të pazakonshme, por këtu jemi në një situatë të jashtëzakonshme. E përballë kësaj situate të jashtëzakonshme, ne nuk mund të tregojmë gishtin, kur gishti tregon hënën. Ne jemi të detyruar të veprojmë dhe të veprojmë me shpejtësi.

Përsa i përket formulimit, unë e thashë dhe njëherë tjetër, s’mbrojta formulimin, jam absolutisht dakord që për çfarëdoqoftë duhet formuluar konform teknikës së nevojshme juridike, u takon juristëve t’a bëjnë, por qëllimi është i qartë dhe rëndësi ka që formulimi t’i përgjigjet qëllimit. Në momentin që ne vendosim këto sanksione, na jepet mundësia të vihemi në lëvizje për të çliruar qoftë industrinë e ndërtimit, qoftë edhe të gjithë ata që kanë nevojë për të pasur leje për të bërë ndërtime apo riparime sipas nevojës, sidomos në zonat rurale ku këto nevoja janë të përditshme. Sepse shkalla e mundshme e abuzimit me fjalën riparim, ne kemi pasur rast të shikojmë gjyqe spektakolare, ku nën termin riparim janë shpallur tërësisht të pafajshëm ndërtues që janë vënë përpara përgjegjësisë nga ana jonë në të shkuarën dhe pastaj kanë dalë pa lagur bashkë me katin shtesë se nuk e kishin kat shtesë, por e kishin riparim, e i është dashur të bëjë një kat shtesë lart që të riparojë themelet poshtë. Kështu që është fare e thjeshtë. Nuk ka asnjë shpikje dhe asnjë tendencë për të ekzagjeruar asgjë. Ndërkohë që ajo që kemi jashtë mureve të Parlamentit është mijëra herë më e ekzagjeruar se sa ajo çka ne bëjmë këtu apo përpiqemi të bëjmë këtu në raport me nevojën për ta përballur dhe për t’a zbutur maksimalisht atë ekzagjerim. Kështu që jemi në dispozicion për t’a votuar formulimin që juristët shikojnë më të arsyeshmin, duke i qëndruar deri në fund qëllimit. Qëllimin besoj e shpreha shumë qartë.

Faleminderit!

KOMENTE