English

Sejdiu: Po bëhen spekulime me luftën e UÇK-së

Prishtinë, 11 prill, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu kundërshtoi lajmet e dhëna për ekzistencën e burgjeve të UÇK-së gjatë luftës së viteve '90 në këtë vend.

Sipas tij, lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e drejtë, ndërsa pohimet për krime të saj janë spekulime pa fakte.

Ai i bëri këto komente pas shkrimeve të shërbimit botëror të BBC-së dhe Rrjetit Ballkanik për gazetarinë hulumtuese sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkelur të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar dhe në disa raste edhe ka vrarë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme. Presidenti Sejdiu tha se pohimet e paargumentuara janë të papranueshme. "Dua të them atë që e ka thënë populli i Kosovës gjithmonë, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe luftë për ekzistencën e qenies sonë. Dhe absolutisht, çdo gjë tjetër të paargumentuar e marr jashtë reales. Latinët e kanë pasur një shprehje shumë të hershme ‘me sjell faktet atëherë del drejtësia', prandaj nuk dua të merrem me kurrfarë spekulimesh", tha presidenti Sejdiu.

Udhëheqës politikë të ish Ushtrisë Çlirimtare kanë hedhur poshtë pohimet për ekzistencë të kampeve të kësaj ushtrie, por kanë theksuar se ka mundësi që individë të caktuar të kenë bërë gabime gjatë luftës. Ata shprehën gatishmërinë për të mbështetur këdo që dëshiron të kryejë hetime të paanshme rreth kësaj çështje.

n.e/NOA

KOMENTE