Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Scheffer, fton Shqipërinë të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut
English

Scheffer, fton Shqipërinë të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut

Tiranë, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, nëpërmjet një letre drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, fton Qeverinë e Republikës së Shqipërisë të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Në letrën drejtuar Ministrit të Jashtëm Basha, Z. Jaap de Hoop Scheffer, ndër të tjera, shkruan:

"Jam i lumtur t'ju informoj se të gjitha Palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 Korrik 2008. Rrjedhimisht, Protokollet kanë hyrë në fuqi.

Në emër të gjitha Palëve, - vijon më tej letra e Z. Scheffer për Ministrin Basha, - jam veçanërisht i nderuar ti komunikoj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet Palë në këtë Traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Në vijim të letrës së tij drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, shpreh kënaqësinë në emër të të gjithë shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut.

Sakaq, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka udhëzuar Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet nesër, dt. 1 Prill 2009, në një ceremoni të përbashkët të Ambasadorëve shqiptar dhe kroat në Uashington.

Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht.

Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO- s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës ato u ratifikuan nga Parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Kështu, në Samitin e Strasburg/Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.

e.l/NOA

KOMENTE