English

Shqiptarët po e humbin besimin tek institucionet

Abstenimi masiv i shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka shtuar dyshimet dhe zërat se shqiptarët dita ditës po humbin besimin tek institucionet shtetërore, për shkak të mungesës së ofertës ndaj tyre

Abstenimi për të votuar kandidatët maqedonas në zgjedhje, raportet dhe hulumtimet e ndryshme për qasjen e shqiptarëve në institucione dhe rezervat e tyre të shprehura për mosbesim tek pushtetet, në Maqedoni ka nxitur dilemat se ai besojnë shqiptarët institucioneve shtetërore, duke përfshirë presidentin, kryeministrin, Parlamentin, gjyqësinë dhe sfera të tjera të pushteteve, ndër të cilat Ministria e Brendshme.

Të gjitha sondazhet e fundit të realizuara kohëve të fundit në Maqedoni tregojnë për rezerva të theksuara të shqiptarëve ndaj institucioneve shtetërore.

Eksperti për çështje juridike, prof.dr. Osman Kadriu thekson se së fundi injorimi i shqiptarëve për të mos votuar dy kandidatët presidencial, Lubomir Fërçkovski dhe Gjorgje Ivanov tregon se shqiptarët nuk kanë besim ndaj tyre, për shkak të qasjes së tyre duke pretenduar për të udhëhequr një institucion shteti.

"Shqiptarët nuk kanë besim ndaj institucioneve të shtetit duke përfshirë edhe institucionin president i republikës, ky buron nga vetë fakti që në tërë procedurën zgjedhore presidenciale, edhe procedurën parazgjedhore duke përfshirë rrethin e parë edhe rrethin e dytë, nga platformat dhe nga programet e dy kandidatëve aspak nuk kishte elemente edhe nuk kishte përbërës për çështjen, të drejtat dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoni", ka theksuar Kadriu. Sipas tij, ky veprim i shqiptarëve që ndodhi me kandidatët presidencial duhet të shërbejë edhe si leksion për politikanët maqedonas, por edhe për ata shqiptarë, për të kuptuar se çfarë oferte duhet të shpaloset për shqiptarët.

"Këtë herë është zgjedhur presidenti shtetit pa votën shqiptare, president i cili nga numërimi i votave del se është ekskluzivisht kandidat i VMRO-DPMNE-së", ka theksuar ligjëruesi Osman Kadriu.

Nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon se besueshmëria e shqiptarëve ndaj institucioneve, së fundi ndaj presidentit nuk qëndron në nivelet që duhet të jenë në një shtet shumetnik siç është Maqedonia.

"Natyrish kjo flet mjaft edhe për BDI dhe VMRO-DPMNE, nga se liderët e dy partive politike arritën marrëveshje për mbështetje të ndërsjellët, qoftë për kryetarë shteti, kryetar të Shkupit, ashtu edhe për kryetarë komune" , theksoi Iljaz Halimi

Sipas tij, shqiptarët i bënë me dije Gruevskit dhe Ali Ahmetit se nuk qëndrojnë në krah të kësaj qeverie. " Sipas këtyre rezultateve nuk kanë legjitimitet as Ali Ahmeti as Gruevski dhe partitë e tyre që të udhëheqin në emër të shqiptarëve" , u shpreh Iljaz Halimi

Sipas tij, në këtë situatë pas këtyre rezultateve gjithsesi se duhet të japin dorëheqje dhe të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare ku do të verifikohet edhe një herë legjitimiteti i tyre po ashtu do të verifikohet edhe legjitimiteti i partive tjera në Maqedoni.

Halimi ka nënvizuar se Qeveria nuk ofroi asgjë për shqiptarët, VMRO -DPMNE po ashtu nuk ofroi asgjë në interes kombëtarë të shqiptarëve.

"VMRO -DPMNE vetëm i ofroi Ali Ahmetit, se partia e tij është e gatshme ta mbështes kandidatin e tyre për kryetarë komune, po ashtu Ali Ahmeti i ofroi Gruevskit se partia e tij do ta mbështes kandidatin e VMRO - DPMNE për president" , theksoi Iljaz Halimi.

Ai ka shtuar se shqiptarët e kanë kuptuar këtë marrëveshje tejet të ulët që u bë për interesa partiake jo për interesa kombëtare dhe sipas tij, në fakt u ndëshkua si Ali Ahmeti, po ashtu edhe Gjorgje Ivanov si kandidat për president, ngase nuk mori votat e shqiptarëve.

Shefi i shtabit të BDI-së, Gëzim Ostreni thekson se në Maqedoni ka ndërgjegjësim të qytetarëve dhe vetëdije demokratike dhe se në këtë drejtim qytetarët dijnë të vlerësojnë institucionet.

"Të gjitha institucionet dhe Qeveria e Maqedonisë duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe gjithashtu duhet të zbatohet në përpikëri fryma e marrëveshjes së Ohrit që është një zgjidhje mjaft e mirë për shtetet multietnike", theksuar Gëzim Ostreni.

Lidhur me raportet dhe qasjen e qytetarëve ndaj institucioneve por edhe anasjelltas, Ostreni nënvizon se të gjithë personalitetet e institucioneve duhet të jenë në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarin.

"Në këtë drejtim dua të potencojë edhe çështjen e presidentit të cilit do ti duheshe shumë ma shumë të jetë më i afërt me qytetarët dhe në veçanti me qytetarët shqiptarë", ka theksuar Ostreni.

NOA-INA

KOMENTE