Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Veliaj: Shqipëria “në të zezë”, histori e papranueshme
English

Veliaj: Shqipëria “në të zezë”, histori e papranueshme

Deklaratë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e djeshme:

Prezantoj disa nga Vendimet e Këshillit të Ministrave të ditës së sotme. Vendimi ndoshta më i rëndësishëm është ai që ndihmon 203.928 familje shqiptare, pra rreth 204 mijë familje shqiptare, me kompensimin e energjisë elektrike.

Këshilli i Ministrave ka akorduar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale një shumë prej 16 milion dollarësh, e cila do të shpërndahet për këto 203.928 familje. Për hir të transparencës, për të kuptuar se cilët janë ata që marrin kompensimin për heqjen e fashës së energjisë, po ju listoj më poshtë grupet që përfitojnë:

-Familjet në ndihmë ekonomike, përfitojnë 88.094 familje.

-Kryefamiljarë në pensione pleqërie dhe invaliditeti, 80 mijë familje.

-Familjet që kanë në përbërje persona me aftësi të kufizuar, rreth 7000 mijë familje.

-Të verbër sipas VKM nr. 404, 13.016 familje.

-Paraplegjikë dhe tetraplegjikë, sipas VKM 404, 6.818 familje.

-Punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj, 9000 mijë familje.

Në total 203.928 familje, e shumëzuar me banorët dhe me anëtarët që ka secila familje, mbi 1 milion e 200 mijë shqiptarë në këto familje do të kenë një kompensim për heqjen e fashës mbrojtëse 300 kilovat/orë.

Nëse ka qytetarë që kanë dëgjuar debate dhe janë të paqartë se pse ne kompensojmë këto familje, është për një arsye shumë të thjeshtë; 98 % e pensionistëve e paguajnë energjinë elektrike. Kjo është arsyeja që çdo shumë që ne vëmë në dispozicion të familjeve të pensionistëve është e garantuar që shkon për të shpërblyer këtë sjellje të rregullt të 98 % të pensionistëve shqiptarë.

93% e atyre që janë me aftësi të kufizuar, me invaliditet, paraplegjik, tetraplegjik, të verbër, 93 % e paguajnë energjinë elektrike. Ndaj dhe kjo para, nuk është e çuar dëm, por është një shumë, e cila shkon për të kompensuar këtë diferencë nga heqja e fashës për ato familje që gjithsesi në 93 % të tyre e paguajnë energjinë elektrike.

Më në fund kemi një shtet, i cili nuk shpërblen sjelljen evazive, nuk shpërblen shkeljen e ligjit, nuk shpërblen vjedhjen e energjisë, nuk shpërblen mospagimin e taksave, nuk shpërblen mospagimin e sigurimeve shoqërore. Kemi një shtet që shpërblen sjelljen e mirë, sjelljen qytetare, sjelljen e ndershme dhe sjelljen sipas ligjeve të këtij vendi, për ata qytetarë më të varfrit e këtij vendi që mbi 90 % paguajnë çdo detyrim, kryesisht atë të energjisë elektrike.

Shuma që secili prej këtyre individëve dhe përfaqësuesve të këtyre familjeve do të marrë si shtesë automatike në pagesën e familjes së vet, është 6480 lekë në muaj.

Për të gjithë ato familje që falë edhe fushatës sensibilizuese, do të kursejnë energji, pra do të harxhojnë më pak, këto para nuk kthehen mbrapsht. Pra nuk është një rimbursim, është një shtesë automatike në pension, në pagesë invaliditeti dhe në pagesat e tjera të ndihmës ekonomike që marrin familjet në nevojë.

Nëse një familje merr këtë shtesë automatike në buxhetin e vet dhe shpenzon më pak energji elektrike se në muajt e kaluar, nuk ka detyrimin të kthejë asnjë cent. E gjithë ajo shumë mund të konsiderohet një rritje direkte për pagesën apo për pensionin e këtyre familjeve.

Lajmërimi i dytë që kam, meqë po flasim për pensionistët, një Vendim tjetër i Këshillit të Ministrave është Projektligji për të ratifikuar marrëveshjen për njohjen e viteve dhe të pensioneve me Luksemburgun.

