Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Akademia e Yjeve 4, afron spektakli i talenteve të reja
English

Akademia e Yjeve 4, afron spektakli i talenteve të reja

Tiranë, 1 Prill, NOA - Një spektakël prej 11 puntatash, misioni i të cilit është t'i bëjë të famshëm. Të rinj të talentuar, me mundësinë e madhe të bëhen pjesë e spektakleve televizive dhe po aq e botës së artit shqiptar.

Edhe kësaj here ky është qëllimi i producentes Zana Çela. Për të katërtin vit, "Akademia e Yjeve" është në startin e radhës.

Një mundësi fantastike për të zbuluar talente të reja, dhe për t'u dhënë shansin për të ecur përpara, e pse jo për t'u bërë personazhe të mirënjohur në botën e televizionit dhe shoë-t shqiptar.

Mbrëmja e të mërkurës në televizionin Klan do të jetë prova e parë e edicionit të katërt të "Akademisë së Yjeve".

Në një spektakël të drejtuar nga vetë Zana Çela, i cili do të zgjasë rreth dy orë do të prezantohen së pari para publikut 23 konkurrentë të përzgjedhur nga qytetet të ndryshme të Shqipërisë, Kosova e Maqedonia.

Sivjet nxënësit konkurrojnë në këngë, balet dhe si kantautorë.

Këtë vit për të përzgjedhur studentët e Akademisë janë zhvilluar më shumë se dy audicione.

I pari startoi ditët e para të shkurtit në ambientet e tv Klan e më pas trupa e pedagogëve u zhvendos në Maqedoni dhe Kosovë.

Nga audicionet e para u përzgjodhën 40 të rinj, të cilët më pas iu nënshtruan një audicioni të dytë, për të mbetur në fund 26 më të mirët. Këta kanë qenë nxënësit e parë të Akademisë së Yjeve, të cilët kanë vazhduar mësimin në shkollën "Faik Konica", mbarëvajtja e së cilit është ndjekur çdo ditë nëpërmjet emisionit "Akademia", të transmetuar çdo drekë në ekranin e Klan dhe Tv Norba.

Ndërkaq tre javë pas fillimit të shkollës, 26 më të talentuarit e këtij viti i janë nënshtruar më pas provimit të tretë.

Ka qenë një ditë e mbushur me emocione ajo e më shumë se një jave të shkuar, ku të gjithë nxënësit kanë interpretuar përpara trupës së profesorëve, të përbërë nga Sokol Marsi, Enada Hoxha, Gerd Vaso, Kristi Popa e Dritan Bramo, këngët dhe koreografitë e përgatitura gjatë kësaj kohe.

Pas një dite të ngjeshur, pedagogët të drejtuar nga producentja Çela kanë përzgjedhur 23 studentët që nesër fillojnë përballjen e drejtpërdrejtë në Klan. Gara e këtyre të rinjve, tre prej të cilëve nga Kosova, një nga Maqedonia, një amerikan dhe të tjerët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, pritet të jetë vërtetë e fortë.

Ata duhet të jenë këngëtarë dhe balerinë njëkohësisht, sepse këto janë kërkesat e këtij formati - të prodhojë artistë që përballojnë sfida dhe debate të forta, performanca të vështira madje dhe në vepra skenike si muzikalet ku do këndojnë, aktrojnë dhe kërcejnë njëkohësisht.

Çdo të mërkurë në mbrëmje, këta të rinj do të konkurrojnë fort njëri me tjetrin duke dhuruar në të njëjtën kohë një spektakël të vërtetë.

Siç ka ndodhur çdo herë nxënësit e Akademisë së Yjeve janë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Për dikë kjo Akademi është ëndrra e përmbushur e jetës, është prova e madhe për të përballur sfidat, për dikë është dedikim, për një tjetër dëfrim, kënaqësi apo investim i madh për të ardhmen.

Nga ato investime që të ndryshojnë jetën. Janë po aq të ndryshëm edhe në historitë e tyre. Sivjet do të shohim vajza e djem të rinj që sakrifikojnë për të përmbushur dëshirat, nxënës të shkëlqyer që kërkojnë akoma më tepër mundësi, djem të talentuar, ende në hapat e parë.

Rrëfenja emocionuese, të cilat publiku do t'i ndjekë përgjatë netëve të spektaklit. Megjithatë të gjithë kanë një të përbashkët të madhe: Ëndrrën për të prekur famën.

Të mërkurën, do të prezantohen të 23 konkurrentët të ndarë në dy skuadra: të Kuqe dhe Blu. Do të interpretojnë 12 konkurrentët e parë në 6 sfida: 6 nga skuadra blu dhe 6 nga skuadra e kuqe, respektivisht në këngë dhe balet.

Gara është individuale por njëkohësisht dhe mes skuadrave që do të thotë çdo individ i jep pikë skuadrës së tij.

Në fund janë teleshikuesit ata që do përcaktojnë fituesit nëpërmjet mesazheve duke votuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Por ndërkohë gara do të jetë e mbushur edhe me detajet interesante të spektaklit. Të mësuar tashmë me debate të forta, pjesë e rëndësishme e formatit, nxënësit do të prezantohen që në nisje me skuadrat e tyre.

Duket se ndarja në të kuq e blu, ka përbërë një temë më vete diskutimi, çka vetëm sa e ka shtuar dozën e konkurrencës.

Secili grup ka zgjedhur edhe kryetarin e tij, që në bashkëpunim me shokët, natën e parë do të prezantojnë strategjitë me të cilat do të kërkojnë fitoren.

Pjesë e rëndësishme gjithashtu do të jenë edhe gjykimet e pedagogëve dhe kritikëve, të pranishëm në panel për çdo javë.

a.c/NOA

Nxënësit e këtij viti të Akademisë së Yjeve

Skuadra blu

Erjola Tolaj, Vlorë

Elhaida Dani, Shkodër

Ardita Tusha, Tirana

Xhusi Pasho, Vlorë

Art Lohja, Kosovë

Labinot Avdiu, Kosovë

Neritan Mataj, Vlorë

Jurgen Bala, Tiranë

Gjoanina Frangaj, Shkodër

Ergi Zaloshnja, Tiranë

Elda Zeneli, Tiranë

Artes Feruni, Tiranë

Skuadra e kuqe

Fiorela Prençi, Vlorë

Desjana Kamberi, Vlorë

Stefan Morena, Shkodër

Patrick James, USA

Nita Latifi, Kosovë

Ardiana Ismaili, Maqedoni

Ivana Metaj, Vlorë

Eris Tafili, Vlorë

Silvester Shuta, Tiranë

Luiza Rusi, Tiranë

Adela Lami, Tiranë

KOMENTE