English

Takimet e së mërkurës, të gjithë paraqiten optimistë dhe pretendojnë fitore

Londër, 14 prill, NOA - Ndeshjet e së mërkurës shoqërohen me një dozë të lartë besimi tek ekipet e mëdha se kanë për të marrë rezultate të larta gjatë tyre.

Lojtari i ekipit të "Manchester United", Cristiano Ronaldo, është i bindur se skuadra e tij do ta mposhtë ekipin e "Portos" në ndeshjen kthyese, e cila zhvillohet nesër Estadio do Dragao.

"Ndjehem mirë, kam vetëbesim, ndeshjet më të mira po vijnë dhe unë jam i gatshëm për to. Kur është hedhur shorti dëshiroja që të luaja kundër Portos. Mendoj se jemi skuadër shumë më e mirë se Porto, mirëpo duhet të kemi respekt për ta, sepse për momentin ata janë ekipi më i mirë në Portugali", ka thënë ai. Duke shtuar se ekipi i "Portos", ka një trajner të mirë dhe disa lojtarë të jashtëzakonshëm, por gjithsesi "Manchester Uniterd" i mbetet roli për të dëshmuar se mbetet ekip i mirë.

Ndërkaq, edhe pse Juventusi gjendet dhjetë pikë prapa Interit, kur kanë mbetur edhe shtatë javë për t'u luajtur (21 pikë), trajneri i bardhezinjve Claudio Ranieri nuk heq dorë nga shpresa për të fituar në të ardhmen.

"Derisa të mos kemi shanse matematikore, unë nuk do të dorëzohem. Nuk shqetësohem aspak për Milanin që na ndjek nga pas, sepse jam mësuar të shikoj përpara drejt skuadrës të cilën dëshirojmë ta zëmë", ka thënë ai.

Nga ana tjetër, edhe ekipi i "Bayern Munich" do të përpiqet ta shpëtojë një pjesë të krenarisë kur nesër në Alliaz Arena do ta presë Barcelonën në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Bavarezët në ndeshjen e parë në Camp Nou pësuan një debakël të vërtetë, pasi pas vetëm 45 minutash humbën me rezultat bindës 4-0. "E dimë se nuk do ta fitojmë Barcelonën me katër gola epërsi, jemi të vetëdijshëm për këtë. Por do të luajmë me krenari dhe karakter dhe do t'u japin fansave një ndeshje të shkëlqyeshme të Ligës së Kampionëve", ka thënë trajneri i ekipit gjerman, Jurgen Klinsmann. n.e/NOA

KOMENTE