Ishte një marrëveshje që e firmosëm vitin e kaluar dhe tani ka ardhur radha që t’i kërkojmë Parlamentit që të ratifikojë sa më shpejt, që brenda këtij viti qytetarët tanë të përfitojnë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje pensione më të larta.

Siç u njoftua dhe dje, të hënën fillojnë negociatat teknike, - negociatat politike kanë mbaruar me sukses, - për marrëveshjen e pensioneve me Gjermaninë; do të vazhdojnë me nënshkrimin me Kanadanë; fillojmë negociatat me Austrinë; kemi mbaruar ndërkohë negociatat me Rumaninë dhe Maqedoninë, për t’u përmbyllur brenda këtij viti.

Meqë jemi tek pensionet dua t’ju përmend edhe një projektligj tjetër, i cili i shkon Parlamentit që ka të bëjë me pensionet e funksionarëve të lartë të shtetit. Ajo që kemi premtuar është që do të tregojmë një shtet solidar, i cili për ata që janë më nevojtarë do të duhet që të ulë moshën e pensionit, për ata që mundet të punojnë më shumë do ta rrisë moshën e pensionit. Ju them se për cilat kategori bëhet fjalë;

E kemi ulur moshën e pensionit me 5 vite për minatorët. E vetmja kategori që do të pësojë rritje të moshës së pensionit janë funksionarët e lartë të shtetit, ministrat, zëvendësministrat, Kryeministri, Presidenti, deputetët, të cilët dilnin në pension në moshën 55 vjeç. Shkëmbimi që kemi bërë është një shkëmbim i drejtë dhe social. Minatorët me një jetëgjatësi më të ulët, me sëmundje kronike, siç e patë dhe dje nga pensioni i dyfishuar që Kryeministri i dha minatorit në pension, do të ulet nga 60 në 55 vjeç dhe kjo ndodhi. Ndërkohë që për këta funksionarë të lartë, që nuk kanë vështirësinë e punës që dikush ka në minierë, mosha sipas këtij projektligji që do t’i shkojë parlamentit do të shkojë nga 55 vjeç në 60 vjeç për të treguar që është politika e para që duhet të paguajë një çmim për reformën, përpara se t’i kërkojë qytetarëve që të paguajnë gjithashtu detyrimet e tyre.

E meqë jemi tek politika që duhet të paguajë detyrimet e veta e para, keni dëgjuar një debat gjatë gjithë këtyre ditëve që ka të bëjë me çështjen e pagesave të munguara nga sigurimet shoqërore.

E themi gjithë ditën dhe gjithë natën, që në 8 vitet e fundit në Shqipëri është bërë një rrumpallë me një faturë financiare 109, 5 milionë dollarë. Minimumi që dikush do duhej të bënte, ishte që të kërkonte ndjesë ose të mos fliste fare. Por, të shikosh se si krenohen me qeverisjen e arritjeve imagjinare dhe të shikosh se si mohojnë çdo gjë që ka të bëjë me mënyrën se si u qeveris ky vend, kur shteti punonte në të zezë.

Ne kemi patur 1600 institucione që kanë punuar në të zezë. Sqaroj shumë mirë opozitën se nuk kam thënë kurrë 250 mijë punonjës buxhetore. Kam thënë 250 mijë shqiptarë që në shtet edhe në privat kanë boshllëqet në pensionet e tyre.

Disa boshllëqe janë ndoshta vetëm një muaj, një muaj vonesë pagese. Disa boshllëqe janë disa muaj, disa boshllëqe janë disa vite, ndërsa disa institucione spektakolare nuk i kanë paguar për 8 vjet, gjatë qeverisë së kaluar.

Ajo që kemi bërë është që pasi kemi bërë një filtrim të këtij materiali, po i përcjellim dosjet Prokurorisë dhe shumë shpejt shpresojmë që bashkëpunimi me Prokurorinë do të japi frytet e veta për të treguar që ata që kanë përgjegjësi për këtë krim ekonomik të dalin përpara ligjit.

