English

Mungesë e papërgjegjshme pullash, nuk jepen certifikata në Fier e Berat

Tiranë, 8 prill NOA - Në mënyrë të papërgjegjshme, instancat shtetërore kanë lënë pa pulla takse zyrat e gjendjes civile në rajonet e Beratit dhe Fierit, duke bërë që qytetarët të privohen nga marrja e certifikatave që u nevojiten.

Korrespondentët e agjencisë së lajmeve NOA në këto rrethe, informojnë se problemi i mungesës së pullave, është shndërruar në një shqetësim të pakapërcyeshëm për qytetarët.

Ndërsa u duhet të pajisen me certifikata lindjeje, familjare apo për arsye të tjera, të cilat kërkohen kryesisht nga institucionet shtetërore, si dhe konsullatat, është pikërisht shtetit që i ndalon të kenë dokumentin e domosdoshëm identifikues.

Zyrtarët në gjendjen civile të të dy qyteteve, të pohojnë se prej të paktën një jave, nuk lëshohen më certifikata për qytetarët si pasojë e mungesës së pullave.

Kryetarët e rajoneve kanë bërë kërkesat për tërheqjen e pullave pranë Drejtorisë së Tatim Taksave ku dhe bëhet tërheqja e tyre, por sipas burimeve pranë kësaj drejtorie, sasia e pullave për tre rajonet nuk ka mbërritur ende nga ministria.

Në këto kushte qytetarët që duan një certifikatë për nevojat e tyre nuk kanë mundur ta marrin atë që prej një jave.

e.l/NOA

KOMENTE