English

Presidenti i SHBA, ligj special për statusin e klandestinëve, përfitojnë shqiptarët

Uashington, 13 Prill NOA - "Për klandestinët duhet gjetur "një mekanizëm që t'i mundësojë atyre të dalin nga hija".

Pohimi është bërë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama i cili ka deklaruar se ai dëshiron të përfundojë një reformë të gjerë, aty ku dështoi paraardhësi i tij, Xhorxh W. Bush.

Sipas këtij plani, Obama dëshiron t'i ofrojë një shans rregullimi të statusit afro 12 milionë klandestinëve, të cilët tashmë jetojnë në territorin federal të SHBA-së.

Në të shkuarën, Obama bëri me dije se dëshironte t'i kundërvihej hyrjeve të parregullta, duke ndëshkuar ato punëdhënës që punësojnë të huaj pa dokumentet e duhura dhe duke forcuar kontrollet në kufi.

Nga ana tjetër, një reformë e administratës, përkundrazi do të synojë pakësimin e telasheve për imigrantët e paligjshëm dhe përqasjen më të mirë mes kërkesës dhe ofertës së tregut të punës.

Muajin e kaluar, në një ndërhyrje në shtetin e Kalifornisë, Obama u shpreh: "E di që imigrimi është një argument i ndjeshëm, polemikëndjellës, që vepron politikisht tek njerëzit".

Sidoqoftë, për Presidentin e SHBA-së imigrantëve, që kaherë ndodhen në SHBA, "u duhet gjetur një mekanizëm që ato të dalin nga hija".

Sipas programit të ecurisë, anuncuar nga "New York Times", muajin e ardhshëm Obama do ta paraqesë planin e tij të hollësishëm në një fjalim publik.

Kështu, brenda kësaj vere do të ngrihen grupe pune me eksponentë të Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, si dhe me përfaqësues të imigrantëve, që do të hartojnë projektligjin në fjalë, normë e cila mund të nisë të diskutohet duke nisur nga vjeshta e këtij viti.

Megjithatë, duket e vështirë që risitë mbi imigrimin të përfundojnë më parë se ndërhyrje të tjera, që amerikanët i konsiderojnë më urgjente, por që u bënë me dije edhe nga vetë Obama gjatë fushatës zgjedhore, si p.sh. reforma e sistemit shëndetësor.

Sidoqoftë, plani i Obamës është në mbështetje të angazhimit të tij ndaj grupeve hispanike, po në suazën e asaj fushate zgjedhore.

Atëherë, kandidati për President të SHBA-së, Barak Obama u angazhua se do të ndërmirrte dhe do të fuste në fuqi një legjislacion të gjithanshëm imigrator, përfshirë edhe një plan për të ofruar status të ligjshëm për afro 12 milionë imigrantë të paligjshëm, duke e bërë këtë një parësi gjatë vitit të parë si President.

"Latinos" iu përgjigjën me një votë masive pro-Obama për zgjedhjen e tij si President i SHBA-së.

Në vija të përgjithshme, zyrtarët thonë se "Administrata Obama" është në të mirë të një legjislacioni që do t'i përfshinte imigrantët e paligjshëm brenda sistemit të ligjshëm, duke pranuar se ato kanë shkelur ligjin dhe duke vendosur gjoba dhe ndëshkime të tjera, sipas natyrës së shkeljes.

Veç forcimit të kontrolleve kufitare dhe ndëshkimeve të rrepta për punëdhënësit që punësojnë imigrantë të paligjshëm apo të padokumentuar, reforma e përvijuar synon edhe ngritjen e një sistemi kombëtar për verifikimin e statusit ligjor imigrator të punëtorëve të rinj.

"New York Times" në një prej daljeve të saj të ditëve të fundit raporton se "Shtëpia e Bardhë" po përllogarit se mbështetja publike për të rregulluar sistemin imigrator, që siç pranohet gjerësisht është i shpërbërë, do të jetë më e madhe se kundërvënia nga ana e votuesve, që mbështesin mendimin se imigrantët marrin vende pune nga amerikanët.

Kundërshtarët e ligjit për legalizimin e statusit të imigrantëve të paligjshëm, shumica Republikanë janë shprehur se do të kërkojnë të mobilizojnë kundërvënien popullore ndaj çdo përpjekje për të legalizuar punëtorët imigrantë të paautorizuar, në një kohë kur kaq shumë amerikanë janë të papunë.

Këto kundërshtarë nuk besonin se Obama do të ndërmerrte reformë imigratore, në një kohë kur vështirësitë ekonomike për amerikanët kanë marrë këto përmasa të mëdha.

"Thjesht nuk duket racionale që cilido udhëheqës politik të thonte: le t'i japim miliona punëtorëve të huaj qasje ndaj vendeve të punës në SHBA, kur ne kemi miliona amerikanë që po kërkojnë punë" u shpreh Roi Bek, Drejtori Ekzekutiv i "NumbersUSA", një grup që është në të mirë të reduktimit të imigrimit.

Bek parashikon se Obama do të ndeshet me një "shpërthim", nëse vazhdon kështu këtë vit. "Po do të ndodhë: ti i lejon ato të mbajnë atë vend pune, ndërkohë që mund ta marr unë", u shpreh ai.

Po sipas "New York Times", zyrtarë të Administratës thonë se Plani i Presidentit Obama nuk do të shtojë punëtorë të rinj tek fuqia punëtore amerikane, por do të njohë si të rregullt miliona imigrantë të paligjshëm, që tashmë jetojë dhe punojnë atje.

Pavarësisht recensionit të thellë, ende nuk ka prova apo të dhëna të eksodi për nga jashtë të punëtorëve imigrantë të paligjshëm, kjo sipas studimeve të institucioneve të pavarura.

Tashmë, mbetet për t'u pritur fjalimi publik i Obamasë, planifikuar për muajin e ardhshëm, ku me siguri do të jepen hollësira mbi planet e tij, strategjisë dhe afatet kohore që do të ndiqen.

e.l/NOA

KOMENTE