English

Ambasadori Wisner takohet me Berishën, flasin për NATO-n dhe Kosovën

Tiranë, 14 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot ish-të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit në bisedimet për statusin final të Kosovës, Ambasadorin Frank Wisner.

Berisha vlerësoi Ambasadorin Wisner për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij si i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit në bisedimet për statusin final të Kosovës në vitet 2007-2008.

"Shqiptarët do t'u mbeten përjetë mirënjohës ju, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentëve amerikanë për kontributin dhe përkushtimin ndaj çështjes së tyre të drejtë, që bëri të mundur shpalljen e pavarësisë se Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar," u shpreh Kryeministri.

Ambasadori Wisner i shprehu Kryeministrit mirënjohjen e tij të thellë për përkrahjen, mbështetjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Berishës, pa të cilin nuk do të ishte bërë e mundur realizimi i misionit të tij, por edhe i përfundimit me sukses të procesit.

"Përpjekjet për përmbylljen me sukses të procesit të finalizimit të statusit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ishin të suksesshme, pa kontributin e një miku të madh në Tiranë, Kryeministrit", - vijoi Ambasadori Frank Wisner.

Në takim, u vlerësua gjithashtu, ndërtimi dhe përfundimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë si një infrastrukturë jetike që do t'i japë një dimension të ri, të paparë ndonjëherë bashkëpunimit me Kosovën, si edhe me pjesë të tjera të rajonit, po ashtu do të japë një ndihmë thelbësore në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si edhe në forcimin e stabilitetit në rajon.

Ambasadori Wisner tha se "si amerikan ndihem jashtëzakonisht krenar që Shqipëria është sot anëtare e plotë e NATO-s".

Wisner, e ka cilësuar këtë si një ngjarje të shënuar për Shqipërinë, por edhe si një faktor i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

e.l/NOA

KOMENTE