English

Edi Rama letër urimi Aleksis Tsipras: "Tsipras, ju pres në Tiranë"

“Edi Rama e vlerësoi atë, Tajip Erdogan, në rolin e sulltanit të mençur e këshilloi atë për të qenë më i moderuar, Nikolla Gruevski, "i djegur" nga qeveria e Panos Kamenou-t, mbeti i heshtur aq sa nuk i dërgoi asnjë telegram urimi, ndërkohë që Vuçiç nuk hodhi ndonjë hap gëzimi. Kështu fillon shkrimi i gazetës greke “Kathimerini”, e cila analizon reagimet e kryeministrave të rajonit, pas fitores së Aleksis Tsipras.

Gazeta greke ka zbardhur një pjesë të letrës që kryeministri Edi Rama i ka dërguar kreut të SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, pas fitores së tij në zgjedhjet e fundit. Në letër flitet për anulimin e vizitës së Tsipras në Tiranë dhjetorin e kaluar, që është kërkuar nga vetë kreu i SYRIZA-s për shkak të zhvillimeve në Greqi. Ndërkohë, përmes kësaj letre, kreu i qeverisë shqiptare kërkon një takim që ai e quan “të domosdoshëm”, me homologun grek.

“Duke qenë se në thelb ndajmë nevojën e përbashkët për të rifilluar një program social evropian ku të marrin pjesë të gjithë, ku integrimi të mbështetet në një solidaritet të vazhdueshëm dhe të mos bazohet në një Evropë të qendrës apo në një Evropë të periferisë dhe të getove, do të ishte kënaqësi për mua t’ju kisha takuar dhjetorin e kaluar, ashtu siç ishte planifikuar. Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi e bëri të pamundur këtë takim, por rezultati i zgjedhjeve e bën akoma më të nevojshëm këtë takim. Ju pres në Tiranë në kohën më të përshtatshme për ju”, thuhet në letrën që Rama i ka dërguar kryeministrit Tsipras.

Artikulli që flet për letrën, titullohet “Pikëpamjet e fqinjëve për Tsiras”, dhe jep një konspekt të marrëdhënieve të Greqisë me fqinjët, duke filluar që nga kreu i qeverisë shqiptare, lideri i Turqisë Erdogan, ai i Maqedonisë Gruevski dhe kreu i qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiç.

Gazeta “Kathimerini” e përcjellë përmes "Shekulli", shkruan se deri tani, në kryeqytetet e vendeve fqinje është regjistruar një atmosferë optimiste, pas zgjedhjes së Tsipras si kryeministër i Greqisë. Interesi është i madh dhe për shumë arsye sigurisht, por qeveritë, partitë politike dhe mediet janë duke pritur pozicionimin e qeverisë greke për çështje të mprehta dypalëshe të tilla si: ajo e Qipros, emrin e Republikës Jugosllave të Maqedonisë, zonat detare të Shqipërisë, etj.

KOMENTE