Nga kjo javë do të marrin një letër të gjitha kompanitë që kanë detyrime të prapambetura në sigurimet shoqërore. Nuk është qëllimi ynë as të diskreditojmë kompaninë, as të prishim reputacionin e tyre, imazhin e tyre. Qëllimi ynë është shumë i qartë, që çdo punëtor në Republikën e Shqipërisë të mos konsiderohet skllav. E për sa kohë që ka një kontratë dhe ka punuar, qofshin këta punëtorë le të themi në punë jo të sofistikuar, siç mund të kenë qenë shumë ndërmarrje fasone apo të tjerë në punë me paga më të larta, për ne janë të gjithë njësoj. Nëse dikujt i është mbajtur nga rroga, 9,5 % e saj, për të paguar sigurimet shoqërore dhe kjo nuk është derdhur pranë tatimeve për hesap të sigurimeve shoqërore, kjo është një vjedhje. Është njësoj sikur dikujt nga xhepi t’i marrin 9,5 % të portofolit. I kanë vjedhur 9,5 % të parave për sa kohë që nuk i ka në rrogën e vet.

Prandaj ajo që duhet të bëj është që të inkurajoj të gjithë kompanitë që të nxitojnë të paguajnë dhe ta konsiderojnë këtë kohë, një fazë ku mund të shlyejnë të gjithë detyrimet e tyre brenda datës 15 shkurt. Pas datës 15 shkurt, ne do të fillojmë një fushatë sanksionesh, e cila nuk do të ndalet, ashtu siç ka qenë fushata e energjisë. Ju garantoj se për këtë fushatë kemi mbështetjen e të gjithë biznesit të shëndetshëm dhe të ndershëm në Shqipëri, që është në fakt shumica e biznesit. E them këtë sepse shumica e biznesit që punon, përfshi edhe faturën e sigurimeve shoqërore, prodhon një produkt që është më i shtrenjtë krahasuar me një tjetër biznes që prodhon duke hequr faturën e sigurimeve shoqërore. Kjo është konkurrencë e pandershme. E për këdo biznes që është në rregull me ligjin, dhe shumica e bizneseve janë në rregull me ligjin, kërkojnë që dhe të tjerët të paguajnë sigurimet shoqërore, përndryshe kjo është një konkurrencë e pandershme. Dikujt, i njëjti produkt i del me kosto më të ulët sepse shmang dhe bën evazion për të tilla pagesa.

Prandaj duke qenë se kemi miratimin e pjesës dërrmuese të biznesit të ndershëm, kërkojmë që të gjithë të tjerët të vendosen në një nivel të barabartë për të respektuar garën brenda biznesit, por kryesisht për të ruajtur të drejtat e punëtorëve dhe për të kuptuar që në Republikën e Shqipërisë në vitin 2015 nuk mund të punohet më në mënyrë skllavërore.

U kemi kërkuar qytetarëve që të raportojnë pranë ministrisë sonë për raste që ata vetë dinë. Duke ditur që edhe kapacitet e shtetit tonë janë të kufizuara. Dua ta përdor këtë mundësi për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve: Nëse dini një institucion, nëse dini një sipërmarrje, nëse jeni vet ata që e keni pësuar nga pagesa e cunguar ose puna në të zezë, ju lutem raportoni dhe denonconi. Ju lutemi ejani pranë një prej institucioneve tona, qofshin këto agjencia e sigurimeve shoqërore, qofshin këto inspektorate e punës, qofshin këto zyrat e punës, nëpërmjet internetit tek denonco@sociale.gov.al në faqen tonë on-line, në rrjete sociale ku ne kemi hapur portalet. Ju lutem bashkëpunoni!

Bashkëpunimi juaj përkthehet në zbardhjen e vendeve të punës, përkthehet në më shumë pensione, ashtu siç u provua edhe dje që skema e re për disa njerëz, menjëherë prodhoi një pension më të lartë prej 30 mijë lekë në ditët e para të pensionit. Skema e re shpërblen shumëzimin e viteve të punës me pagesën. Ndaj ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që nëse ndiheni të kërcënuar nga puna në të zezë, ju lutem raportoni në një nga burimet dhe një nga pikat e aksesit që ju thamë.

Sa për opozitën, gjykoj që është një moment për të reflektuar se çfarë shteti kemi pasur në vitet e fundit. Kemi pasur një shtet që qeverisej nga një personazh që punonte në të zezë dhe drejtonte një shtet që punonte në të zezë. Dolën disa njerëz dhe thanë me të drejtë, ndoshta teorikisht, se si ka mundësi sepse transfertat për pagesat shkojnë njësoj sigurimet shoqërore edhe rrogat.

