English

Strategji të re për reformën në administratën publike

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito prezantoi sot një strategji të re për ngritjen e një grupi të posaçëm Shqipëri-Be, për reformën në administratën publike.

Në konferencën e organizuar ditën e sotme në Hotel Tirana, Harito nënvizoi rritjen e besueshmërisë së administratës për qytetarët. Sipas Haritos, për 2015-2020-n është hartuar draft-strategjia e cila do të ofrojë kornizën e përgjithshme në katër shtylla, në politikbërje, në shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, dhe në procedurat administrative.

“Është një strategji e hartuar në kuadër të reformës në administratë dhe në kuadër të standardeve evropiane që të sigurojmë funksionimin efikas nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja”, nënvizoi ministrja.

Ministrja u ndal në reformën në administratë e cila nisi fillimisht me aplikimet online, deri në rekrutimet e bëra në muajin mars e shtator të 2014-s, që janë vetëm aplikime online.

“Suksesi ynë u duk që në konkurset e para, ku kishte një pjesëmarrje prej rreth 5200 kandidatë. Në muajin gusht të 2014-s u shpallën 113 vende të reja pune të kategorisë ekzekutive (specialistë). Një risi që vlen të theksohet, me synimin e zbatimit më korrektësi të ligjit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit, është aplikimi on line i kandidatëve. Si rezultat në këtë periudhë aplikuan 5,300kandidatë dhe në përfundim të procedurave të konkurrimit rezultuan 38 fitues. Në muajin tetor 2014, u shpallën 148 vende vakante në nivel ekzekutiv (specialistë), ku aplikuan rreth 7,000 kandidatë, (afërsisht 2,000 aplikime me shume se fazën e parë), fakt ky që evidenton rritje të besueshmërisë në procedurat e reja dhe transparente të rekrutimit. Në përfundim të procedurave të rekrutrimit, rezultuan 114 fitues”, u shpreh Harito.

Ministrja Harito përmendi gjithashtu rëndësinë e Shkollës së Administratës Publike (ASPA) në intensifikimin e trajnimeve si dhe angazhimin e Departamentit të Administratës Publike në hartimin e strategjisë së administratës, shkruan "Shekulli" .Harito theksoi se do të marrë zgjidhje edhe çështja e vendimeve të gjykatave për pushimin pa të drejtë nga puna të punonjësve të administratës. Administrata synon të kthehet në një vend ku mbizotëron profesionalizmi dhe meritokracia.

KOMENTE