English

Ulqini i jep Kryeministrit Edi Rama titullin “Qytetar Nderi”

Një ceremoni e veçantë në kuadër të Ditës së Ulqinit është zhvilluar sot në qytetin bregdetar të Malit të Zi. Qyteti i bashkëjetesës, i turizmit dhe i historisë mirëpriti sot Kryeministrin Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Pjesëmarrje e posaçme në takimet dhe ceremoninë e zhvilluar për nder të dy “qytetarëve” më të rinj ulqinak ishte ajo e Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanović. Kryeministri shoqërohej gjatë vizitës së tij në Ulqin nga bashkëshortja Linda Rama. Titulli, me motivacionin: “Në shenjë nderimi për veprimtarinë dhe kontributin shumë të rëndësishëm të Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, zhvillimit demokratik në rajon, integrimit euroatlantik dhe avancimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi”, iu dorëzua sot nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, në një ceremoni të organizuar enkas për këtë rast, në Pallatin e Kulturës, në Ulqin. Gjatë kësaj ceremonie u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Komunës së Ulqinit” edhe Zv/Kryeministri i Kosovës, njëherësh dhe Ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi.

Vetë Kryeministri Rama i falënderoi drejtuesit e Komunës së Ulqinit për mikpritjen dhe nderimin e bërë, ndërsa shprehu konsideratën se Ulqini përbën një pikë shumë të rëndësishme referimi dhe një zonë shumë të rëndësishme për bashkimin mes shqiptarëve dhe malazezëve, në këtë rrugë ku së bashku duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. “Në Ulqin je gjithmonë, në një vend shumë të njohur dhe në një vend shumë të ri. Vend i njohur përmes gjurmëve të qytetërimeve të lashta që ndërthuren në rrugët e qytetit dhe të thithin në legjenda, të cilat edhe kur njeh nuk ngopesh duke i përjetuari përsëri e përsëri. Vend shumë i ri për shkak të pasurisë kulturore e natyrore të pashoqe, që prodhon në vijimësi energji dhe ndjeshmërinë e të qenit këtu gjithmonë për herë të parë. Unë vij në këtë qytet me kënaqësi të madhe dhe sigurisht, këtë herë me një kënaqësi krejt të posaçme, prej mikpritjes dhe nderit të madh që ju më bëni me titullin e “Qytetarit të Nderit të Ulqinit”. E po ashtu, e çmoj në mënyrë të posaçme praninë e Presidentit të Malit të Zi në këtë ceremoni që bashkon mua me mikun dhe vëllain Hashim Thaçi, por që bashkon ne të gjithë, si shqiptarë dhe si malazezë, në një moment festiv që është edhe një moment për të reflektuar për rrugën tonë të përbashkët. Në këtë rrugë të përbashkët, pa as më të voglin dyshim, Ulqini është një pikë shumë e rëndësishme referimi dhe një zonë shumë e rëndësishme për bashkimin mes shqiptarëve dhe malazezëve, në këtë rrugë ku së bashku duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Ballkani po hedh hapa të vendosur në kohën e re të paqes dhe padyshim, na takon ne në këtë kohë të re të paqes të jemi sa protagonistë aq edhe nxitës të forcimit të lidhjeve të paqes mes njëri - tjetrit. Por, në mënyrë të posaçme shqiptarëve, sot, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Serbi, Maqedoni, u bie përsipër një barrë krejt e veçantë. Sepse shqiptarët sot, në këtë rajon, janë më mirë se ç’ kanë qenë kurdo herë tjetër, por janë njëkohësisht dhe të ngarkuar me përgjegjësinë historike të dhënies së shembullit të tyre, në respekt të të tjerëve, por edhe në lartësimin pa ndalim të forcës së dinjitetit të tyre, si aktorë përgjegjës për paqen, për zhvillimin dhe për integrimin e rajonit të Ballkanit” - tha Rama, në përshëndetjen e tij, pas marrjes së titullit “Qytetar Nderi i Komunës së Ulqini”.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se bashkëpunimi mbetet prioritet i Qeverisë shqiptare, e cila do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e komuniteteve shqiptare dhe të çdo shqiptari, kudo që ndodhet, me të njëjtën bindje që mbron të drejtat e komuniteteve dhe e kulturave të tjera, në Shqipëri dhe në rajon. “Veçanërisht për këtë arsye, dua tha them fare sinqerisht, nderi që më bëni merr një kuptim të veçantë, në momentin kur këtë nder e ndaj me një mik, me një vëlla si Hashim Thaçi, përfaqësuesi i një shteti të ri, i cili nuk lejon plagët natyrshëm ende të pashëruara plotësisht, të një lufte përballë së cilës u gjendën shqiptarët e Kosovës, të cenohej vizioni për të ardhmen, të bazuar në një qasje të re dhe një sjellje absolutisht shembullore për të gjithë, sipas standardeve më të mira të Bashkimit Europian ndaj pakicave. Duke qenë të dy përfaqësues të të dy shteteve shqiptare në rajon, është rasti më i mirë për ta thënë këtu, sot, se kemi edhe ne shumë për të mësuar nga shembulli i përparimit të Malit të Zi drejt Europës së Bashkuar. Dhe tek sa bashkëpunojmë me njëri – tjetrin dhe mësojmë prej njeri – tjetrit, duke shkëmbyer eksperienca dhe ide në nivel dypalësh apo shumëpalësh, besoj se kjo është veçanërisht pika ku ne mund të bëhemi mbështetje e pazëvendësueshme e njëri – tjetrit. Ndaj, gjej rastin të përgëzoj nga zemra, jo vetëm Presidentin Vujanoviç, jo vetëm Kryeministrin Gjykanoviç dhe Qeverinë malazeze për suksesin në rrugën e integrimit europian, por çdo qytetar dhe qytetare të Malit të Zi, që pandashmërisht i bashkohet rrugës sonë të përbashkët të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit në paqe, për t’i kthyer sukseset në demokraci dhe në ekonomi, në një burim frymëzimi për të gjithë rajonin dhe padyshim, për të gjithë të rejat dhe të rinjtë në këtë rajon, pavarësisht vendit ku ndodhen dhe kombit të cilit i përkasin” – tha Kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri Rama përveç shembullit në nivel kombëtar, përshëndeti edhe shembullin lokal të bashkimit të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar aty, për ta vënë politikën realisht në shërbim të komunitetit dhe të interesit të përbashkët të kësaj komune. “Ulqinakët thonë një fjalë: “Deti njihet sipas emrave”. E mua më duket se era që po fryn për ne të gjithë, na vë para detyrimit të tregojmë se dimë të notojmë pa u mbytur në detin e paqes, i cili është natyrisht deti i shumë mundësive. I mundësive të bashkëpunimit në turizëm, në infrastrukturë, në tregti, jo më pak për sa i përket fushës së energjisë apo të arsimit, kulturës e me radhë, çka jemi duke e vlerësuar dhe shfrytëzuar bashkërisht me Qeverinë e Malit të Zi”, - vijoi Kryeministri Rama.