Bashkë kemi qenë dëshmitarë, edhe mediat kanë qenë dëshmitare për punësimet masive që bëheshin në kohë fushatash 200 këtu e 300 këtu, 400 këtu. Ju e dini fare mirë që fondi i pagave lirohet në fillim të vitit. Nëse kemi pasur zgjedhje në qershor ose në korrik do të thotë që është përdorur fondi ekzistues i pagave për të shtuar me 200 apo 300 njerëz. Në pamundësi për të pasur rroga për këta njerëz është përdorur fondi i sigurimeve shoqërore, për të bërë qokat e punësimeve 2-3 mujore në fushatë. 2-3 muaj këta kanë punuar në të zezë sepse s’kanë sigurime shoqërore se me ato para janë paguar rrogat e militantëve, por në fakt kanë ngrënë dhe sigurimet shoqërore të atyre që në kushte normale kishin kontrata afatgjata me këto ente publike.

Ndaj dhe unë sot dua të përdor këtë mundësi për t’u thënë qytetarëve që sa herë që i shihni këta njerëz kur dalin përpara televizorit, kur shikoni ish ministrat e mbrojtjes, kujtoni që kemi pasur një ushtri të NATO-s pa sigurime shoqërore, një ushtri të NATO-s që shkonte në Afganistan, shkonte në Çad, shkonte në Irak e pasiguruar, pa pensione.

Sa herë që shikoni ish ministrat e arsimit, nëse jeni mësues, shihini mirë në ekran se janë njerëzit që ju lanë pa pensione. Disa dhjetëra raste kemi pasur, disa drejtori arsimore kanë qenë në totalin e tyre në të zezë dhe përpara se të dëgjoni broçkullat dhe sharjet personale të radhës kujtoni se ju lanë pa pensione këto 8 vjet.

Në se jeni mjek ose një infermier dhe shikoni këta që duken të habitur sikur sapo kanë ardhur në Shqipëri, e jo sikur sapo lanë këtë katrahurë, kujtoni se ishin ata që për mjekët edhe për kryemjekun që kishin në krye të vendit, për mjekët e thjeshtë që punonin dhe shërbenin apo infermierët as nuk i interesonte fare, i lanë pa pensione për 8 vjet.

Ajo që duhet të bëj, përveçse t’i përgjigjem kësaj kakofonie dhe këta që habiten sesi Shqipëria paska funksionuar kështu, ndërkohë që ishin ata që e lanë Shqipërinë në këtë derexhe, dua të garantoj të gjithë qytetarët që përsa i përket borxhit të shtetit po marrim të gjitha masat që së bashku me ministrinë e financave dhe shumë prej organizmave shtetërore kanë filluar të bëjnë pagesat.

Ushtria është në avangardë të kryerjes së këtyre pagesave të munguara në 8 vitet e fundit dhe po kështu dhe institucionet e tjera. Ju garantoj çdo qytetar shqiptar që ka punuar për administratën publike, që për ne është nder t’i shërbesh vendit tënd, t’i shërbesh Republikës së Shqipërisë dhe ne këtë nder do ta respektojmë, do ta respektojmë duke paguar të gjithë detyrimet që kanë institucionet shtetërore.

Duke thënë këtë dhe duke dhënë shembullin personal si shtet që paguan të vetët, sigurisht kemi pastaj dhe fytyrë kemi dhe gojë që t’i kërkojmë biznesit të plotësojë të njëjtat detyrime. Kështu që kemi vënë një afat deri në datën 31 mars që kjo të jetë një histori e mbyllur.

Ndaj në 15 shkurt të gjitha bizneset do të duhet që të kenë bërë aranzhimet e tyre për të paguar vonesat e sigurimeve shoqërore dhe sigurisht në maksimumin e mundësive dhe në një kohë sa më të shpejt edhe shteti do të bëjë të mundur shlyerjen e të gjithë detyrimeve të veta, që të sigurohemi që viti 2015 është një vit që nuk punohet në të zezë. Viti 2015 është një vit pa borxhe nga e kaluara dhe viti 2015 është një kujtesë se si ishin gjërat kur e gjithë Republika e Shqipërisë punonte në të zezë.

Faleminderit shumë!

KOMENTE