English

Përmasa e gjelbër, arrin në tetë mijë numri i pemëve të mbjella në kryeqytet

Tiranë, 8 prill NOA - Janë 8 sipërmarrje të tjera, të cilat në mënyrë vullnetare u bënë pjesë e nismës së ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës "Një qytetar - një pemë".

Kësaj iniciative i janë bashkuar deri më tani mjaft subjekte, të cilët përmes aksionit të mbjelljes së pemëve, synojnë të japin ndihmesën e tyre në pastrimin e ajrit, uljen e ndotjes dhe krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës në komunitet dhe shtimit të përmasës së gjelbër.

Kryebashkiaku Edi Rama, duke shprehur kënaqësinë për shtrirjen e gjerë që "Një qytetar - një pemë" ka gjetur në kryeqytet u shpreh se pemët e mbjella dhe që po vazhdojnë të mbillen në parkun e Liqenit, pemët e mbjella në qytet me kontributet e qytetarëve, së bashku me kontributet e sipërmarrësve, bankave, shoqatave dhe individëve shkojnë në një numër shumë të konsiderueshëm për këtë sezon, që i kalon të gjitha parashikimet tona.

"Praktikisht jemi në kufirin e 8000 pemëve dhe kaq pemë brenda një sezoni janë vërtet një lajm i shkëlqyer për këtë kryeqytet, i cili po rrit në mënyrë të vazhdueshme përmasën e tij të gjelbër, kjo përmasë e gjelbër, kaq shumë e dëshiruar nga qytetarët tanë dhe kaq shumë e merituar për një qytet i cili po merr formën që ne të gjithë kërkojmë, në kuadrin e një Tirane evropiane", - vijoi Rama.

Ai ka falënderuar por edhe ka kërkuar nga "sipërmarrësit, nga bankat, nga individët që i kanë mundësitë, që të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë periudhë të mbetur të këtij sezoni mbjelljesh, në mënyrë që ne të dalim nga ky sezon, me një sukses të merituar për Tiranën dhe të përgatisim sezonin tjetër për të arritur numrin e 10 000 pemëve në vitin e ardhshëm".

Për Ramën, "ky është një objektiv plotësisht i arritshëm, duke parë se si po rritet sensibiliteti qytetar, duke parë se si po shtohen dita ditës kontributet e qytetarëve dhe duke parë gjithashtu se sa e mundur është që kombinimi mes kontributit të çdo familjeje, përmes tarifës së gjelbërimit dhe kontributi i çdo individi apo sipërmarrësi përmes vullnetarizmit në këtë proces, të na japë mundësi që ne ta shikojmë me shumë siguri të nesërmen evropiane të qytetit tonë".Â

Këtë fillim jave u mbollën 110 pemë me kontributin e:Â

ISPP (sh.p.k) - 30 gështenja në bllokun e parafabrikateve Tirana e Re (stacioni i fundit)

Garden Line - 25 mollë dekorative në rrugën "Kristaq Mema"

KMY(sh.p.k); VEKO (sh.p.k)dhe një familje tiranase - 30 gështenja në bllokun 1 Maji

SHAGA (sh.p.k) - Â 10 bli në rrugën "Sul Gjashta"

Dy restorante private - 5 gështenja dhe 10 bli në rrugën "Milan Shuflaj" dhe sheshin tek busti i "Adem Jasharit".

Përkrahja që "Një qytetar - një pemë" po gjen nga i gjithë komuniteti kryeqytetas, shoqatat jo fitimprurëse, agjencitë e ndryshme, bizneset e mëdha dhe të vogla, kompanitë dhe shoqëritë private, por edhe nga çdo qytetar i Tiranës, tregon për perspektivën gjithnjë e më në rritje të kësaj nisme e cila do të shkojë duke u shumëfishuar, jo vetëm në territorin e Tiranës por edhe në territorin e vendit.

Nisma "Një qytetar - një pemë" ndikon drejtpërdrejt në rritjen e përmasës së gjelbër të kryeqytetit tonë, rritjen e cilësisë së ajrit në mjedisin tonë dhe rritjen e qytetit tonë si qytet evropian, duke krijuar kështu një të ardhme më të mirë për qytetarët, e në veçanti për fëmijët e më të moshuarit.

"Një qytetar-një pemë" synon gjithashtu të ndikojë pozitivisht në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre, duke nxitur njëkohësisht ndjeshmërinë dhe pjesëmarrjen qytetare në këto nisma.

e.l/NOA

KOMENTE