English

Doganierët e zhytur në abuzim, si ranë viktima të operacionit "Porosia"

Tiranë, 16 Prill NOA Update - Rrjeti i abuzimit me dokumentet shtetërore në këmbim të përfitimeve financiare, u shkatërrua sot nga policia e Tiranës, pas plot një viti që kishte nisur hetimi.

Madje, sikundër tregojnë për agjencinë NOA, burime hetimore, disa prej agjentëve të Antikrimit Ekonomik ishin infiltruar në grupin e gjerë të të dyshuarve, me qëllim futjen e tyre në kurth.

Tre agjentë të Antikrimit Ekonomik, mes tyre dhe një femër, janë shtirur në role të ndryshme, përkatësisht të sekserit, të një "hallexhiu" që donte të targonte makinën e vjedhur duke i bërë doganën me dokumente false kurse një i tretë, mësohet se ishte infiltruar brenda Doganës me qëllim grumbullimin e sa më shumë provave për të realizuar sot, operacionin policor dhe valën e arresteve.

Burimet policore gjithsesi, i pohuan agjencisë NOA se janë të pakënaqur me masat e sigurisë dhe urdhër-ndalimet e urdhër-arrestet e prera nga Prokuroria dhe Gjykata, duke theksuar faktin se vetëm për katër të dyshuar u miratua lënia në burg pa afat kurse për disa të tjerë as që u mor në konsideratë kërkesa policore për masë sigurie.

Duke evidentuar suksesin e operacionit, Alma Katragjini, zëdhënëse e policisë së Tiranës, doli sot para gazetarëve.

Ajo tregoi se nga specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të operacionit "Porosia" kanë mundësuar kapjen e shtatë personave, të akuzuar për "Korrupsion pasiv, të personave të ushtrojnë funksione publike".

Katragjini konfirmoi se të arrestuarit janë:

Engjëll Agim Dylgjeri, 48 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me detyrë Agjend Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, me masë sigurimi të Gjykatës së Rrehit Gjyqësor Tiranë "Arrest në burg" Xhevdet Fejzulla Mali, 48 vjeç, lindur në Librazhd e banues në Tiranë, me detyrë me detyrë Agjend Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë, me masë sigurimi "Arrest në burg"

Ylli Fadil Sharri, 46 vjeç, lindur në Elbasan e banues në Tiranë, me detyrë Komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, me masë sigurimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë "Arrest në burg" Olgert Qazim Isa, 27 - vjeç, lindur në Delvinë banues në Tiranë, me detyrë Inxhinier pranues Dokumentesh pranë Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, me Urdhër-Ndalimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Po ashtu u ekzekutuan masat e sigurimit personal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me "Detyrim paraqitjeje", për: Frida Guxia, 56 vjeçe, lindur e banuese në Shkodër, me detyrë Doganiere, pranë Degës Doganore Shkodër. Sofokli Qose, 42 vjeç, lindur në Gramsh e banues në Tiranë, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë. Ilmi Krantia, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë Doganier pranë Degës Doganore Tiranë. Këta persona, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme, kanë bërë të mundur zhdoganimin dhe targimin e automjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm, me dokumentacion të falsifikuar, duke përfituar shumat e parave që variojnë nga 4 deri në 5 milionë lekë të vjetra, për një zhdoganim dhe targim automjeti. Policia tha se në sajë të një hetimi intensiv, afro 1-vjeçar, duke realizuar metodat speciale të hetimit, nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Task-Forcë, është bërë e mundur dokumentimi i plotë ligjor, për veprat penale të "Korrupsionit pasiv, të personave të ushtrojnë funksione publike", "Shpërdorim detyre", "Korrupsion pasiv në sektorin privat", dhe "Falsifikim dokumentesh". Aktualisht, policia tha se po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore mbi persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet korruptiv, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

a.k/NOA
KOMENTE