English

A festojnë amerikanët dhe evropianët për të njëjtën NATO, në Strasburg dhe Këhl

Analizë nga AFP

Amerikanë dhe evropianë do të festojnë në brigjet e Rinit 60-vjetorin e aleancës më të fuqishme ushtarake të globit, por nuk dihet me siguri nëse do të rezistonte unanimiteti i tyre i fortë nëse Uashingtoni do të kërkonte me çdo kusht promovimin e një NATO-je botërore në shekullin XXI.  "Evropianët do të lidhen përsëri me Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas", shprehu kënaqësinë një zyrtar amerikan në NATO, për atmosferën e ritakimeve që do të favorizojë në samitin e Strasburgut dhe Kehlit kthimin simbolik të Francës në strukturën e saj ushtarake.  Sipas François Heisbourg, këshilltar pranë Fondacionit për Studime Strategjike në Paris, "administrata e presidentit Barak Obama po përpiqet t'i tregojë botës një fytyrë bashkëpunuese".  Në fakt, sipas ekspertit belg për strategjitë, Joseph Henrotin, "ndryshimi i vërtetë i Shteteve të Bashkura ndaj Evropës është bërë gjatë mandatit të dytë të George W. Bush".  Pas mosmarrëveshjes së rëndë transatlantike të vitit 2003 lidhur me Irakun, "ka patur një ndryshim që kishte të bënte me deklaratën se nuk mund të bëhej pa evropianët", thekson ai.  Jeremy Shapiro, analist i Institutit Brookings të Uashingtonit, konfirmon: "e gjithë bota politike amerikane mendon se Shtetet e Bashkuara nuk do të gjejnë partnerë më të efektshëm dhe më të sigurt në botë se evropianët".  Mbi të gjitha, NATO-ja përfaqëson ende 75 për qind të shpenzimeve ushtarake botërore.  Por, nëse duam që partneriteti euroatlantik të vazhdojë, duhet t'i gjejmë një mision të qartë, 19 vjet pas Luftës së Ftohtë.  Asnjë kërcënim ushtarak i drejtpërdrejtë nuk ekziston më për Evropën. Sipas një oficeri aleat, sidoqoftë, NATO-ja për Uashingtonin e ruan të gjithë kuptimin e saj: "ndërkohë që evropianët kërkojnë në këtë samit një garanci ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, amerikanët do të vijnë atje të gjejnë mbështetjen politike të evropianëve për ndërmarrjet e tyre".  "NATO-ja me funksionimin e saj të bazuar në unanimitet është më tepër një barrë për amerikanët. Por ata qëndrojnë atje për ta transformuar atë në një aleancë planetare që do të ketë për qëllim të përfshijë shtetet 'keqbërëse', së dyti t'i imponohet Rusisë dhe me kohë të bëhet pengesë për Kinën", thekson oficeri. Shkurt, "ata duan t'i kenë të sigurta prapavijat e tyre". Perspektiva është për "NATO-n globale", që e konfirmon Shapiro, edhe pse ai pranon që amerikanët, të ndërgjegjshëm për kundërshtimin e shumë vendeve evropiane ndaj një programi të tillë, nuk do të përpiqen që kjo të përfshihet në "konceptin e ri strategjik", që aleanca do të përgatisë për fundin e vitit 2010.  Sipas analistit Shapiro, pak rëndësi kanë kundërshtimet "teorike". "Në praktikë, po, NATO-ja është duke u transformuar në një organizatë botërore" dhe "pikërisht për këtë kanë nevojë Shtetet e Bashkuara".  Për këtë arsye ata e nxisin NATO-n të thellojë bashkëpunimin ushtarak me rreth 30 partnerët jashtë zonës atlantike që ajo i ka tashmë.  Këtu përfshihen katër vende të quajtura "vende kontakti" (Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut), shtatë vendet e Dialogut mesdhetar (ndër të cilët Egjipti dhe Izraeli), katër vendet e Gjirit Persik të Iniciativës së Stambollit dhe 20 vendet e Partneritetit për paqen (Azia Qendrore, Kaukazi, pesë vende evropiane neutrale, plus Ukrainën, Bjellorusinë, madje dhe Rusinë).  "Të shpresojmë që miqtë tanë amerikanë të mos shkojnë deri atje sa të kërkojnë një koalicion të llojit liga e demokracive", paralajmëroi François Heisbourg, "sepse kjo do të çonte në përplasjen e civilizimeve".  "Nëse ka diçka që mund ta përçajë NATO-n, është pikërisht një projekt i këtij lloji", këmbëngul ai, duke paralajmëruar se kjo do të ishte në kundërshtim si me traktatin e Uashingtonit, që ka themeluar Aleancën Atlantike dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara që njeh vetëm një organizëm me prirje botërore, Këshillin e Sigurimit.

KOMENTE