English

Poni, apel qytetarëve për pajisjen me letërnjoftime

Tiranë, 10 prill, NOA - Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni i bën thirrje qytetarëve në të gjithë vendin të pajisen me karta identiteti.

Pas përfundimit të komisionit ad hoc, zëvendësministri Poni, u shpreh gjithashtu se procesi i aplikimit për kartat e identitetit po ecën me ritme të kënaqshme.

Ndërsa gjatë mbledhjes, ai u kërkoi deputetëve që të ndikojnë në lidershipin përkatës politik për të mbështetur procesin.

 "Lidershipi i partive politike, sidomos atyre opozitare, t'iu bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre që të shkojnë e të aplikojnë për karta dhe më pas t'i tërheqin ato nga zyrat e shpërndarjes së njësive vendore. Ne kemi në zyrat tona të shpërndarjes gati 248 mijë letërnjoftime, nga të cilat janë tërhequr vetëm 110 mijë",- tha zv/ministri Poni.

Sipas tij, "sistemi i kartave të identitetit është i shtrirë në të gjithë vendin dhe punon me kapacitet të plotë. Sot kemi në punë mbi 410 stacione aplikimi në të gjithë vendin, në gati 300 njësi vendore, që mundëson realizimin e një numri më të lartë aplikimesh".

Ndërkaq, në Tiranë, nga 80 mijë shtetas të evidentuar pa pasaportë, më shumë se 60 mijë prej tyre tashmë kanë aplikuar.

Po ashtu, sistemi i shpërndarjes funksionon kënaqshëm. Afati mes momentit të aplikimit për kartë dhe shpërndarjes së saj llogaritet në rreth dhjetë ditë. Kështu proçedurat për marrjen e kartës janë përshpejtuar.

s.v/NOA

KOMENTE