English

Urgjent - Ina Rama komenton skandalin e Gërdecit me aferat e dyshuara Balliu-Delijorgji

Tiranë, 15 Prill NOA - Duke u nisur nga publikimi ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së prokurorisë në ndjekjen penale, të procedimit penal nr. 3, të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë, ka reaguar para pak çastesh, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama.

"E ndjejmë për obligim për të sqaruar publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, prokuroria ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik", - thuhet në deklaratën që dha Prokuroria e Përgjithshme, pak minuta më parë.

Prokuroria thotë se ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje.

"Kështu, për sa bëhet fjalë në media, prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarak dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë", - deklaron Prokuroria e Përgjithshme.

Ajo shton se "ka ndërmarrë të gjitha veprimet proceduriale penale të nevojshme, ndaj pasurive të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner".

e.l/NOA

KOMENTE