English

Shtyhet sërish gjyqi ndaj ministrit Basha. Avokati i tij paraqiti raport mjekësor

Tiranë, 8 prill, NOA - Shtyhet sërish gjyqi mbi çështjen "Basha" për abuzimet në rrugën Durrës-Kukës. Në një kohë, kur sot ishte caktuar dita për të dhënë vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj vendimit të Apelit ndaj abuzimeve prej 230 milionë euro në tenderimet për rrugën Durrës-Kukës, avokati i tij mbrojtës nuk u paraqit, duke dorëzuar vetëm një raport mjekësor me të cilin argumentonte se nuk mund të ishte pjesëmarrës në seancë.

Ndërkaq, pritet që Gjykata e Lartë të dalë me një deklaratë përkatëse mbi këtë çështje, për të sqaruar qëndrimin e saj mbi ecurinë e çështjes "Basha".

Kjo nuk është hera e parë që dështuar seanca gjyqësore ndaj akuzave të ngritur ndaj ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha, për abuzimet e kryera me fondet e rrugës Rrëshen-Kalimash.

Njëherë, u bë shkak dorëheqja e dy anëtarëve të trupit gjykues në Apel, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca.

Njëherë tjetër ka qenë mungesa e ministrit Basha, për shkak të pjesëmarrjes së tij në forumin e Davosit që ka shtyrë seancën.

Herën e fundit para pak javësh, arsyeja e nxjerrë nga kolegji i Gjykatës së Lartë ka qenë ai i të paturit pushim zyrtar në ditën e caktuar për procesin "Basha".

Dhe tani, na del si pengesë raporti mjekësor i avokatit të tij të mbrojtjes, çka çon në një shtyrje pa fund të procesit, pa ditur se kur do të ketë vërtet një vendim përfundimtar mbi çështjen "Basha" e cila barazohet me 230 milionë euro abuzime në dëm të buxhetit të shtetit.

n.e/NOA

KOMENTE