Në fjalën e tij, Rama shprehu gatishmërinë që atë bashkëpunim të nisur mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës ta çojnë më tutje edhe me qeveritë dhe popujt e tjerë të rajonit. “Ne do të ecim përpara drejt bashkimit tonë kombëtar, por pa harruar asnjëherë se ideja e bashkimit kombëtar sot, në Shekullin XXI, është ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe të Bashkimit Europian. E pa asnjë dyshim, çka po bëjmë së bashku me Qeverinë e Kosovës, ne jemi gati ta çojmë më tutje si një shembull rrëzimi përfundimtar të kufijve, të barrierave, të pengesave dhe si një shembull hapjeje transformuese për të bashkërenduar energjitë njerëzore mes nesh, edhe me qeveritë e tjera të rajonit, edhe me popujt e tjerë të rajonit. Pa as më të voglin dyshim, ne jemi të gatshëm të shkojmë më tutje me qeverinë e Malit të Zi, një vend me të cilin ndjehemi shumë pranë, një vend me të cilin nëse na ndan gjuha e ndryshme, nuk na ndajnë shumëçka që ka të bëjë me kulturën dhe me zakonet që na duken krejt të përbashkëta. Jemi të gatshëm që ta kthejmë të shkuarën në një mësim të madh për të ardhmen dhe të bëjmë në këtë rajon, mes Shqipërisë dhe Serbisë, mes shqiptarëve dhe serbëve, atë që Franca dhe Gjermania bënë pas Luftës së II- të Botërore, duke vendosur themelet e një transformimi historik që çoi Evropën e shkatërruar nga lufta e tmerrshme në projektin dhe pastaj në realitetin e Europës së Bashkuar” – theksoi Kryeministri Rama.

Në fund, Kryeministri solli në vëmendje se “Ne në Shqipëri, kemi shumë këngë popullore ulqinake dhe për ulqinakët. E në fakt, me sa di, nuk ka asnjë dasmë të mundshme, gëzim apo si i thonë sebep në Shkodër, ku nuk këndohet “m’ka shku mendja me u fejue, e me marr nji ulqinake.” Ajo që unë dua të them me këtë nuk është diçka për shqiptarinë, por është diçka që ka të bëjë me Ballkanin, i cili, përbëhet prej vendesh që deri vonë janë konsideruar pjesë e një “fuçie baruti”, por në të vërtetë është koha që Ballkanit t’i vëmë emrin e merituar një “fuçi hareje dhe gëzimi” të përbashkët. Me këtë ndjesinë të jashtëzakonshme të përjetimit të krejt Ballkanit në këtë qytet të vogël, unë dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për titullin dhe përsëri të gjithëve t’ju falënderoj për këtë mikpritje, duke ju lutur që të mos më keqkuptoni, nuk më ka shku mendja me u feju, e as me marrë nji ulqinake, por mund të them që për këtë qytet s’është e thjeshtë mos me të zënë i ziu marak” – u shpreh Rama.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa i falenderoi për titullin që i akorduan autoritetet shtetërore të Malit të Zi dhe qytetarët e Ulqinit, solli në vëmendje me mirënjohje ndihmën që u dhanë qytetarëve të Kosovës në vitet ’98-99. “Dashuria më e madhe, dashuria më e pakrahasueshme u dha në verën e vitit 1998 dhe verën e vitit 1999, gati 16 -17 vite më herët. Atëherë pranuat qindra mijëra kosovarë që ikën nga dhuna dhe gjetën shpëtim tek ju. Më lejoni që t’ju them se kurrë Kosova nuk do t’jua harroj këtë të mirë. Prandaj dëshiroj që t’ju falënderoj secilin prej jush, të falënderoj çdo familje ulqinake, të falënderoj shtetin e Malit të Zi. I nderuari Presidenti Vujanović, dëshiroj që t’ju falënderoj për rolin tuaj, të falënderoj Kryeministrin Milo Djukanovic, t’ju falënderoj juve kryetar Gjeka dhe të falënderoj të gjithë ata njerëz që strehuan familjet e dëbuara me dhuna nga Kosova në vitet 1998-1999”, u shpreh Thaçi.

Më herët një takim i veçantë u zhvillua mes tre krerëve të lartë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi në Komunën e Ulqinit.

KOMENTE