English

Artan Didi takim zyrtar me Zv.Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Italiane, Z.Fulvio DELLA ROCCA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Artan DIDI, paraditen e ditës së djeshme, priti në një takim zyrtar Zv.Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Italiane, Z.Fulvio DELLA ROCCA, i cili shoqërohej edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë Italiane. Gjatë këtij takimi, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Z. Massimo GAIANI, si dhe Shefi i Misionit të PAMECA IV, Z. Giorgio BUTINI.
Z.Didi, pasi evidentoi bashkëpunimin në nivele shumë të larta që ekziston mes policive të të dy vendeve, u shpreh se takimet tashmë duken të zakonshme, pasi aq shumë bashkëpunim kemi pasur gjatë vitit që shkoi, në shkëmbim të informacioneve, të takimeve dypalëshe, të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar, atë të kapjes dhe ekstradimit të të kërkuarve nga organet e drejtësisë së vendeve tona, të monitorimeve nga ajri për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, saqë tashmë duket sikur jemi një polici e vetme. Ishte pikërisht ky bashkëpunim dhe shkëmbimi i shpejtë i informacionit mes dy policive, që gjatë vitit 2014, solli goditjen e disa grupeve kriminale të trafikut të drogës, vuri në dukje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, Z.Didi vuri në dukje edhe zhvillimin e suksesshëm të operacioneve të përbashkëta me partnerët e tjerë, si me Belgjikën, Gjermaninë, Malin e Zi, etj, sikundër vlerësoi edhe bashkëpunimin me Maqedoninë, ku vitin e fundit është evidentuar rritja e këtij bashkëpunimi, duke shprehur bindjen se Projekti IPA 2013, do e forcojë këtë bashkëpunim më tej në të ardhmen.
Në vijim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, theksoi se zhvillimi i këtyre operacioneve të përbashkëta, shkëmbimi i informcioneve dhe mos rrjedhja e informacionit, siç mund të ketë ndodhur më parë, solli rritjen e besimit dhe të largimit të skepticizmit nga partnerët tanë, duke bërë që Policia Shqiptare, tashmë të shikohet si një partnere e rëndësishme dhe e besueshme në luftën kundër krimit të Organizuar dhe Terrorizimit.

Gjatë këtij viti tha ai, presim të rrisim cilësinë e bashkëpunimit dhe të krijojmë kushtet për krijimin e njësive operative të përbashkëta kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, gjë që është në prioritetet tona.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zv/Drejtori i Përgjtihshëm i Policisë së Shtetit për krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Z.Çako, i cili gjatë fjalës së tij e cilësoi shumë me vlerë vizitën e Zv/drejtorit të Përgjithshëm Italian dhe theksoi se ka një sërë faktorësh që e bëjnë të domosdoshëm bashkpunimin tonë. Po ashut zoti Çako theksoi se elementët, që përbëjnë organizatat kriminale nuk kanë shtetësi ndaj dhe në këto kushte, kërkohet forcimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi të drejtpërdrejtë ose operativ.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Z.Della Rocca përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për performacën e krijuar në drejtimin e Policisë Shqiptare, si dhe për bashkëpunimin dhe operacionet e përbashkëta që janë zhvilluar mes dy policive, por edhe me partnerët e tjerë. Ai theksoi se vizitën e parë zyrtare pas marrjes së detyrës të Zv.Drejtorit, po e zhvillon në Shqipëri, ç’ka është edhe një mesazh i qartë i marrëdhënieve mjaft të mira mes dy palëve, të bashkëpunimit, të shkëmbimit të informacionit, të zhvillimit të disa operacioneve antidrogë, të operacioneve për kapjen e personave në kërkim nga drejtësia italiane, si dhe i besueshmërisë, që tashmë keni fituar, në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Kjo vizitë vjen menjëherë pas vizitës së Ministrit të Brendshëm të Italisë, i cili gjatë takimit me Ministrin Saimir Tahiri deklaroi se pas kësaj vizite, takimet do shtrihen në nivel strategjik dhe teknik.
Më tej Zvdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane ka vlerësuar mjaft të mirë bashkëpunimin gjatë vitit 2014 dhe ka kërkuar që të forcohet më tej ky bashkëpunim duke krijuar struktura operative për shkëmbimin e informacioni në kohë reale.
Zv/Drejtori i Policisë Italiane ofroi trajnime për Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit Shqiptar, duke theksuar faktin që bashkpunimin e shkëlqyer që tashmë kemi arritur, ta përdorim si model edhe në fushën e luftës kundër terrorizimit.
Policia italiane është partnere në organizatën e SEPCA's dhe ne do garantojmë përfshirjen më konkrete për t’ju mbështetur nga ana llogjistike dhe për të qenë më aktiv në këtë iniciativë, shtoi ai.
Z. Fulvio Della Rocca, garantoi mbështetjen e plotë nga ana e institucionit që ai përfaqëson, për të përfshirë Shqipërinë në Projektet e përbashkëta në të ardhmen, me EUROPOL-in, ku Policia Italiane, aktualisht ka drejtimin e komitetit Ekzekutiv.

KOMENTE