English

Ministria e Brendshme thotë se gjysmë milioni shqiptarë kanë aplikuar për kartat e reja

Tiranë, 14 Prill NOA - Ministria e Brendshme deklaroi sot në mesditë se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike po ecën me ritme të kënaqshme.

Fatmir Konja, zëdhënës i MB, tha se mbi gjysmë milion shqiptarë që kanë aplikuar deri më tani, kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin me sukses të aksionit të madh kombëtar për pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identitetit.

Duke u ndalur në shifrat, Konja tha se kanë aplikuar deri më tani mbi 500 mijë qytetarë, janë prodhuar 403 744 letërnjoftime elektronike, nga të cilat 306 560 janë dërguar në zyrat e shpërndarjes.

Ndërkohë Konja sqaroi se pranë zyrave përkatëse janë dërguar të gjitha letërnjoftimet për aplikimet deri më 31 Mars.

Nga ana tjetër, MB ka lëshuar një tjetër apel: "Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar, të paraqiten pranë këtyre zyrave për të tërhequr letërnjoftimet", - citoi Konja ftesën e MB.

"Thirrjen më të rëndësishme e më këmbëngulëse ua drejtojmë personave që nuk disponojnë pasaportë dhe ende nuk kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik", - theksoi Konja.

Ndërsa sugjeroi: "Aplikoni dhe pajisuni me letërnjoftimin elektronik që të përfitoni nga prioriteti dhe lehtësitë e vëna në dispozicion nga qeveria".

e.l/NOA

KOMENTE