English

Lufthansa dyfishon fluturimet me Shqipërinë, ofrohen dhe tarifa më të ulëta

Tiranë, 15 Prill NOA - Qytetarët shqiptarë dhe të huaj por edhe emigrantët tanë në Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimi Evropian dhe më gjerë, kanë tani një mundësi më shumë për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas, si dhe në disa dhjetëra destinacione në të gjithë botën.

Kjo pasi Lufthansa, gjiganti Gjerman i ajrit dhe një nga linjat ajrore më në zë në botë, ka dyfishuar sot fluturimet e saj me Shqipërinë, në linjën Tiranë-Mynih.

"Linja ajrore ndërkombëtare me qendër në Gjermani, që nga 1 prilli 2009 ka shtuar një fluturim ditor, krahas shërbimeve të saj ekzistuese ditore, nga Tirana në Munih", - u tha sot në një konferencë për shtyp që drejtues të kompanisë zhvilluan në Tiranë.

Shërbimi që ofrohet dy herë në ditë operohet nga një avion me 86 vende ne Klasin Biznes dhe Ekonomi, dhe do të rrisë dyfish numrin e pasagjerëve që do të fluturojnë midis Tiranës dhe Mynihut.

Itinerari i ri i shtohet shërbimeve ekzistuese që ofrohen nga grupi Lufthansa dhe është përshtatur për të ofruar koordinimin optimal të kohës së udhëtimit si për pasagjerët e biznesit dhe për pasagjerët për turizëm.

Ky shërbim do t'i ofrohet shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, të cilët kthehen për pushime në vendin e tyre, komunitetit të biznesit në Shqipëri, Gjermani e më gjerë si dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Avioni i parë LH 3399 niset nga Tirana në orën 6:25 të mëngjesit, mbërrin në orën 8:15 në Mynih duke i lejuar të gjithë pasagjerëve të kenë në dispozicion gjithë ditën në Mynih.

Ata do të mund të përdorin një nga mbi 2400 linja tranzit në javë dhe të fluturojnë në mbi 100 destinacione ofruar nga aeroporti i Mynihut.

LH 3398 do të niset nga Mynih në 21:30 dhe mbërrin në Tiranë në orën 23.10 të mbrëmjes.

Gabor Horvarth, Menaxheri i Përgjithshëm i Shitjeve të Pasagjerëve të Lufthansës për Bullgarinë dhe Shqipërinë, duke folur për risinë, evidentoi konstatimin se "fluturimet Tiranë-Mynih janë pritur mirë nga pasagjerët tanë, sidomos nga komuniteti i biznesit gjithnjë në rritje".

"Ne jemi krenarë, - tha Horvarth, - të shtojmë më tej prezencën tonë në Shqipëri dhe t'u ofrojmë klientëve tanë një orar sa më fleksibël dhe kapacitete shtesë duke arritur në 2400 vende në javë bashkërenduar standardit tonë të lartë të shërbimeve dhe produkteve.

"Arsyeja se përse ne ndërmarrim një hap të tillë pavarësisht mjedisit të vështirë ekonomik global, përforcon më tej angazhimet tona në Shqipëri", - ka shtuar z.Hovarth.

Udhëtim komod me çmime tërheqëse

Nisur nga kërkesa e lartë, itinerari i ri u ofron pasagjerëve Shqiptarë mundësi shumë të përshtatshme dhe tranzit perfekt prej vetëm 30 minutash në aeroportin më të mirë të Evropës, në Mynih (me 25 milionë pasagjerë më 2008).

Pasagjerët do të kenë mundësinë të përfitojnë lehtësira që përfshijnë shërbime të reja si Kafeja Senator, Lounzh i Klasit të Parë si dhe më tepër se 100 dyqaneve. Duke fluturuar pa ndalesa në Mynih Shqiptarët mbërrijnë në zemër te Evropës dhe prej andej, nëpërmjet rrjetit të Lufthansas, mund të fluturojnë në mbi 200 destinacione në 78 vende të botës, përfshi këtu edhe SHBA, Azi dhe Evropën Perëndimore.

Lufthansa, e cila fluturon në 47 destinacione në Evropën Qendrore, ka aplikuar çmime te reja, shume te lira për udhëtimet nga Shqipëria, duke ofruar në këtë mënyrë një udhëtim vajtje-ardhje nga Tirana në Mynih për vetëm 89 euro dhe një çmim prej 189 euro për 60 qytete Evropiane. Për më tepër, çmimi përfshin të gjitha taksat dhe tarifa të tjera, veç tarifës për shërbimet ndaj biletës.

Për z.Hovarth, kjo do të bëjë të mundur që më tepër udhëtarë shqiptarë të përfitojnë udhëtime sa më të komode me standardet më të larta.

Evropa Qendrore, është në fokus të investimeve të Lufthansës, pavarësisht klimës aktuale ekonomike, e cila vazhdon të zgjerojë rrjetin e itinerarëve në këtë rajon.

e.l/NOA

KOMENTE